Degert: Serbia tre kushte për të “prekur”BE

Kushtet që Serbia duhet të përmbushë për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, më 27 shkurt janë të qarta dhe të arritshme, tha kreu i Delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert.
"Zbatimi i mëtejshëm i marrëveshjeve me Prishtinën, zhvillim të mëtejshëm në lidhje me përfaqësimin rajonal të Prishtinës dhe EULEX e KFOR të kryejnë mandatin e tyre në tërë Kosovën. Këto tri kushte janë të qarta dhe të arritshme", ka thënë Degert në parlamentin serb. Ai theksoi gjithashtu kushtet për integrimi të mëtejshëm evropian, që përkojnë dhe me fillimin e negociatave si, luftën kundër korrupsionit, reformën në media, reformë gjyqësore dhe rritjen e konkurrencës tregtare.
Ndërkaq Degert ka hedhur poshtë deklaratat e deputetit të Partisë Demokratike të Serbisë, Slobodan Samardzic, se BE e ka vënë në akull procesin e zgjerimit.
"Nuk ka akull në procesin e integrimit evropian. Ne zhvillohemi dhe zgjerohemi. Kroacia do të bashkohet me BE, ndërsa ne duam që të gjitha vendet të jenë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE", tha Degert.