Degjeneron në dhunë fizike mbledhja e degës së PS-së së Kavajës
Dash Peza: "Akuzat, sharjet dhe dhuna fizike, emocione normale!"
Kryetari i Partisë Socialiste të rrethit të Kavajës, Xhavit Haliti dha dorëheqjen dje në një mbledhje të tensionuar dhe plot akuza. Haliti i ardhur në këtë post dy vjet më parë, është detyruar të japë dorëheqjen i nxitur edhe nga një mocion mosbesimi i përgatitur nga kundërshtarët e tij, në degën socialiste të rrethit, për punë të dobët të tij në krye të degës së PS. Por dorëheqja e tij në mbledhjen e organizuar në ambientet e pallatit të kulturës së qytetit të Kavajës është pasuar me akuza, sharje dhe kërcënime verbale të deputetit të zonës Dashamir Peza. Anëtarët e degës së PS, e kanë akuzuar deputetin Peza se ka ushtruar presion ndaj z.Haliti (kryetar i degës), në mënyrë që ky i fundit të kërkonte vetë dorëheqjen nga posti.
Debatet kanë nisur brenda në sallë, aty ku edhe kanë degjeneruar në sharje, ndërsa s’kanë munguar as konfrontimet fizike, që kanë vijuar më pas edhe në ambientet e jashtme të Pallatit të Kulturës. Por, deputeti socialist Dashamir Peza, i ka komentuar si emocione normale akuzat, sharjet dhe dhunën fizike të ushtruar mes grupeve rivale në PS.
Anëtarë të Partisë Socialiste kanë kritikuar ashpër mënyrën e organizimit të kërkesës së mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste të rrethit Kavajë, duke e akuzuar drejtpërsëdrejti deputetin e zonës Dashamir Peza si dhe strukturat drejtuese të Partisë Socialiste. Krahas situatës së tensionuar mes palëve, Peza ka deklaruar se procesi ka vijuar normalisht dhe se Haliti në fund të fjalës së tij dha dorëheqjen me dëshirë.
“Kryetari i Partisë Socialiste të rrethit mori fjalën dhe në fund të fjalës së tij dha dorëheqjen. Është krejt normale që pasi personi ka dhënë dorëheqjen, nuk mund të zhvillohet mocion kundër tij. Sa i takon debateve, janë emocione krejt normale dhe nuk shoh asnjë problem. Një grup njerëzish shprehën opinionet e tyre dhe gjithçka është brenda normave dhe rregullave statutore. Nuk ka hatër-mbetje”, tha deputeti socialist, Dash Peza.
Pak muaj më parë, sekretari për Rininë në Partinë Socialiste, Erjon Veliaj shkarkoi në mënyrë arbitrare nga detyra, kryetarin e FRESSH të rrethit Kavajë, Elton Derjaj. Fushata e shkarkimeve të kryetarëve të FRESSH, në emër të rifreskimit, apo e thënë ndryshe dhe thjeshtë, nga përplasja e interesave të celulave rivale, grupe uzurpatorësh që erdhën në PS nga MJAFT-i, vijoi edhe në degë të ndryshme si në Vlorë, Has, Mirditë dhe Elbasani. Shtatori është dhe muaji vendimtar për ekstremistët e Edvinit që të spastrojnë në kohë strukturat e FRESSH nga të zgjedhurit me votën e të rinjve Eurosocialistë.