E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekadenca e kombëtarizmit

Disa ngjarje të javëve të fundit kanë nxjerrë në pah mangësitë e atdhetarizmit shqiptar, të cilat përthyhen pastaj si simptoma të kombëtarizmit primitiv.

Nga një anë, zhvillimet e fundit politike në lidhje me Kosovën nuk mund të mos interpretohen edhe si dështim i diplomacisë shqiptare – të Prishtinës dhe të Tiranës. Më anë tjetër, ministri i Jashtëm Basha, i cili i ka disa dosje të hapura në Prokurorinë e Republikës, për abuzime që mund të kenë ndodhur me financimet e rrugës Rrëshen-Kalimash, është mbrojtur ndaj këtyre akuzave duke përmendur “rëndësinë” e kësaj rruge për kombin shqiptar, por edhe sabotimin që i paskan bërë konceptit të kësaj arterieje qarqet “serbo-greke”. Të njëjtën vepër rrugore, një gazetë e afërt me qeverinë e ka quajtur “kryevepër e shekullit shqiptar, një nga mrekullitë e tokës, historisë e jetës shqiptare në breza”. Tani nuk mbetet veçse që rrugës Rrëshen-Kalimash t’i kushtohet edhe një përmendore, madje që pa u përfunduar.

Muajin që shkoi, gazetari i njohur Mero Baze, këtë farë patriotizmi e quajti “strehë të fundit të horrave”.

Nga ana e vet, i njëjti Mero Baze ka folur shpesh dhe ashpër për aferat e Damir Fazlliçit në Shqipëri, të cilat pas gjase implikojnë drejtpërdrejt qeverinë e tanishme Berisha; mirëpo kur vjen puna për t’i diskutuar këto afera, mediat duket sikur shqetësohen më tepër ngaqë ky zotëria Fazlliç është “serb”, sesa me shkeljen e ligjit dhe korrupsionin, të cilat s’kanë fare të bëjnë me etninë e personit në fjalë. Me një fjalë, për një kategori zëdhënësish të pasionit patriotik, shkeljet në aferën Fazlliç kishin të bënin kryesisht me gjakun që i rrjedh këtij në deje.

Me të njëjtën frymë jepej edhe njoftimi tjetër, pak ditë më pas, se një kompani serbe kishte fituar një tender kompjuterash; ose lajmi për korrupsionin e guvernatorit “serb” të shtetit amerikan të Illinois-it, Blagojeviç, gjithnjë i shoqëruar me një gëzim të hidhur ose Schadenfreude, thuase Perëndimi, pasi të bindej përfundimisht për origjinën etnike të këtij funksionari të lartë, por të korruptuar, do t’ia hiqte vizën përfundimisht Serbisë, duke thënë “paskan pasur të drejtë shqiptarët”!

Deri pardje, askush nuk kujtohej për Skënderbeun, përveç disa të zellshmëve që po mbledhin fonde në Internet për një film blockbuster. Papritur, mjaftuan disa deklarata në shtyp të përkthyesit të një vepre, përndryshe të pabotuar, të një historiani gjerman, për t’u tronditur dynjaja nga themelet: “mos na e prekni heroin!”.

Është për t’i shprehur mirënjohje përkthyesit A. Klosi, që tërthorazi i kujtoi publikut se edhe historia ka nevojë të mirëmbahet, sikurse ndjenja kombëtare dhe dinjiteti, paçka se shumë nga të indinjuarit e kishin më tepër merakun me gjumin nanuritës që ua prishën – kur ua hoqën nga goja çibukun e opiumit.

Erdhi në Shqipëri kryeministri italian Berlusconi, për të negociuar, ndër të tjera, ndërtimin e një impianti të madh turbinash me erë në Karaburun, për të ushqyer me energji Italinë. Natyrisht, marrëveshja e qeverisë shqiptare me palën italiane linte shumë për të dëshiruar; por kundërshtimi i kësaj marrëveshjeje me argumente patriotike, të “shitjes” së Shqipërisë, binte erë.

E mira do të ishte që fermën me turbina të erës qeveria shqiptare ta kishte ndërtuar vetë, për të furnizuar me energji Shqipërinë; por kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet ekonomike shqiptaro-italiane, të cilat zhvillohen në interes të të dy palëve. Tek e fundit, atë energji që do t’i shkojë Italisë nga Karaburuni, Shqipëria do ta blejë prapë në dimër, kur t’i duhet, nëpërmjet kabllos së ndërlidhjes nënujore – meqë edhe era nuk ka kombësi.

Nga ana tjetër, për të kuptuar më mirë se ç’mendon qeveria e tanishme për arritjet e veta kombëtare, le t’i referohemi Arben Imamit, Shef i Kabinetit të Kryeministrit, i cili në një intervistë të kohëve të fundit deklaroi se “pakkush do të mendonte para 18 vjetësh që Shqipëria në 2010-n të jetë kandidate për në BE, të jetë anëtare në NATO dhe një vend që po fillon të normalizohet dhe t’i ngjajë sado pak vendeve të familjes ku ajo bën pjesë.”

E kundërta i përgjigjet realitetit – 18 vjet janë kaq kohë e gjatë, sa i fyejnë aspiratat e të gjithë atyre që ëndërronin për Shqipërinë europiane në fund të viteve 1980, duke përfshirë këtu edhe Arben Imamin vetë.

Shqipëria është e vonuar; krejt shqiptarët janë të vonuar. Jo vetëm kaq: shtetit shqiptar i mungon një plan strategjik perspektiv i zhvillimit kombëtar përtej anëtarësimeve në këtë apo atë organizatë, që nga Konferenca Islamike deri në NATO. Ndaj këtyre mungesave, vonesave dhe dështimeve, ne reagojmë kryesisht duke kompensuar.

Janë shqiptarë ata që duan të ikin në masë nga atdheu, sikurse edhe kanë ikur me qindra mijëra, sepse u ka ardhur në majë të hundës – por Skënderbeun nuk të lënë t’ua prekësh, as ilirët, as pellazgët; sepse po guxove, të quajnë të shitur, të rrëmojnë biografinë dhe biologjinë, të akuzojnë për spiun dhe këlysh të djajve, vampirëve dhe kukudhëve anembanë.

Janë shqiptarë ata që nuk pyesin shumë për mjedisin, madje as për rrugën përbri hyrjes së pallatit kur u mbushet me plehra dhe pellgje bretkosash; por përloten kur lexojnë ndonjë turist që e quan Shqipërinë El Doradon e Europës, vendin e malësorëve kreshnikë e të shqipeve të malit; madje atëherë ndihen gati t’ia falin edhe Kanunit mëkatin që i mban Lulat e Vocërr në kulla ngujimi, ku u shkojnë mësuesit t’u mësojnë abetaren dita-ditës.

Janë shqiptarë ata që ngrenë supet përballë Tiranës gropëthithëse demografike, gjithnjë e më e pabanueshme për shkak të trafikut dhe piramidës së ndërtimeve dhe mungesës së infrastrukturës; por që do të votonin pa iu dredhur dora kundra TEC-eve në bregdet, ose veprave industriale madhore, madje edhe sikur t’u iknin dritat bash ditën e votimit dhe ta shprehnin vullnetin sovran nën zhurmën solemne të gjeneratorëve.

Janë shqiptarë ata që nuk punojnë tokën e tyre dhe po i humbin traditat e mjeshtërive të bujqësisë, të blegtorisë; dhe harrojnë si të rritin shalqirin e si të mjelin delen, e si të prodhojnë djathin e bardhë për ta shitur anembanë botës, njëlloj si grekët e bullgarët; por që mësojnë me zell si të vënë baste për ndeshjet e kombëtares kuqezi dhe ta nxjerrin shqipen me dy krena në sfond të blackberry-t, që t’i frymëzojë sa herë përfshihen në allish-verishin e radhës për të kaluar maunën në doganë, ose drogën në kufi.

Janë shqiptarë ata që i lënë spitalet e tyre t’u kthehen në paradhoma të trishta të vdekjes, por duartrokasin të gjithë kur marrin vesh se, për shkak të një gjeni të fibrozës cistike, mund të jemi me prejardhje nordike... Sikurse i lënë shkollat t’u shemben dhe fëmijët t’u marrin rrugët herë të hallit, herë të vesit e herë të Evropit; dhe trashëgiminë e tyre kulturore t’u harrohet e t’u shkërmoqet para syve; por pastaj shkojnë e theren forumeve të Internetit për Fishtën e për Konicën e për etimologjinë e fjalëve pellazgjishte, si të ishte fjala për pulla poste ose kopacë.

Janë shqiptarë ata që nuk kanë lënë monument arkeologjik e kulturor pa shkatërruar, pa përdhosur me grafiti, ose pa braktisur në mëshirë të fatit që të rrënohet krejt dhe pastaj të ndërtojnë mbi të hotelin ose lavazhin e makinave, pa përmendur ikonat e vyera që kanë shkulur prej ikonostaseve e shitur anembanë botës; por që nuk lejojnë kënd t’ua vërë në dyshim mbretin Genc, pa folur pastaj për Homerin që e paskësh shkruar jo vetëm Iliadën shqip, por edhe një pjesë të madhe të Odisesë.

Janë shqiptarë ata që e pranuan me indiferencë të plotë riorganizimin e Akademisë së Shkencave dhe reduktimin dramatik të buxhetit për kërkime, sidomos në fushat albanologjike, por që nuk u mungon kurrë zelli për t’u përleshur për punë të rishkrimit të historisë nga mëngjesi në mbrëmje; pa folur për veprat madhore të sharlatanëve që po i rrëmbejnë prej rafteve të librarive, thuase profkat me etruskë dhe egjiptianë do të na shelbojnë nga vrima e zezë e së përditshmes.

Janë shqiptarë ata që u hodhën të linçojnë komunistçe në vitet 1970-1980 Ismail Kadarenë, pikërisht kur ky ishte ndoshta shkrimtari më i madh në Ballkan e në Europë; ose Eqrem Çabejn përsëri komunistçe në vitet 1960-1970, kur ky ishte ndoshta albanologu më i madh në botë; ndërsa tani e trajtojnë Ismail Kadarenë si të ishte mumje e kyçur në mauzoleun e veprave të veta, dhe intervistat televizive vrapojnë t’ia botojnë njëkohësisht të gjitha gazetat, si fjalimet e Enver Hoxhës dikur.

Janë shqiptarë ata që nuk pyesin për gjithfarë trafiqesh dhe kontrabandash që bëjnë bashkatdhetarët; madje s’e kanë për turp të admirojnë hajdutët, egërsirat dhe të fortët, rrahësit e grave dhe spekulatorët e basteve, të falin vjedhjen dhe vrasjen sidomos “për burrni”, mashtrimin dhe korrupsionin, madje edhe të përligjin edhe prostitucionin, sidomos kur prostitutat ende u dërgojnë “ndonji lek pleqve”; por që shkrihen ama rregullisht në mbrëmje para televizorit, duke parë emisionin e radhës për virgjineshat e Bjeshkës.

Sa herë ndodhem para kontradiktash të tilla, bindem se atdhetarizmi ynë, i shpallur vend e pa vend, vetëm sa na kompenson e na mbulon si gjethe fiku pafuqinë e qëllimshme, humbjen e kohës, kokëfortësinë, mllefet, zymtësinë, shmangien e përgjegjësive, dështimet e përsëritura në kryerjen e detyrave, projektimin e fajit përtej vetes, mosbesimin ndaj të tjerëve, përfytyrimin e vetes si viktima, paaftësinë për t’u vetanalizuar në mënyrë kritike; sikurse bindem edhe se, në rrethanat e sotme, asgjë nuk do ta përkufizonte më mirë atdhetarizmin shqiptar, sesa gatishmëria për shërbim publik, edhe pse kush i shërben vërtet publikut, rrallëherë e gjen kohën të mburret, t’i bjerë gjoksit e të tundë flamurin kombëtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›