E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dekalaratat e Ramës, Nano-Malaj: I vetmi lider që merret me kolegët socialistë

TIRANË- Ish-kreu i Partisë Socialiste, Fatos Nano, shprehu sot keqardhjen ndaj kërcënimeve, sipas tij, të bëra ndaj socialisteve nga dyshja Rama-Kokëdhima.
"Në periudhën 1991 deri në 1997, kur Partia jonë Socialiste ka qenë në shumicën dërrmuese të kohës në opozitë, asnjë socialist, e përsëris, asnjë, megjithë presionin psikologjik, dhunën fizike, janë sjellë në mënyrën më të qytetëruar, më europiane sesa rrugaçët sot që shajnë dhe kërcënojnë këdo që mendon ndryshe nga Rama-Kokëdhima, qoftë në Facebook, qoftë drejtpërdrejt. Eshtë për të ardhur keq, sinqerisht !!!”, shkruan Nano në “Facebook”.

Ndërkohë edhe kandidati për deputet i pavarur në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, ka reaguar sot ndaj deklaratave të bëra nga kreu i opozitës, Edi Rama, gjatë një interviste telvizive

“Pas prononcimeve të fundit të Edi Ramës në emisionin "Tonight" të gazetares Ilva Tare, ndiej përgjegjësinë e këtij sqarimi publik. Jam shumë i përkushtuar, që së bashku me socialistët e thjeshtë të arrijmë një fitore të thellë me 23 Qershor për të larguar nga pushteti një orë e më parë Sali Berishën. Rama është dhe mbetet i vetmi lider që merret me kolegët dhe socialistët e dedikuar, në një kohë kur duhet të merret me Saliun për të maksimizuar fitoren”, thekson Malaj në faqen e tij në “Facebook”.
"Përkushtimi im politik e publik ndryshon nga ai i Ramës, pasi kam qënë kundër ndryshimeve kushtetuese. Kam qendruar kundër bojkotit parlamentar, që frenon rrugën tonë të integrimit në BE. Kam qenë kundër mospërfaqësimit të të rinjve eurosocialistë në Kuvendin e ardhshëm të vendit”, shkruan Malaj. 

“Pavarësisht gabimeve të përsëritura të Edi Ramës kam besim dhe bindje se ne, socialistët do të arrijmë fitoren e shumëpritur në këtë betejë elektorale dhe largimi i Berishës nga pushteti është i pakthyeshëm”, përfundon kandidati i pavarur për deputet në qarkun Vlorës, Arben Malaj. 
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›