Deklarata: Rapsodia shqiptare të njihet nga UNESCO
Ministria e Kulturës ka bërë të ditur kërkesën e saj ndaj UNESCO-s për njohjen e rapsodisë "vlerës shpirtërore botërore"
Gjirokastër
Pas iso-polifonisë, Shqipëria kërkon që edhe rapsodia të bëhet pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në UNECKO. Konfirmimi vjen prej zëvendësministres së kulturës, Suzana Turku. E pranishme në Gjirokastër, me rastin e zhvillimit të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar, Turku ka deklaruar se shumë shpejt organizatës UNESCO do t'i shkojë kërkesa zyrtare. "Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve shumë shpejt do të paraqesë pranë UNESCO-s kërkesën zyrtare që rapsodia shqiptare të bëhet pjesë e vlerave të mbrojtura prej saj, vlerë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore botërore", - është shprehur zëvendësministrja Turku.
Instrumenti i rrallë
"Unifolk ylber" quhet instrumenti më i rrallë që vjen në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar. Ai është vepër e duarve të një të apasionuari pas veglave muzikore popullore dhe përmbledh 11 instrumente, duke filluar nga lahuta, pipëza me imitime të ndryshme, bylbyli, zanore, çifteli me akord në mes, çifteli me akord në fund, çifteli e temperuar. Preng Nikolli, nga Vau i Dejës, e sjell këtë instrument unik në llojin e vet në konkurrim në natën e tretë të Festivalit, me grupin e Qarkut të Shkodrës. "E kam krijuar këtë instrument enkas për të performuar në skenën e festivalit të madh të folklorit. Shpresoj që do pritet mirë", - shprehet Nikolli.
Nën telat e lahutës, qëndron harta e trojeve ku jetojnë shqiptarë. "Është harta e Shqipërisë etnike. Të gjithë shqiptarët kanë kënduar me lahutë dhe për këtë arsye lahutës nuk mund t'i mungonte kjo hartë", - shprehet me tej instrumentisti Preng Nikolli.
Në natën e tretë të Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar konkurrojnë grupet e qarqeve Kukës e Shkodër, si dhe grupi i shqiptarëve të Maqedonisë. Përshëndesin arbëreshët e Italisë.
Në këtë edicion të nëntë marrin pjesë 1300 artistë nga Shqipëria dhe nga të gjitha trevat dhe komunitetet shqiptare në botë. Festivali zhvillohet edhe në kuadrin e 29 shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, me qëllim sensibilizimin e strukturave shtetërore dhe shoqërore për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.