Deklarata e PD: “Rama s’do ia arrijë të gënjejë shqiptarët për qëndrimin primitiv kundër statusit”
Partia Demokratike do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramendëse, për gjobat 20 për qindëshe për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës, si dhe vjedhjet e tjera të enturazhit të tij
Partia Demokratike, në një deklaratë për shtyp deklaroi dje se, “kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, njeriu që në krye të neobllokmenëve, në një akt antishqiptar dhe antikombëtar, bllokoi në Parlament votimin e 3 ligjeve për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar të Bashkimit Europian për Shqipërinë, detyrohet që edhe natën e Krishtlindjeve të vazhdojë përmes lakenjve të tij fushatën e ulët të shpifjeve, të denja për amoralitetin e tij kundër familjarëve të Kryeministrit”.
Zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi, tha se me këtë fushatë shpifjesh dhe trillimesh Edi Rama beson se do të mund të maskojë përpara shqiptarëve qëndrimin e tij primitiv e hakmarrës në emër të etërve të tij të bllokimit të votimit të 3 ligjeve në Parlament, të kërkuara nga Komisioni Evropian, Këshilli i Ministrave i BE-së, Parlamenti Evropian, por edhe nga miqtë tanë në Uashington për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Ajo deklaroi se
“Njeriu që nga frika dhe tmerri fsheh pasuritë e që prej 5 muajsh fle tek Dash Peza dhe 7 muaj tek halla apo te tezja, se deklarohet i pastrehë pasi ka ndërtuar qyteza me mbi 54 pallate, akuzon familjarët e Kryeministrit për të ardhurat e tyre, të deklaruara në çdo qindarkë të tyre në institucionet e vendit”.
Sipas saj, Edi Rama, në betejën qesharake të maskimit të vendimit të tij antikombëtar dhe antishqiptar të bllokimit të statusit të vendit kandidat për llogari të atyre që nuk duan kurrë integrimin e Shqipërisë në Europë, ka angazhuar me shtrëngim zëdhënës të akuzuar për trafiqe droge, prostitucioni dhe larje parash të pista, të cilët i fshihen si minj organeve të drejtësisë që i kanë nën gjykim për shpifje dhe vepra të tjera penale. “Partia Demokratike garanton zotin Rama se ai mund të gënjejë vetveten, se ka fshehur pasuritë e qytezave të ndërtuara me Fidelët e tij, apo se është i pastrehë, por kurrë nuk do të mund të gënjejë shqiptarët për bllokimin që po i bën statusit të vendit kandidat për Shqipërinë”- tha zëdhënësja e PD.
Ajo garantoi se Partia Demokratike do të hedhë dritë mbi të gjitha shumat marramendëse, për gjobat 20 për qindëshe për të cilat është akuzuar haptas nga ndërtues dhe biznesmenë të Tiranës, si dhe vjedhjet e tjera të anturazhit të tij.