“Të kthejmë në atdhe kokën e Ali Pashës dhe eshtrat e Sami e Mit’hat Frashërit”
Kryeministri kërkon zgjatjen me 3 muaj të Komitetit Ndërministror të 100 vjetorit
Kryeministri Berisha parashtroi disa projekte për të cilat është rënë dakord nga ky komitet se do të realizohen, siç është ndërtimi i Muzeut të Spaçit, Obelisku i martirëve të fjalës së lirë dhe besimit tek Zoti, memorizimi i Lëvizjes studentore, të dhjetorit ’90, rikthimi i eshtrave të Sami Frashërit dhe të Mithat Frashërit në Shqipëri, rikthimi i kokës së Ali Pashë Tepelenës, etj
Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje rikthimin në atdhe të eshtrave të Sami Frashërit, Mit’hat Frashërit dhe bashkëshortes së Ismail Qemalit, si dhe kokën e Ali Pashë Tepelenës.
Gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërshtetëror të Kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë kryeministri Berisha, duke propozuar shtyrjen e afatit të punës së këtij Komiteti me tre muaj të tjerë, tha se duhet t’i jepet përgjigje disa problemeve. Mes tyre kreu i qeverisë veçoi ngritjen e Muzeut të Spaçit; obeliskun e martirëve të fjalës së lirë, si dhe kthimin në Atdhe të eshtrave të Sami Frashërit, Mit’hat Frashërit, bashkëshortes së Ismail Qemalit dhe kokës së Ali Pashë Tepelenës. “Mendoj se duhet të bëjmë një përpjekje shumë të madhe për rikthimin e eshtrave të Sami Frashërit në Shqipëri. Sami Frashëri ishte një gjeni i doktrinës së shqiptarësisë si doktrinë perëndimore. Libri i tij është dokumenti themelor i të sotmes dhe të ardhmes shqiptare. Pas shkrimit të këtij libri, politikanë shqiptarë kanë ndarë mendime të ndryshme për Shqipërinë, shqiptarët dhe për të ardhmen. Por kjo ka qenë çështje e tyre. Sami Frashëri ka përcaktuar me gjenialitet rrugën më të mirë të mëvetësisë, të zhvillimit ,të orientimit perëndimor të kombit shqiptar. Problemi është pak i komplikuar se ka familjarë dhe prej tyre mjaft të suksesshëm në fushat ku ata punojnë dhe së dyti është personalitet shumë i rëndësishëm edhe për vendin mik, për Turqinë, pasi ka dy vepra themelore të një rëndësie shumë të veçantë për gjuhën e tyre dhe sidoqoftë duhet të bëjmë përpjekjet më serioze për rikthimin e tij në Shqipëri. Duhet të bëjmë gjithçka të bindim familjarët, se ai vërtet aty është krenaria më e madhe për familjarët, por ai është gjithashtu krenari për një komb. Mund tu duket pak si e veçantë dhe është e tillë, por duhet të bëjmë çdo gjë që të kthejmë nga Stambolli kokën e Ali Pashë Tepelenës. Është një nga figurat dhe personalitet me karakter dhe peshë më të veçantë. Në qoftë se marrim historinë tonë pas vdekjes së Skënderbeut, historia jonë u transferua në tërësinë e saj në banesën e harresës si komb. Ali Pasha me të gjithë veprimtarinë e tij u dëshmoi botës se shqiptarët nuk kanë vdekur, se janë një komb i pamposhtur. Jo rastësisht më i fuqishmi i asaj kohe dhe asaj bote, Napolon Bonaparti do të tregonte interes shumë të madh për Pashain e Janinës, që në fakt filluan edhe ta shpallin si Bonaparti i Ballkanit. Pra me të gjithë përpjekjet e tij luftërat, ky strateg i madh i tha botës se ky komb është i pamposhtur. E vërteta është që gjithçka bëri përpiqej që në mënyrë apo në një tjetër që ta shkëpuste kombin shqiptar nga Porta e Lartë. Dhe kaq e vërtetë është sa që sulltani kërkoi pasi çoi në ushtri shumë të madhe dhe pas 18 muaj betejash ne kushtet më të pabarabarta, ai kërkoi që t’ja çonin kokën në tepsi, në Stamboll. Dhe kjo ndodhi, nuk është një legjendë, është e vërtetë. E bëri që të sigurohej se ishte vrarë, e bëri për qëllime krejt të tjera, por ne kokën e tij do ta kthejmë në Shqipëri. A do të varroset në Tepelene apo në Muzeun Kombëtar , kjo do të jetë çështje diskutimi”, u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se gjithashtu se duhet të rikthehen edhe eshtrat e bashkëshortes së Ismail Qemalit në mënyrë që eshtrat e saj të prehen pranë bashkëshortit. “Ne duhet të marrim të gjitha masat që edhe bashkëshortja e Ismail Qemalit të prehet së bashku me bashkëshortin e saj. Ajo, nëna e dhjetë fëmijëve duhet bërë çdo gjë që të kthehet nga varrezat në Spanjë ku e degdisi fati dhe të ndajë jetën e ashpër me bashkëshortin që e deshi aq shumë dhe që ju përkushtua aq shumë. Duhen parë të gjitha problemet si duhet të zgjidhen, po bëhet studimi dhe ajo duhet të sillet aty”, tha ai.
“100 vjetori përcolli mesazhin e bashkimit dhe harmonisë”
“Kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë përcolli mesazhin më të fuqishëm të paqes, bashkëpunimit, harmonisë, bashkimit dhe integrimit”.
Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror të 100 vjetorit të Pavarësisë, duke vlerësuar festimet e jubileut të pavarësisë, një përvjetor që siç u shpreh ai, u kremtua me dinjitet të madh në të gjitha trojet ku jetojnë shqiptarët.
“Ajo çka mund të themi është kjo: Ky 100 vjetor u kremtua me dinjitet të madh në Shqipëri dhe të gjitha trojet etnike, por e vërteta është në mbarë botën, aty ku kishte shqiptarë. Ky 100 vjetor u shoqërua nga qindra dhe mijëra aktivitete të organizuara anë Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë për të nderuar shekullin e pavarësisë së Shqipërisë. Ky 100 vjetor u shoqërua nga botimi i monografive, traktateve, librave historike për Shqipërinë dhe shqiptarët të 100 viteve të fundit, ndër më të shkëlqyerat. Bënë të mundur që shqiptarët të kenë sipas dëshirës së tyre, bibliotekën e tyre historike të 100 viteve të fundit. Ky 100 vjetor u shoqërua nga mbajtja, paraqitja, botimi i dhjetëra dhe qindra kumtesave dhe studimeve të të vërtetave të 100 vjeçarit të fundit të Shqipërisë dhe shqiptareve. 100 vjetori ishte një rast për të paraqitur përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtetin e tyre, për liri dhe dinjitet kudo që ata ndodhen. 100 vjetori u dekorua nga rikthimi në tokën e Arbrit pas 500 vitesh të armëve të princit të përjetshëm të shqiptarëve, Skënderbeut, të ‘Mesharit’ të Gjon Buzukut që është edhe në një farë mënyrë dokumenti më serioz i gjuhës shqipe”, tha ai.
Ky 100 vjetor, theksoi kryeministri, ishte një rast për të paraqitur përpjekjet titanike të shqiptarëve në shtetin e tyre për liri dhe dinjitet kudo ku ata ndodhen.
Sipas kryeministrit, jubileu i madh i pavarësisë së shqiptarëve ndezi dhe një debat të madh e të paprecedentë, të shëndoshë e pozitiv për të vërtetat shqiptare të 100 viteve të fundit. Por, sipas Berishës, aspekti më madhështor e spektakolar i këtij jubileu ishte ai i qytetarëve shqiptarë. “E vërteta është se 28 nëntori do të mbetet në histori jo vetëm si data e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por dhe si data e lëvizjes kombëtare mbarëpopullore më të fuqishme në historinë e këtij kombi”, theksoi kryeministri. “Tirana dhe Vlora, por dhe mbarë Shqipëria nuk kanë përjetuar kurrë më parë një lëvizje kaq masive, sa u përjetua më 28 Nëntor dhe këtë lëvizje nuk e organizuam ne, apo qeveria shqiptare, as qeveria e Kosovës apo forcat politike të Maqedonisë dhe Malit të Zi, por organizatorët frymëzues të saj ishin qytetarët të cilët vërshuan nga të katër anët”, nënvizoi Berisha.
Muzeu i kampit të Spaçit
“Duhet detyrimisht të ndërtohet, në homazh të pjesës më të dhimbshme të historisë sonë, të shtypjes çnjerëzorë, të barbarisë së luftës së klasave, qe përjetuan shqiptarët në atë burg, si njëri prej kampeve më të egra të Shqipërisë dhe Evropës. Këtu, zoti Bumçi do të krijohet një komision me të përndjekurit politikë, disa prej tyre kanë kaluar jetën e tyre në këtë kamp të tmerrshëm përqendrimi. Le të japin edhe ata idetë e tyre, të punohet në mënyrë që projekti të jetë mbi bazën e ideve dhe mendimeve te tyre”.
Obelisku i të përndjekurve politikë
Obelisku i martirëve të fjalës së lirë, së besimit tek Zoti, që janë me mijëra e mijëra në Tiranë. Kemi detyra të tjera për të zgjidhur. Duhet ti shqyrtojmë me përgjegjësi, veçanërisht lidhur me Obeliskun në Tiranë. Unë po e quaj Obelisk, por duhet të kenë një fjalë kryesore vetë të përndjekurit, ku prej tyre sot ka artistë, shkrimtarë, arkitektë, publicistë të shquar, të cilat mund të japin mendime të vyera dhe së bashku me Bashkinë e Tiranës, e cila ka një angazhim, duhet të ecin së bashku.
Lëvizja Studentore e dhjetorit ‘90
“Lëvizja studentore e dhjetorit’ 90 duhet të ketë hapësirën e vet. Kjo lëvizje ka për mendimin tim, dy kontribute madhore për kombin, së pari betejën mbi një diktaturë dhe përmbysjen e saj dhe së dyti do të thosha po kaq të rëndësishme, është lëvizje në tërësi rinore, pra me një energji të fuqishme të brendshme, por lëvizje që bëri gjithçka për të shmangur konfliktualitetin. Bëmë shumë mirë që shtatoren e prijësit të kësaj lëvizje e vendosëm në djepin e saj, por një shqyrtim, në zgjerim të nderimit të saj, a duhet bërë në atë shesh, a duhet bërë në Muzeun Kombëtar, këtë jua lëmë historianë, specialistëve”.