80 milionë dollarë – një buxhet historik për Tiranën
Këshilli bashkiak i kryeqytetit, miraton Buxhetin e ri të kryeqytetit, i cili parasheh një sërë investimesh të rëndësishme në infrastrukturë dhe mjedise publike. Ulen me 30 për qind taksat për luleshitësit dhe librashitësit, hiqen taksat për 30 biznese, ndërkohë që ulet edhe më tej barra fiskale për biznesin e vogël. Brenda vitit 2013 zgjidhet përfundimisht problemi i ngrohjes për 92 për qind të shkollave të Tiranës.
Miratohet edhe Plani Urbanistik, megjithë refuzimin e këshilltarëve të opozitës
Lulzim Basha: “Plani Urbanistik do të jetë Kushtetuta e qytetit”
Nga mbrëmja e kaluar, Tirana ka Planin e saj Urbanistik. Plani Urbanistik i kryeqytetit u miratua në orët e vona të mbrëmjes së kaluar nga Këshilli i Bashkiak i kryeqytetit. Plani Urbanistik u votua me 28 vota pro, 11 kundër dhe 1 abstenim.
Më herët, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak, ka qenë Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i cili mbrojti projektin për Planin Urbanistik. “T’i japim qytetit një plan realiteti, Plani Urbanistik do të jetë Kushtetuta e qytetit”, u shpreh midis të tjerave Basha.
Më tej Basha bëri të ditur se plani urbanistik për Tiranën parashikon 3 metër katror hapësirë të gjelbër për person, nuk do të prekë asnjë centimetër të digës së liqenit artificial, as hapësirën e klubit “Dinamo”.
Sipas Planit Urbanistik, nuk do të derdhen ujërat e zeza më në Lanë, pasi në Paskuqan do të ndërtohet impianti i pastrimit të ujërave të zeza, vijoi më tej kryebashkiaku Basha. Po kështu ai cilësoi si shkatërruese mbikalimet për qytetarët në Tiranë dhe tha se plani ka propozim të ri rreth kësaj pike.
Basha: 80 milion dollarë investime në kryeqytet për vitin 2013
"Ulen me 30 për qind taksat për luleshitësit dhe librashitësit, hiqen taksat për 30 biznese, fond të veçantë për të rinjtë në biznes"
Miratohet buxheti i 2013 i Bashkisë së Tiranës në vlerën 80 milion dollarë. Këshilli Bashkiak ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës, buxhetin për vitin 2013 i cili mbështetet në tre shtylla kryesore, zhvillimin ekonomik, punësimin dhe cilësinë e jetës. Për herë të parë, Bashkia e Tiranës ka vendosur afate të qarta, se kur nis dhe kur mbaron një investim, duke i prerë rrugën punëve që nisin dhe s’mbarojnë kurrë.
Hartimi i këtij buxheti i cili merr në konsideratë prioritetet e 11 njësive bashkiake, pa dallim përkatësie politike të drejtuesve të tyre por duke u nisur nga interesi qytetar, kërkesat e qytetarëve të cilët kanë rritur besimin tek vendosmëria e Bashkisë së Tiranës, për të dëgjuar zërin e tyre por edhe konsultimet me ekspertë të fushave të ndryshme dëshmojnë transparencën në hartimin e tij dhe adresimin e saktë të problematikës në këtë buxhet.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri të ditur se rreth 8 për qind e investimeve publike kanë ndryshuar pas konsultimeve me qytetarët. “Ky buxhet, sikundër buxheti i vitit të kaluar mbështetet në tre shtylla kryesore. Këto tre shtylla janë zhvillimi ekonomik dhe punësimi në qytetin Tiranës, cilësia e jetës në çdo cep të qytetit të Tiranës me theks të veçantë në lagjet ku jetojnë qytetarët dhe zhvillimi i perspektivës së Tiranës moderne evropiane, duke nxitur projektet strategjike, projektet të cilat e transferojnë këtë qytet në një qytet që t’i përgjigjet denjësisht sfidave të shekullit 21-të, i përgjigjet denjësisht sfidave të kryeqytetit, të një vendi në të ardhmen e shpejtë, anëtare të Bashkimit Evropian. Këto tre sfida, këto tre objektiva të vizionit tonë për qytetin e Tiranës, për qytetarët e Tiranës harmonizohen në këtë buxhet. Ajo që unë kam premtuar dhe i mbetem besnik është padyshim transparenca, konsultimi, gjithë përfshirja. Transparenca fillon me përkushtimin për t’i dhënë Tiranës buxhet, sepse nuk duhet të harrojmë Tirana për një kohë të gjatë ka vuajtur nga mungesa e qëllimit të buxhetit vjetor. Për t’i dhënë akoma më shumë këtë vit një kuadër afatmesëm, tre vjeçar, në mënyrë që planifikimi të jetë edhe më i kujdesshëm, edhe më i monitorueshëm, edhe më transparent, për ta bërë këtë me gjithë përfshirje. Ashtu si një vit më parë, edhe sivjet konceptimi nis tek të 11 kryetarët e minibashkive, të cilët përfaqësojnë tre forcat kryesore në këtë salle”, deklaroi Kryebashkiaku Basha.
Kryetari i Bashkisë ka bërë të ditur se në total, shuma e investuar deri në fund të këtij mandati parashikohet të jetë 310 milionë dollarë. Vetëm për vitin 2013, buxheti për qytetin e Tiranës është 80 milionë dollarë. Ky buxhet prej 80 milionë dollarësh, për herë të parë përfshin një fond të veçantë, për të nxitur hapjen e bizneseve të reja nga të rinj nën moshën 35 vjeçare.
Me këtë propozim të Kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha synohet rritja e mirëqenies dhe punësimi i të rinjve të kryeqytetit. “Fondi i garancive për biznesin është një risi absolute në Shqipëri e në rajon. Kurrë më parë dhe veçanërisht këshilltarët e majtë këtu, të kishin treguar sensibilitet ndaj tyre, përveç grupit të LSI që janë të majtë dhe treguan sensibilitet, madje janë bashkëpropozues të kësaj iniciative, bashkë me grupin e PD. Është një vegël me të vërtetë ndërhyrëse, në kuptimin pozitiv të fjalës, në politikat e tregut. Ne besojmë te rinia e kryeqytetit, ju sipas kritereve profesionale, ja ku i keni garancitë, vlerësoni projektet, kreditoni rininë e kryeqytetit! Ky është një hap i jashtëzakonshëm për një organ të pushtetit vendor, për një organ publik si Bashkia e Tiranës”, theksoi Basha.
Kreu i Bashkisë Lulzim Basha ka bërë të ditur se tek buxheti i Bashkisë nuk përfshihen investimet strategjike, sikundër një ndihmë në realizimin e disa projekteve do të japë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Sipas tij, “ndërtimi i bulevardit të ri apo zgjerimit nga Stacioni i Trenit deri tek lumi i Tiranës dhe terminali multimodal, të treja kryhen me financime të huaja. Dy prej tyre koncesione dhe grant dhe tjetri shpresojmë së shpejti një marrëdhënie huaje me interesa të përshtatshme dhe me interesa afat gjatë”.
Ndër të tjera, Kryebashkiaku Basha vuri në dukje se, “brenda 2012 janë hapur 6880 vende pune dhe jam i bindur se me këto masa do të arrijmë së paku po aq vende pune dhe duhet të ndjehemi krenarë për të në një kohë kur rreth e qark nesh shemben ekonomi të konsoliduara. E rëndësishme është që ky zhvillim të shtrihet kudo ku ka qytetarë të Tiranës dhe këtë bëjmë dhe sot që flasim, buxheti i vitit 2012 ka hapur 32 rrugë, 8 çerdhe janë në rikonstruksion, 5 shkolla, secila prej tyre pa asnjë projekt fillestar në Bashkinë e Tiranës. Nëse e kundërta është e vërtetë ju ftoj z. Dalipi të na tregoni se ku janë projektet, ndoshta kanë mbetur në ndonjë bodrum, apo sirtar pa u hapur. Se do të ishte mirë të mos i shpenzojmë 2 herë paratë e qytetarëve të Tiranës. Është kohë normale nuk mund të përfundojë një projekt as për tre muaj, as për katër muaj. Koha minimale e një projekti për ta përfunduar është afro 9 muaj, disa prej tyre janë edhe më gjatë 12 muaj, 16 muaj. Të gjitha janë transparente dhe të gjitha i kemi në faqen e internetit të Bashkisë së Tiranës”, u shpreh Basha.
Investimet në shërbimet publike parashikojnë:
Rehabilitimin e rikonstruksion të 73.2 km rrugë, nëpër blloqe banimi;
Ndërtimin dhe përmirësimin e rreth 128,250 m2 sipërfaqe të gjelbra dhe ambiente çlodhëse;
Ndërtimin e 10 këndeve të reja sportive;
Krijimin e rreth 10,000 m2 hapësira për parking automjetesh;
Ndërtimin i kolektorit të ujrave të zeza me gjatësi 3.5 km;
Mbjelljen e rreth 24 640 pemëve në lulishte dhe përgjatë rrugëve të reja;
Ndërtimin e rreth 65 km rrjete inxhinierike (kanalizime të ujërave të bardha e të zeza);
Sigurimin e një ndriçimi sipas standarteve bashkëkohore, për rreth 300 ha blloqe banimi;
Shtimin e sipërfaqeve të varrezave publike me 2 ha
Në programin e menaxhimit të rrugëve, ndërhyrjet konsistojnë në:
Rehabilitimin e 96 km (479,025 m2) të rrjetit rrugor urban kryesor, dytësor dhe tretësor;
Rikonstruksionin e 69 km (345,315m2) të rrjetit rrugor urban dytësor dhe tretësor
Ndërtimin dhe përmirësimin e rreth 162 km (323,470 m2) trotuare, në të gjithë rrjetin rrugor;
Sistemim - asfaltime të 79,000 m2 të rrjetit rrugor;
Ndërtimi i rreth 69 km rrjete inxhinierike në rrugët e reja (nëse në programin e mëparshëm bëhej fjalë për ndërtimin e kanalizimeve në rrugë ekzistuese);
Ndërtimi i rrjetit të ndriçimit rrugor sipas standarteve bashkëkohore, për rreth 100 km rrugë
Programi i tretë buxhetor është arsimi parauniversitar dhe edukimi, ku do të ndërhyhet në në 32 objekte arsimore:
Ndёrtimi i 3 çerdheve tё reja;
Rikonstruksioni i 5 çerdheve ekzistuese;
Rikonstruksioni i 4 kopshteve;
Ndёrtimi i 5 kopshteve të rinj;
Rikonstruksioni i 14 shkollave 9- vjeçare;
Ndёrtimi i 3 shkollave tё reja 9- vjeçare;
Rikonstruksioni i 2 shkollave të mesme;
Ndёrtimi i 2 shkollave të mesme tё reja;
Rikonstruksion i shkollës speciale për fëmijët me aftësi të kufizuara;
Ndёrtimi i 4 palestrave tё reja dhe rikonstruksioni 2420 m 2, palestra ekzistuese;
Shtimi i 34 laboratorёve tё rinj në sistemin shkollor të Tiranës;
Përmirësimi i ambienteve ndihmëse dhe rekreative në të gjitha objektet arsimore nëpërmjet ndërhyrjes në:
Sistemimi, rikonstruksioni apo riformulimi si dhe gjelbërimi i 52,347 m2, sipёrfaqe oborri tё shkollave të mesme dhe 9- vjeçare dhe 5,900 m2 sipёrfaqe tё territoreve tё kopshteve;
Instalimi i sistemit të ngrohjes në 11 objekte që do të rikonstruktohen dhe në 11 objekte të reja që do të ndërtohen, pra 22 objekte pajisen me sistem ngrohje;
Vënien në funksionim të plotë dhe efiçencë të sistemit të ngrohjes, në 92% të objekteve arsimore në Tiranë.