E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përurohet në kryeqytet shtatorja e Mbretit Ahmet Zog

25-12-2012 / Gazeta 55

Berisha: Me emrin e tij lidhen zgjedhjet e para pluraliste dhe konsolidimi i institucioneve

Kryeministri Sali Berisha vlerësoi figurën e Mbretit Zog dhe meritat që ai pati për zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, konsolidimin e institucioneve të pavarura, njohjen e Shtetit shqiptar në mbarë botën dhe ndërtimin e rrugëve e shkollave. Kreu i qeverisë tha se Mbreti Zog qëndroi i palëkundur në anën e kombit, duke mbështetur Ismail Qemalin, në një kohë kur përgatitej shuarja nga harta e Evropës e shqiptarëve, sikurse qëndroi i palëkundur si antifashist i vendosur

Është përuruar dje shtatorja e Mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogu, në fund të bulevardit “Zogu I”, pranë Stacionit të Trenit në Tiranë, e realizuar nga skulptori Kreshnik Xhiku. Në ceremoninë e përurimit merrnin pjesë kryeministri Slai Berisha, Princi Leka i II, kryetari i bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve Aldo Bumçi, ministra dhe të ftuar të tjerë, figura të njohura të politikës shqiptare.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë vlerësoi figurën e Mbretit Zog dhe meritat që ai pati për zhvillimin e zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, konsolidimin e institucioneve të pavarura, njohjen e Shtetit shqiptar në mbarë botën dhe ndërtimin e rrugëve e shkollave. “Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura konsolidimi i institucioneve të shtetit shqiptar, njohja e Shqipërisë si shtet i pavarur në mbarë botën. Me emrin e tij janë të lidhura ndërtimi i mijëra e mijëra kilometrave rrugë e ura, qindra e qindra shkollave, qendrave shëndetësore, spitaleve në mbarë vendin”, u shpreh Berisha.
Kryeministri vlerësoi se Mbreti Zog qëndroi i palëkundur në anën e kombit, duke mbështetur Ismail Qemalin, në një kohë kur përgatitej shuarja nga harta e Evropës e shqiptarëve.
“Sot mbarë kombi nderon Mbretin Zog, Mbretin e parë pas shekujsh të shqiptarëve, nderon me këtë shtatore djaloshin zemër zjarr, i cili në moshën 17 vjeçare do të vërsulej si luan nga malet e Matit drejt Vlorës së flamurit, për të mbrojtur pavarësinë e sapo shpallur, për të mbështetur themeluesin e shtetit dhe pavarësisë së vendit, Ismail Qemal Vlorën. Ne nderojmë sot njërin nga bijtë, njërin nga personalitetet më të rralla, më të shquara të të gjithë historisë sonë kombëtare të të gjitha kohërave. Ahmet Zogu, në vitet më të hershme të rinisë së tij e deri sa mbylli sytë, qëndroi i palëkundur në anën e kombit shqiptar, vendit të tij të dashur, miqve të tij të mëdhenj. Pas shpalljes së pavarësisë ky pasardhës i njërës prej familjeve më të shquara shqiptare, në vitet më të vështira të vendit, do të qëndronte i palëkundur në konsolidimin e pavarësisë, në mbështetje të Ismail Qemalit, në mbështetje të Princ Vidit, në mbështetje të ndërtimit të shtetit të shqiptarëve. Në një kohë kur në Versajë dhe tryeza të tjera diplomatike po përgatitej copëtimi dhe shuarja përfundimtare e shqiptarëve nga harta politike e Evropës, Ahmet Zogu së bashku me një grup burrash të shquar të kombit do të organizonin Kongresin e Lushnjës, do të themelonin qeverinë, e cila u tha jo të gjitha traktateve copëtuese mbi Shqipërinë. Sot ne vendosim këtu në këtë bulevard shtatoren e këtij burri që bëri më shumë se kushdo tjetër për t’i dhënë kombit Tiranën si kryeqytet. Me emrin e tij janë të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme zgjedhjet e para pluralistë në Shqipëri. Me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura përpjekjet titanike të shqiptarëve për shtet ligjor, rend dhe siguri. Kryeministri Ahmet Zogu u gjend para një akti terrorist të vërtetë në sallën e Parlamentit, por ai me atdhetarinë e tij, me mençurinë e tij bëri gjithçka që e keqja e këtij akti të mos reflektohej mbi shtetin e ri, në konsolidim e sipër, mbi vendin që kishte vuajtje të mëdha. Një grusht aventurierësh organizuan kundër tij grushtin e shtetit. Ai u rikthye, u zgjodh President i këtij vendi dhe më vonë Mbret i shqiptarëve. Në histori nuk gjenden dhe nuk ka kurrë figura që të kenë dalë jashtë teorisë së gabimeve, por ata që i thonë Shqipërisë – Shqipëri i detyrojnë këtij burri të madh shtetin që iu mungonte që nga koha e Skënderbeut, shtetin që bëri gjithçka për të zhvilluar vokacionin perëndimor të kombit shqiptar, shtetin që bëri gjithçka për të zhvilluar një prej vendeve, asokohe, më të prapambetura të planetit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Ai vlerësoi figurën e Mbretit në qëndresën e tij antifashiste, ku pas pushtimit të Shqipërisë, vendosi të vazhdojë luftën në mërgim. Berisha tha se Ahmet Zogu jetoi dhe vdiq si një prej antifashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe të Evropës.
“Mbretëria shqiptare do të ishte viktima e parë në Evropë e agresionit nazifashist. Shqiptarët u pushtuan pa u regjistruar askund nga kancelaritë e mëdha të asaj kohe, fuqitë evropiane dhe botërore për faktin e vetëm se ato vetë në tërësinë e tyre, me ndonjë përjashtim, ishin fuqi koloniale. Pasi nuk pranoi të kapitullonte dhe vendosi të vazhdojë luftën në mërgim, ai do të ishte një nga të parët në Evropë që do t’u shpallte luftë pushtuesve të Shqipërisë. Ahmet Zogu jetoi dhe vdiq si një prej antifashistëve më të vendosur të Shqipërisë dhe të Evropës. Në vitet e Mbretërisë së tij vendoi njohu një zhvillim të paprecedent. Dhe unë këtu ftoj shqiptarët të ndalen në një moment, momentin e pushtimit të Shqipërisë në ’39, momentin e shembjes së perdes së hekurt në ’90. Rikujtoni eksodin e vitit ’90, largimin masiv të shqiptarëve nga trojet e tyre më shumë se nga çdo luftë, çdo mynxyrë, çdo epidemi. Dhe kjo për faktin e vetëm se diktatori gjakësor i kishte shndërruar shqiptarët në qenie shtetërore dhe jo shoqërore. Ndërsa Mbretëria respektonte në mënyrë të palëkundur liritë dhe të drejtat themelore, pronën, besimin, lëvizjen, fjalën, me një kushtetutë tipike të mbretërive konstitucionaliste evropiane”, tha ai.
Në 100 vjetorin e themelimit të shtetit, nderimi që i bëhet figurave historike është në respektim të idealit fisnik të bashkimit kombëtar dhe përpjekjeve të mëdha të shqiptarëve, për ta vendosur Shqipërinë në gjirin e familjes së madhe evropiane. “Ne nderojmë sot këtë burrë të madh në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë Shqipërisë. Atë e nderojnë sot shqiptarët nga të gjitha trojet e tyre etnike, shqiptarët nga diaspora dhe kudo që ndodhen, por e nderojnë sot shqiptarët më të bashkuar se kurrë në historinë e tyre në idealin fisnik të bashkimit kombëtar, e nderojnë sot më të bashkuar se kurrë me njëri-tjetrin në përpjekjen e tyre të madhe evropiane për të vendosur Shqipërinë dhe trojet shqiptare në gjirin e familjes së qytetëruar evropiane, aty ku e projektoi Sami Frashëri dhe rilindasit e mëdhenj shqiptarë”, theksoi kryeministri.
Në vlerësimin e shefit të ekzekutivit, me emrin e Ahmet Zogut janë të lidhura respektimi i madh i lirisë së besimeve fetare, janë të lidhura respektimi i madh i pronës, i lëvizjes së lirë, vazhdimit të lirë.
Nga ana e tij princi Leka II-të ka falenderuar për nderimin që i bëhet mbretit, duke vendosur shtatoren e tij në Tiranë. Ai tha se kjo shtatore është tregues i kujdesit të qeverisë shqiptare për figurat e historisë së vendit.
Vendosja e shtatores së Mbretit Zog përkon me 88-vjetorin e triumfit të Legalitetit.
Më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu riktheu legjitimitetin e fituar në zgjedhjet e dhjetorit 1923, njëherësh rrëzimi i qeverisë së Nolit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›