Deklarata e Presidencës, Tusha: Presidentit nuk iu mohua fjala

Kryetari i Bashkisë së Lezhës Viktor Tusha ka reaguar menjëherë pas njoftimit të presidencës se kreut të shtetit Bamir Topi i është mohuar fjala në ceremoninë organizuar në këtë qytet për 568 vjetorin e Kuvend të Lezhës.
Duke mohuar deklaratën e presidencës, kryebashkiaku Tusha theksoi se protokolli është bërë nga bashkia e Lezhës dhe jo nga qeveria dhe në të ka qënë e përfshirë edhe fjala e presidentit Topi.
"Presidenti i Republikës duhet të kishte kurojon që t`i bashkohet Lidhjes së Lezhës pasi 568 vjet me parë Skenderbeu bashkoi princat në luftë kundër pushtuesve osman” ka theksuar Tusha.
Më herët presidenca e arsyetoi mospjesëmarrjen e kreut të shtetit Bamir Topi në ceremonitë festive me rastin e 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës se presidentit i ishte mohuar e drejta e fjalës.
“Duke e konsideruar këtë akt përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni” theksoi më herët presidenca.