Besëlidhja e Lezhës, Topit i mohohet fjala, Bashkia e Lezhës nuk e pranon

Ceremonia në Lezhë
Presidenca ka sqaruar sot arsyen e mungesës së kreut të shtetit në ceremoninë zyrtare të përkujtimit të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Përmes një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Informimit Publik e Institucionit të Presidentit sqaron se Presidenti Topi ka marrë ftesën zyrtare nga Bashkia Lezhë për të marrë pjesë në ceremonitë zyrtare në përkujtim të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës.
Presidenti i ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe fjalën përshëndetëse Drejtorisë së Protokollit të Shtetit, e cila gjithashtu është shprehur dakord me këtë praktikë. Por, në prag të ceremonisë, pikërisht ditën e sotme Kabineti i Presidentit të Republikës ka marrë një njoftim të dytë nga Protokolli i Shtetit, sipas të cilit Presidentit i mohohet e drejta e fjalës dhe e përshëndetjes në këtë ceremoni.
Presidenca e cilëson këtë akt si përjashtues, si sjellje të padenjë zyrtare, si shkelje flagrante e normave të Protokollit të Shtetit, si mungesë respekti për institucionet e shtetit, për qytetarët e Lezhës si dhe për ngjarjen historike të cilën përkujtojmë sot, Presidenti nuk mund të bëhej pjesë formale e prezencës në këtë ceremoni.
Në këto rrethana, Presidenti e gjykon të nevojshme që në përvjetorin e 568-të të Kuvendit të Lezhës dhe të nisjes së festimeve zyrtare për 100-vjetorin e shtetit shqiptar, të komunikojë me qytetarët e Lezhës dhe të gjithë Shqipërisë me mesazhin, të cilin në rrethana normale të një vendi demokratik, do të duhej të lexohej në ceremoninë solemne në Lezhë, thuhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
Pas sqarimit të Presidentit Bamir Topi lidhur me mungesën në 568-vjetorin e Kuvendit të Lezhës, ka reaguar kryetari i Bashkisë Lezhë Viktor Tusha. Sipas tij presidenti nuk kishte konfirmuar prezencën në këtë ceremoni duke e quajtur këtë akt të pakuptimtë.
Tusha ka theksuar se në protokoll ishte parashikuar fjala e Presidentit dhe se protokolli ishte mbajtur nga Bashkia Lezhë dhe jo qeveria.
Topi uron përmes mediave
Presidenti Topi e ka cilësuar Kuvendin e Lezhës si guri i themelit të shtetit shqiptar të Skënderbeut që ka frymëzuar me dhjetëra breza shqiptarësh deri sot. 2 marsi mbetet dita simbol e bashkimit, dita kur burrat e mençur e të fortë, lanë mënjanë dasitë e vogla dhe vendosën të bëjnë bashkimin politik të shqiptarëve. Ata hodhën themelet e shtetit të ri evropian të shqiptarëve, dhe me këtë akt, iu kundërvunë njërës prej perandorive pushtuese më të mëdha që ka njohur historia evropiane. Me një ndërgjegje të lartë atdhetare, me vizionin e qartë për identitetin dhe kombin shqiptar, me aftësinë politike për tu bashkuar në një flamur dhe atdhe, prijësat shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ia dolën të themelojnë Besëlidhjen Shqiptare dhe bashkë me të, shtetin e ri shqiptar.
Rrallë ndonjë ngjarje apo datë tjetër historike, e ka fituar natyrshëm këtë respekt dhe status sa Gjergj Kastrioti me besëlidhjen e prijësve në Lezhën e vitit 1444. Nder përjetë atyre burrave të shquar, shtetarë e fisnikë, të cilët me aktet politike dhe qëndresën e tyre ushtarake bënë që shteti shqiptar e Shqipëria të mbijetojnë, dhe sot, shqiptarët të mbetën ashtu si në kohën e Skënderbeut, populli më pro evropian në rajonin tonë.
Duke nderuar sot Kuvendin e Lezhës, madhështinë dhe aktet historike të prijësave shqiptarë, Skënderbeun dhe veprën e tij të pavdekshme, kemi detyrimin që sot në Lezhën e bekuar nga Zoti, të shohim së bashku nga e ardhmja, për një bashkim energjish dhe forcash në interes të qytetarëve dhe të vendit. Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa simbolika e Besëlidhjes së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse, – ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe përgjegjshmëri; – si një detyrim moral, politik, institucional dhe atdhetar para qytetarëve, vendit dhe interesave madhore të tij, shprehet Topi.
Duke e parë Besëlidhjen e Lezhës si model reflektimi, kreu i shtetit thekson se Shqipëria dhe kombi shqiptar ka nevojë për një besëlidhje rreth vlerave dhe normave demokratike, një sjellje e mentalitet politik që shikon larg nga selitë politike apo interesat e momentit, një bashkim të energjive dhe vullneteve politike e qytetare më të mira.
Berisha: Besëlidhja e Lezhës, zanafilla e shtetit shqiptar
Në 568-vjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, kryeministri Berisha u shpreh se në 2 marsin e vitit 1444 zuri fill parimi Një komb, një qëndrim, i cili u bë zanafilla e krijimit të shtetit shqiptar.
Berisha u shpreh se 568 vjet më parë, fisnikët shqiptarë të udhëhequr nga Skënderbeu ndoqën vokacionin perëndimor dhe vendosën të krijonin shtetin shqiptar duke përballuar fuqinë më të madhe të kohës që kishte fshirë nga harta shtete dhe perandori të tjera.
Ne bashkohemi nga të gjitha trevat shqiptare si njerëz të lirë. Ne nderojmë sot veprën madhore të prijësit tonë legjendar, të të gjithë kohërave, Skënderbeut. Ne nderojmë në këtë qytet shpirtin e bashkimit kombëtar. 568 vite më pare, në këtë qytet lindi parimi i bashkimit të shqiptarëve, parimi i shenjtë Një komb, një qëndrim. Këtu shqiptarët nisën kapitullin më të ndritur të gjithë historisë kombëtare. Me këtë parim ia dolën të krijojnë dhe Lidhjen e Prizrenit e më pas krijimin e shtetit të tyre. Po të mos ishte Lezha, sot nuk do të ishte as Vlora, Kruja e Prishtina, tha Berisha.
Duke folur për rëndësinë e kësaj date dhe parimeve të Kuvendit të Lezhës, Berisha u shpreh se falë kësaj ngjarje historike, ne mund të bashkohemi nga të gjitha trevat shqiptare si njerëz të lirë. Ne nderojmë sot veprën madhore të prijësit tonë legjendar, të të gjithë kohërave Skënderbeut, tha Berisha.
Lezhë, përkujtohet Besëlidhja e vitit 1444
Besëlidhja e Lezhës përkujtohet sot në 568 vjetorin e saj në këtë qytet përmes aktivitetesh të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe bashkia.
Në ceremoninë festive të pranishëm janë kryeministri Sali Berisha, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli; kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi dhe personalitete të larta të shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Veprimtaritë përkujtimore nisën rreth orës 11:00 paradite, ku autoritetet shtetërore dhe ato vendore vendosën buqeta me lule në Obelisk, ku u ngrit flamuri kombëtar.
Më pas u zhvilluan homazhe në memorialin dhe varrin e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe pranë monumentit të gjergj Fishtës.
Aktivitetet festive u përmbyllën në një koncert, i cili u mbaj në Pallatin e Kulturës së qytetit.
Tre ditë më parë, Aleanca Kuqezi kërkoi leje për organizimin e një tubimi festiv pikërisht sot në Lezhë. Por autoritetet vendore dhe policia e qytetit e refuzuan kërkesën e Aleancës Kuqezi, e cila akuzoi direkt kryeministrin Berisha.
Refuzimi i kërkesës sonë për një tubim festiv me rastin e përvjetorit të Besëlidhjes së Lezhës vjen me urdhër të Berishës. Kjo është në kundërshtim të plotë me ligjin. Refuzimi ka ardhur pasi Berisha mban një aktivitet në të njëjtën orë dhe ditë, thanë përfaqësues të AK. / G. N.