Deklarata e dashurisë e Montefiores për “zonjën” Jeruzalem
Historiani londinez Simon Sebag Montefiore, pasardhës i Sir Moisi Montefiore, themeluesit të mullirit “fotozhenik” të Jerusalemit, pas pozicionimit të biografisë së tij “Stalini në Oborrin e Carit të Kuq" në Olimpin e autorëve bestseller të librave historikë, ka gjetur një objekt të ri për studim: qytetin e qyteteve - Jeruzalemin.
Çfarë fati, pasi Montefiore është një studiues i talentuar, me një sy të mprehtë, me aftësinë për të mos humbur në labirintet që të ofron historia e Jeruzalemit dhe me dhuntinë për të kapur gjithë absurditetin, misticitetin, megalomaninë, që mbulon këtë qytet dhe banorët e tij prej vitesh.
Sebag Montefiore (Jerusalemi. Biografia.. S. Fischer, 912 f) në nëntë kapituj na shfaq një panoramë tmerrësisht madhështore, të gjallë e shumëngjyrëshe, që nga fillimet hebreje, nga Davidi dhe Solomoni, mbretërit e Judës, vazhdon me mbretin Nebukadnetsar, me persët, sundimin e tmerrshëm të Titus-it, luftërat hebreje, masakrat e kryqtarëve kundër myslimanëve dhe çifutëve, vrasjen e priftit të Jerusalemit nga tatarët në 1244, pushtimin nga osmanët, duke përfshirë edhe rrënimin e ngadaltë 300-vjeçar të qytetit - e kështu me radhë deri tek imperializmi dhe kapitulli i fundit i sionizmit. Montefiore - pas Deklaratës së Balfurit në vitin 1917 të Gjeneral Edmund Allenby, Lloyd George dhe në fund edhe të OKB-së dhe SHBA-ve - përfundon me përudhën e rimarrjes së qytetit në vitin 1967 dhe me një epilog, i cili gjithashtu dëshpërimisht konstaton, "Jerusalemi sot jeton në një gjendje frike skizofrene”, ku i referohet të gjitha grupeve të popullsisë së tij.
Është e qartë, fanatizmi dhe dhuna kanë ekzistuar gjithmonë në këtë vend. Dhuna mes besimeve të krishtera - mes armenëve, grekëve, sirianëve, katolikëve apo koptëve - është shumë më e vjetër se konfliktet midis palestinezëve dhe izraelitëve. Montefiore përpiqet të shpjegojë paradoksin se pse ky qytet, më hyjnori nga të gjitha qytetet e botës, ku të tria fetë monoteiste janë njësoj të shenjta, është gjithashtu një fortesë prej gjaku dhe dhune. Ai tregon se në njërën anë bëhet fjalë për kontrollin, të cilin çdo fe, për nga hera, kërkon ta ushtojë mbi Jerusalemin dhe nga ana tjetër bëhet fjalë për mistifikimin që i kanë bërë këtij qyteti që të gjithë, që nga Jesaja dhe Danielit, nga Johannes e deri tek autorët e Kuranit, e kanë kthyer atë në një simbol, e kanë kthyer atë fund e krye në qytetin e një perandorie tokësore dhe hyjnore njëkohësisht. Pra, ky qytet ka një potencial të fortë irracional. Dhe e vetmja gjë që është e qartë si drita e diellit këtu në këtë qytet, është se të gjitha përpjekjet për të dominuar Jerusalemin, qofshin ato të feve apo të gjithkujt tjetër, kanë dështuar. Jerusalemi-Jeruzalem Al Quds i takonte të gjithëve dhe asnjërit dhe është një vend për besimtarët, ku Zoti krijoi Adamin , ku Jezusi vdiq dhe nga ku Muhamedi u ngjit në qiell, etj..
Historiani shqyrton në mënyrë kronologjike burime të panumërta, të dhëna, fakte, ngjarje dhe sidomos drejtues ushtarakë dhe politikë të cilët e pushtuan Jeruzalemin, e dogjën, e rrethuan, e përdhosën, e fyen dhe e drejtuan nëpër historinë 3000-vjeçare sa të shenjtë aq edhe profane.
Montefiore e tregon historinë e "qytetit më të varfër provincial në krahinën malore të Judesë,” ku mbizotëron përjetësisht e huaja, e panjohura, si një biografi (një biografi të një gruaje - edhe profetët biblikë e kanë quajtur Jerusalemin një grua) dhe si një histori të klaneve dhe familjeve, histori që është e ngulitur thellë në historinë botërore edhe për dëbimin e hebrenjve nga Spanja e deri në Angli. Ai thur një rrjetë të imët rreth ulje-ngritjeve të këtij qyteti, banorëve dhe sunduesve të tij - mbretërve, profetëve, shenjtorëve dhe lavireve, pushtetarëve dhe figurave të shahut, budallenjve, mashtruesve dhe kumarxhinjve.
Kleopatra, Caligula, Hannibal, Nero, Saladini, Richard Zemërluani - Personazhe si ato të titujve të Hollivudit në ekranin e madh me ngjyra dhe emra si të klasikëve Monty Python: Chalidi shpata e Zotit, Zengi i përgjakuri, Ahmed kasapi, Kafuri eunuku aromatik , Omari i drejti, Selimi i rrepti, Fulku xhagajdari ose Gnaeus i Pompeit. Veprat dhe aferat e heronjve dhe figurave të errëta, Montefiore i rishqyrton me endje. Kështu sipas tij Varri i Shenjtë ka qenë "shtëpia e vetme e kënaqësive" ku gjermani Kalorësi Arnold von Harff ka mësuar frazat më të rëndësishme për të në gjuhën arabe dhe hebraike: "A do të ma jepni? / A jeni një hebreje? / Zonjë, më lejoni të fle me Ju sonte / Unë do t’ju jap një gulden"(monedhë holandeze).
Princ Potemkin, nga ana tjetër, e shikonte çlirimin e Jerusalemit, si detyrën e tij, dhe për këtë arsye themeloi në vitin 1787, Regjimentin kalorësiak hebre "Israelowski", por ai vdiq para se mund të shpëtonte Jerusalemin. E shëndosha Caroline von Braunschweig (në atë kohë akoma gruaja e George IV), mburrej se ishte princesha e parë pas 600 shekujve që kish vizituar Jerusalemin dhe që kish insistuar të ecte mbi gomar e pajisur me paruke, vetulla dhe dhëmbë false ", thonë kjo sipas kronikanit.
Disa breza më vonë, vizitorët qenë më pak romantikë. Për Benjamin Disraeli hebrenjtë vendas ishin "arabë mbi kalë", ndërsa Karl Marksi shprehet se "asgjë nuk ngjan me mjerimin dhe vuajtjen e hebrenjve në Jerusalem", ndërsa Mark Twain komenton ", lebrosët, të gjymtuarit, të verbrit dhe të çmendurit" dyndeshin nga të gjitha anët.
Nga Sebag Montefiore mund të mësosh shumë, jo vetëm mbi perspektiva të ndryshme dhe multi-kulturalizmin e vërtetë, por veçanërisht mbi humnerën e orvatjeve njerëzore - vrasjen, shantazhin, xhelozinë, intrigën tek të gjitha fetë, klasat, racat, kohët. Dhe Herodi ishte jo vetëm një “kasap” hebre, por edhe një ndërtues.
Nën sundimin e tij, apo të perandoreshës Helena, nën sundimin e Kalifi Abd al-Malik, nën mbretëreshën Melisende ose nën Sulejmanin e Madhërishëm u ndërtuan shumë ndërtesa të famshme, siç edhe në periudhën e britanikëve lindën Hoteli Mbreti Davidi , universiteti apo Spitali Hadassah. Edhe William Zwo ka lënë shenjat e tij në atë zonë: dy kisha të mëdha dhe Spitalin Victoria Augusta në Malin e Ullinjve.
Ndonjëherë ky qytet nuk është ai që duket. Ajo që kish qenë sinagogë ish bërë xhami ose kishë, ajo që kish qenë faltore ish bërë kazermë. Çdo shkëmb a gur ka përfaqësuar ideologji të shumta. Sipas Montefiores, të gjithë përvetësuan mitet dhe ndërtesat e paraardhësve të tyre i rikompozuan ato dhe i përdorën për qëllimet e tyre.
Që nga koha e Mbretit David, Jerusalemi ishte i populluar kryesisht nga hebrenj (në fund të Perandorisë Osmane përbënin madje shumicën). Hebrenjtë ishin të parët që vendit, që mendohet të ketë qenë vendi i sakrificës kanatite, i dhanë një kuptim. Të gjithë ata që erdhën më pas - asirianët, babilonasit, persianët, grekët, romakët, mamelukët, kryqtarët, arabët, osmanët, britaniket, përsëri hebrenjtë – e konsideruan qytetin dhe historinë e tij në çdo rast ekskluzivisht si pronën e tyre, duke e mbrojtur atë brutalisht nën flamurin monoteist të një të vërtete të vetme të vlefshëm. Askush nuk mund apo dëshiron të heqë dorë prej saj. Në një intervistë, Montefiore thotë, gjë të cilën gjithashtu e ka shkruar, se vetëm në shekullin e XX ka pasur 40 plan projekte për të ardhmen e qytetit, që kanë dështuar: "Në dyzet vjet, qyteti është populluar nga hebrenjtë dhe arabët të cilët po nuk jetuan në mënyrë paqësore së bashku - qyteti do të shkatërrohet".
*Marrë nga Jüdisches Berlin
...