Statusi kandidat dhe çelja e negociatave të integrimit, objektivat e Ministrisë së Jashtme

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto raporton para Komisionit të Integrimit Evropian
“Një nga objektivat kryesore të Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë dhe mbetet përparimi i Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, konkretisht për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian”. Kështu u shpreh dje zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, gjatë raportimit në seancën dëgjimore të Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian, mbi ecurinë dhe sfidat e shërbimit diplomatik në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
Sipas tij, për realizimin e këtij objektivi madhor janë zhvilluar një numër i dendur takimesh dypalëshe me të gjithë vendet anëtare të BE. I është dhënë prioritet marrëdhënieve me Komisionin Evropian, si dhe marrëdhënieve me vendet që mbajnë presidencat e BE-së.
Haxhinasto theksoi se, “pavarësisht situatës së vështirë dhe problemeve financiare me të cilat janë ndeshur disa vende të BE, është arritur të ruhet intensiteti i axhendës diplomatike me të gjitha këto vende dhe të mbahet hapur axhenda e zgjerimit. Klasa politike shqiptare e ka shumë të qartë axhendën e 12 detyrave që duhen plotësuar, të cilat mund të realizohen me punë të përbashkët dhe vullnet të mirëfilltë të të gjitha palëve. Është shumë e rëndësishme të ruhet fokusi në zbatimin e kësaj axhende, duke shmangur avancimin e politikave partiake që pengojnë apo tjetërsojnë boshtin e këtij procesi”, u shpreh Haxhinasto.
Sipas kryediplomatit shqiptar, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë të marrë statusin e vendit kandidat brenda këtij viti.
“Sikundër është konfirmuar nga të gjithë interlokutorët, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat gjatë këtij viti, duke zbatuar pikë për pikë plan veprimin që realizon reformat në çdo fushë. Parimi gjithëpërfshirës që po karakterizon këtë proces, mund të shtrihet edhe në lobimin e përbashkët pranë vendeve anëtare dhe institucioneve të Bashkimit Evropian”, tha Haxhinasto, ndërsa i bëri një ftesë të hapur opozitës të marrë përgjegjësitë e saj kombëtare për realizimin e këtij interesi kombëtar dhe të bashkë lobojë për marrjen e këtij statusi.
Gjatë fjalës së tij, Haxhinasto u ndal edhe në rolin që luan MPJ në raport me institucionet evropiane dhe vendet anëtare për përparimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës, përfshirë lobimin për nisjen e dialogut politik për liberalizimin e vizave me këtë vend.
Në këtë drejtim, ai siguroi se Shqipëria do të japë të gjithë asistencën e mundshme për realizimin e reformave në fushat që mbulon udhërrëfyesi i Bashkimit Evropian.
Ministri i Jashtëm solli në vëmendje se zbatimi i reformës, në proces, të shërbimit të jashtëm, do të rrisë efikasitetin e avancimit të axhendës evropiane të Shqipërisë, si dhe të përçimit të imazhit dinjitoz të vendit në këtë përvjetor të 100 të pavarësisë së Shqipërisë.