E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklarata e plotë e Bankës së Shqipërisë 29 Maj 2012

Gazeta Shqip

Fjala e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë

z. Ardian Fullani

Mbi vendimmarrjen e politikës monetare të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë

29 maj 2012

Banka e Shqipërisë

Departamenti i Marrëdhënieve me Jashtë,

Integrimit Evropian dhe Komunikimit

Sheshi Avni Rustemi, Nr. 24, Tiranë

Tel: 04/2419301/2/3, Faks: 04/ 2419408

Internet: www.bankofalbania.org

E-mail: zyraeshtypit@bankofalbania.org

Sot, në datën 29 maj 2012, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Mujor të Politikës Monetare. Pasi u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre në të ardhmen, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 4.25%. Ky vendim reflekton opinionin e Këshillit se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për të respektuar objektivin e Bankës së Shqipërisë për inflacionin në një periudhë afatmesme. Ai e le normën bazë të interesit në nivelin e saj më të ulët historik, duke ruajtur kështu natyrën e fortë stimuluese të politikës monetare, në mbështetje të kërkesës agregate dhe të rritjes ekonomike. Në të njëjtën kohë, ky vendim reflekton pasigurinë e shtuar që vjen nga ambienti i jashtëm i ekonomisë, dhe veçanërisht nga zhvillimet në Greqi.

(Më lejoni në vijim të bëj një pasqyrë të zhvillimeve ekonomike dhe të çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e sotme.)

***

Inflacioni vjetor shënoi vlerën 1.6% në muajin prill, duke vijuar të ndjekë një trajektore rritëse gjatë dy muajve të fundit dhe duke iu afruar kufirit të poshtëm të objektivit. Tendenca rritëse e inflacionit, pas nivelit minimal të shënuar në muajin shkurt, ishte e pritur dhe e komunikuar nga Banka e Shqipërisë. Në masën më të madhe, ajo reflekton shuarjen graduale të goditjeve me ndikim rënës në inflacion të ardhura nga ana e ofertës. Ngadalësimi i çmimeve të mallrave kryesore në tregjet botërore, inflacioni i ulët i partnerëve tregtarë dhe ecuria e qëndrueshme e kursit të këmbimit, kanë përcjellë vlera të reduktuara të inflacionit të importuar.

Megjithatë, pavarësisht rritjes, inflacioni mbetet i ulët. Niveli i ulët i tij kushtëzohet nga shfrytëzimi jo të plotë i kapaciteteve në ekonomi, i cili reflektohet në presione të dobëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Në të njëjtën kohë, pritjet e agjentëve ekonomikë për inflacionin janë të ulëta dhe ekspansioni monetar është në përputhje me kërkesën e ekonomisë për para. Gjithashtu, mungesa e rritjes së çmimeve të rregulluara ka dhënë ndikimin e saj në normën e ulët të inflacionit të shënuar gjatë vitit 2012.

Gjatë analizës së zhvillimeve ekonomike, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rikthimi i tensioneve në tregjet financiare botërore në muajin e fundit ka rritur ndjeshëm pasiguritë në tregjet financiare ndërkombëtare, duke u përkthyer në kushte më të vështira financimi për sektorin publik e privat. Rënia e kërkesës së huaj dhe shtimi i rrezikut të perceptuar për të gjithë zonën kanë filluar të ndikojnë ecurinë e aktivitetit ekonomik në vendet e rajonit.

Informacioni i disponueshëm statistikor për tremujorin e parë të vitit 2012 tregon për një ecuri të ngadaltë të aktivitetit ekonomik. Ndër të tjera, kjo ecuri është ndikuar edhe nga faktorë të përkohshëm, si pasojë e kushteve të vështira klimaterike. Megjithatë, analiza e treguesve të disponuar konkludon se kërkesa e brendshme dhe e huaj mbeten të dobëta.

Pas gjallërimit në tremujorin e fundit të vitit, konsumi privat vlerësohet të jetë ngadalësuar në tremujorin e parë të vitit 2012. Ecuria e importit të mallrave për konsum dhe rritja e ulët vjetore e të ardhurave të grumbulluara nga TVSh-ja, sugjerojnë një kërkesë të dobët konsumatore në këtë tremujor. Ky vlerësim mbështetet edhe nga të dhënat cilësore të filtruara nga vrojtimet e konsumatorëve, të biznesit dhe të sektorit bankar. Dinamika e treguesve sasiorë dhe cilësorë sugjeron gjithashtu për një ecuri të ngadaltë të investimeve.

Të përballur me një kërkesë të ulët dhe me kapacitete të lira prodhuese, si dhe në prani të pasigurisë për zhvillimet brenda dhe jashtë vendit, bizneset kanë shtyrë në kohë vendimet e tyre për investime të reja. Gjithashtu, kontributi i investimeve publike në rritjen e kërkesës agregate, vlerësohet të ketë qenë negativ gjatë tremujorit të parë.

Politika fiskale ka ndjekur një sjellje të kujdesshme gjatë katër muajve të parë të vitit, e reflektuar në uljen vjetore me 28% të deficitit buxhetor gjatë kësaj periudhe. Të ardhurat buxhetore vijojnë të shënojnë norma të moderuara rritjeje vjetore, duke reflektuar ecurinë e aktivitetit ekonomik dhe duke ilustruar ndikimin e ndërsjellë midis dinamikës së sektorit publik dhe privat. Megjithatë, Banka e Shqipërisë gjykon se ndjekja e një politike fiskale të orientuar drejt qëndrueshmërisë afatgjatë të treguesve buxhetorë dhe të borxhit publik do të sjellë përfitime të qarta afatmesme dhe afatgjata për ekonominë shqiptare, në formën e uljes së primeve të rrezikut, të rritjes së hapësirave dhe të uljes së kostove të financimit për sektorin privat. Gjithashtu, kjo politikë është konsistente me zhvillimet në tregjet financiare të brendshme dhe të huaja.

Kërkesa e huaj vlerësohet të ketë mbështetur zgjerimin e ekonomisë edhe në tremujorin e parë të këtij viti, por kontributi i saj është ulur ndjeshëm. Rritja e ngadaltë e eksporteve mbetet shqetësuese, për sa kohë që ajo ndikon ecurinë e ekonomisë gjatë vitit 2012 dhe ilustron varësinë e madhe të Shqipërisë në disa tregje gjeografike apo produkte të caktuara.

Analiza e të dhënave monetare sugjeron se ecuria e treguesve monetarë ka qenë në linjë me zhvillimet në ekonominë reale. Oferta monetare ka ruajtur ritmin e rritjes të vërejtur në fundin e vitit të kaluar, duke shënuar një rritje vjetore prej 8.8% në muajin mars. Analizat tona sugjerojnë se zgjerimi i saj është në përputhje me ecurinë e kërkesës së ekonomisë për para reale, duke sinjalizuar presione të përmbajtura inflacioniste me natyrë monetare në periudhën afatmesme. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 9.0% në muajin mars. Ecuria e kredisë për sektorin privat, veçanërisht në muajt e fundit, është diktuar nga një kërkesë e ulët e këtij sektori për financim dhe nga një sjellje e kujdesshme e bankave në kredidhënie.

Tregjet financiare kanë qenë likuide dhe të qëndrueshme. Normat e interesit në tregun ndërbankar janë ulur ndjeshëm në muajin prill dhe vëllimi i shkëmbyer në këtë treg ka pësuar rritje. Përçimi i sinjaleve lehtësuese të politikës monetare ka vijuar dhe në tregun e depozitave në lekë, normat e të cilave janë ulur.

Në tregun primar, yield-et e letrave me vlerë të qeverisë kanë qëndruar në nivele të njëjta me ato të muajit të kaluar. Rritja e tyre në tremujorin e parë reflekton zhvillimet në faktorët strukturorë të kërkesës dhe ofertës për to, pa sinjalizuar për prime të shtuara të inflacionit. Normat e interesit të kredive në lekë kanë reaguar në mënyrë jo të plotë ndaj sinjaleve lehtësuese, në reflektim të rritjes së primeve të rrezikut të kredisë për degë të veçanta të ekonomisë.

Informacioni i ri mbështet vlerësimin

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›