Deklarata e të ardhurave personale dhe siguria që ofrojnë tatimet
Ditët e fundit, ka pasur një sinkron akuzash të medias pro-qeveritare lidhur me deklarimin e të ardhurave personale të kryetarit të PS-së, njëkohësisht kandidati i opozitës për kryeministër i Shqipërisë pas 23 qershorit, zotit Edi Rama. Jemi në kohë fushate elektorale dhe sigurisht që lufta politike shtrihet në të gjitha frontet, ku tabela numër një e goditjes shtetërore është padyshim zoti Rama. Ky i fundit, me anë të një njoftimi në rrjetet sociale e mohon që ska bërë deklarim të të ardhurave personale vjetore sipas përcaktimeve ligjore. Megjithatë, nuk u nisa të analizoj këtë çështje, por ky rast më nxiti të trajtoj një çështje tjetër që ka lidhje me deklarimin e të ardhurave personale të individëve që kapin shumën vjetore të 2 milionë lekëve.
Kuadri ligjor për këtë lloj deklarimi është i rregulluar me ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 Për Tatimin mbi të Ardhurat, i ndryshuar, specifikisht nenet 13 deri 13/10. Ky është vitit i dytë që bëhet deklarimi personal i të ardhurave individuale, që përfshin periudhat tatimore, 2011 dhe 2012.
Në nenin 13/7, pika 1, thuhet : Deklarata dorëzohet në drejtorinë tatimore rajonale më të afërt me vendbanimin e tatimpaguesit, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike. Le të ndalemi pak tek ky nen, i cili është edhe subjekt i shqetësimit që dua të ngre. Bëhet fjalë për dërgimin e deklaratës në rrugë elektronike, që është forma më e përdorur nga individët. Por, forma elektronike që ka ndërtuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, shkel Ligjin nr.9887, datë 10.03.2008 Për mbrojtjen e të dhënave personale, i ndryshuar, përkatësisht nenin 27.
D.P.Tatimeve se ka parë të udhës që, për këtë lloj deklarimi, të aplikojë fjalëkalimin, si një masë mbrojtëse prej keqbërësve. Fjalëkalimi (password-i) garanton që askush tjetër i jashtëm, përveç personave të autorizuar, smund të ndërhyjë për të parë çfarë ke deklaruar apo të të bëjë dëm duke deklaruar në mënyrë të paligjshme.
Ligji ka përcaktuar se, çdo deklaratë individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit. Pra, mjafton që çdokush të ketë në dorë letërnjoftimin e dikujt dhe të klikojë në website-n (http://www.tatime.gov.al/pdec/Login.aspx), tek i cili i ka të gjithë lehtësitë e mundshme për të patur qasje në të dhënat e dikujt që ka bërë deklarim sipas ligjit. Por, kjo do ishte e keqja më e vogël përballë asaj që çdokush mund të futet dhe të ti plotësojë të dhënat në mënyrë abuzive në emër të personit që sdi gjë dhe të deklarojë aty shifra me shumë zero, vetëm e vetëm që ti krijojë probleme dikujt me shtetin.
Çdokush mund të pyes: po si mund të bjerë në dorë të të tjerëve letërnjoftimi? Epo, nëse ka një dokument me të cilin duhet të kryesh veprime kudo, ai është letërnjoftimi. Duke filluar te banka, te noteri apo te çdo lloj institucioni shtetëror a subjekti privat, duhet të lësh një fotokopje të dokumentit të identifikimit. Sa biznesmenë, politikanë, qeveritarë, zyrtarë a qytetarë të thjeshtë e bëjnë këtë gati çdo ditë?
Për këtë arsye, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duhet të bllokojë përkohësisht aksesin në faqen ku deklarohen të ardhurat personale dhe të marrë masa për të rritur shkallën e sigurisë me anë të fjalëkalimit. Deri në deklarimin e ardhshëm, që bëhet më 30 prill 2014, ajo duhet të ndërgjegjësojë çdo individ që të paraqitet pranë institucioneve në varësi të saj, për tu pajisur me fjalëkalim (password).
Sa më e lartë të jetë shkalla e ruajtjes dhe sigurisë së të dhënave personale, aq më shumë rritet besimi, e, rrjedhimisht, gatishmëria që gjithkush prej nesh të përmbushë ato detyrime që ligji na i ngarkon.
