Krijimi i lirë i Spartak Ngjelës
Kush e njeh Spartak Ngjelën apo ka lexuar veprën e tij memuaristike, Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare e ka të qartë se ai i ka dhënë një përgjigje të plotë pyetjes që e ka munduar 38 vjet më parë. Në 15 nëntor 1975, ditën e arrestimit në Rubik, ndërsa përpiqej të gjente arsyet e ekzistencës dhe të krijonte brenda mendjes së tij hapësirën e lirisë që do ta shpëtonte nga frika dhe deformimi në vitet e gjata të izolimit, Spartak Ngjela do të pyeste veten: A do të bëja ndonjë gjë në këtë jetë?
Afro 15 vjet më vonë, në 11 shkurt 1991, Ngjela do të takohej me jetën e tij në një segment kohor jo të zgjedhur nga ai vetë. Edhe këtë herë në mendje do të kishte të njëjtin shqetësim, tashmë jo si pyetje por si një vendim: Duhej patjetër të bëja diçka, ishte ky qëllimi që i caktoi vetes ish i burgosuri politik në ditën e parë të lirisë. Një njeri që kishte kaluar provën e rëndë të brugut komunist pa u përkulur dhe me dinjitet të admirueshëm, tashmë kishte një provë me veten e tij. Spartak Ngjela vendosi ta kapi jetën jo kur e kishte lënë ajo, por atëherë kur e kishte lënë ai. Ai mundi të shpëtojë gjallë nga ferri komunist dhe pjesa tjetër që i mbetej për të jetuar ishte sfida me lirinë.
Spartak Ngjela, nga dita e parë e lirisë dhe deri më sot ka menduar dhe jetuar sikur ato 15 vite të izolimit nuk kanë qenë pjesë e jetës së tij. Askush nuk e ka dëgjuar apo parë avokatin ta përdorë persekucionin e tij si një mjet apo aset për të qenë dikush apo për të arritur diçka në shoqërinë e pas viteve 90. Sigurisht ato vite të rënda janë pjesë e fortë e formimit të karakterit dhe intelektit të tij, por Spartak Ngjela ka qenë gjithnjë i lirë në mendjen e tij.
Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare është një dëshmi e kësaj lirie në të tre volumet e saj. Kjo vepër nuk është thjesht rrëfimi i kujtimeve të Ngjelës, por është një analizë e thellë politike, sociale dhe filozofike e shoqërisë shqiptare në momentet e saj më të rëndësishme historike. Në një meditim të gjatë ekzistencialist, filli i jetës së një individi arrin ti japë një shpjegim dhe shoqërisë së tij, të cilën e ka parë nga lart, nga brenda burgut dhe si pjesë përbërëse normale e saj.
Ky vëllim që prezantohet sot është pikërisht ajo pjesë e kujtimeve të Ngjelës që nis me daljen nga izolimi dhe përballjen me një shoqëri që përjetonte emocionet e forta të përmbysjes së një regjimi. Një e panjohur e madhe për avokatin, por me të cilën ai kishte vendosur të përballej duke qenë vetvetja. Sepse asgjë nuk do të ndryshonte më për të të lejuar që të jesh vetëvetja dhe asnjë forcë nuk do të më ndalonte më që të tregohesha përpara shoqërisë timë ai që isha, i jepte kurajo vetes Ngjela rrugës duke shkuar për të takuar nënën dhe motrën e tij në Selenicë të Vlorës.
Mendimi është epiqendra e asaj që në i themi jetë, shkruan Ngjela për të hapur kështu një kapitull të ri në jetën e tij më 11 shkurt 1991. Me një frazë të vetme ai përkufizon atë që shkoi dhe atë që i mbetej të bënte pa dyshuar në forcën e tij: E kisha kaluar një provë të madhe, e kisha mposhtur agresionin shpërbërës të tjetrit; kisha kaluar izolime dhe hetuesira, jetë burgu dhe privacione të përditshme, kurse tani më duhej që të jepja kundrejt vetes time pasqyrën e asaj që dija e që mund të bëja, për të krijuar unin tim real, atë që jeton në vendin e tij dhe ka të drejtë të krijojë i lirë, për të formuar jetën e tij me një vlerë të re.
Në këtë pjesë të tretë të kujtimeve, në pesë vite të vështira pas rënies së komunizmit, Ngjela shfaqet ai që ka qenë, ashtu siç e njohin të gjithë. Episodet kulminante të atyre viteve, të rrëfyera nga avokati janë jo thjesht një kujtesë, por edhe një dokument me vlerë për të kuptuar mënyrën e të funksionuarit të një shoqërie pas një traume të rëndë 50 vjeçare. Ngjarjet e atyre viteve, të mbushura plot pasion dhe emocion mbushin faqet e këtij vëllimi të treguara dhe shpjeguara sipas këndveshtrimit të avokatit. Çdokush mund ti lexojë dhe mund të gjejë aty edhe shpjegimin e vet.
E nëse ky shpjegim qëllon të jetë i ndryshëm, një gjë mbetet e pakundërshtueshme: Spartak Ngjela ka bërë diçka në jetë, diçka të madhe. Ai nuk është vetëm simbol i qëndresës njerëzore, forcës së mendjes dhe dinjitetit, por edhe i individit që ndonëse është nisur me vonesë në një garë, arrin ta fitojë atë vetëm falë aftësive të veta. Ai është shembulli i njeriut që e ka vrarë frikën pasi i ka humbur njëherë të gjitha dhe që pa frikë i hyri betejës me jetën për ti rifituar të gjitha.
