E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese Pse u vetëpërjashtua nga procesi zgjedhor?

kushtet1721Nga Sokol Sadushi*

Të gjitha arsyet e listuara prej Gjykatës Kushtetuese, me qëllim përligjjen e saj për të qëndruar jashtë kontrollit të vendimmarrjes gjyqësore për të drejtën për një proces të rregullt ligjor, në të vërtetë të bindin për të kundërtën. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ankesën e individit në kuptim të nenit 131, shkronja f të Kushtetutës, nuk mund të kufizohet nga paapelueshmëria e vendimit të Kolegjit Zgjedhor

Dimensioni që kanë marrë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut ka shërbyer për ti dhënë një hapësirë më të gjerë mbrojtjes së tyre përpara gjykatave kushtetuese, duke e bërë në të njëjtën kohë, shqyrtimin e ankimit individual si një funksion kryesor të gjykimit kushtetues. Mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore është një funksion i rëndësishëm i shumicës së gjykatave kushtetuese. Roli i organit që realizon drejtësinë kushtetuese konsiston në faktin se në përmbushje të funksioneve të veta, duhet të jetë i aftë, që me pushtetin kushtetues që zotëron, të arrijë të pengojë autoritetet shtetërore në cenimin që mund tu bëjnë të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve. Qëndrimet e mbajtura së fundmi nga Gjykata Kushtetuese, por që i kanë dhënë një tjetër qasje standardit të procesit të rregullt ligjor, duke devijuar nga jurisprudenca e konsoliduar kushtetuese dhe ajo konventore, është arsyeja kryesore për të vënë në pah mos-dakordësinë me zgjidhje të kësaj natyre. Deri më tash, qenia i vetëpërmbajtur në dhënien e opinioneve mbi vendimmarrjen kushtetuese ka qenë e kushtëzuar për shkak edhe të angazhimit tim për një kohë të gjatë si pjesë përbërëse e kësaj trupe gjyqësore. Duke e analizuar vendimmarrjen kushtetuese nga këndvështrimi i një studiuesi të çështjeve të drejtësisë kushtetuese, por i nxitur njëkohësisht edhe nga disa qëndrime të kohëve të fundit, profesionalisht dëshpëruese, nuk do të ngurroj të shpreh keqardhje e mospajtim me to.

Dy janë çështjet tek të cilat dua të ndalem për të nisur një dialog me gjyqtarët kushtetues:

Moslegjitimimi i subjektit zgjedhor për të kërkuar kontrollin kushtetues të vendimmarrjes së Kuvendit për ndarjen e mandateve për çdo zonë zgjedhore, si dhe Përjashtimi nga juridiksioni kushtetues i verifikimit të standardit të procesit të rregullt ligjor ndaj vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese në 20 vite të funksionimit të saj ka konsoliduar qëndrimin, sipas të cilit, çdo organ i pushtetit publik, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij kushtetuese e ligjore, detyrohet të respektojë standardet e gjithëpranuara demokratike që lidhen me procesin e rregullt dhe se ankimi kushtetues, për shkeljen e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, nuk është kufizuar për asnjë subjekt, përfshirë këtu edhe personat juridikë publikë. Tashmë me qëndrimet e mbajtura, ky koncept i përket arkivës historike të drejtësisë kushtetuese.

Kuvendi

Me gjithë rëndësinë thelbësore që ka për procesin zgjedhor vendimmarrja e Kuvendit për caktimin e numrit të mandateve për çdo zonë zgjedhore, e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë, nga njëra anë, në parimin e barazisë së votës dhe të barazisë së konkurrimit në zgjedhje ndërmjet subjekteve zgjedhore dhe, nga ana tjetër, edhe në vetë legjitimitetin e zgjedhjeve, Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 35 datë 07.03.2013 e ka mbyllur përfundimisht këtë çështje. Ajo nuk ka pranuar të legjitimojë subjektin zgjedhor kërkues për të verifikuar kushtetutshmërinë e procedurës së ndjekur nga Kuvendi për të vlerësuar nëse i ka respektuar parimet procedurale në atë masë, që siguron respektimin e të drejtës për një proces të rregullt, në kuptimin kushtetues. Respektimi i këtyre parimeve janë garanci kushtetuese substanciale, që çdo subjekt zgjedhor i gëzon për të legjitimuar veten, me qëllim nisjen e gjykimit kushtetues për të kontrolluar procedurat parlamentare.

 

Kolegji Zgjedhor

Ndërkohë, një tjetër vendimmarrje kushtetuese, e konfirmuar me vendimin nr. 53, datë 07.05.2013 të Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht nga lloji dhe natyra e vendimit, ka krijuar një çoroditje teorike dhe praktike për standardin e procesit të rregullt ligjor. Gjykata Kushtetuese duket se ka konfonduar kompetencën e saj thelbësore për të shqyrtuar ankesën e individit lidhur me pretendimin për një proces të rregullt ligjor, me kompetencën tjetër të saj për të vlerësuar në substancë kushtetutshmërinë e çështjeve që lidhen me zgjedhshmërinë e Presidentit të Republikës, të deputetëve, si dhe me papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të tyre. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese kanë nxjerrë përfundimisht jashtë juridiksionit kushtetues kontrollin për respektimin e standardit të procesit të rregullt ligjor ndaj vendimmarrjes së Kolegjit Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Arsyet e një qëndrimi të tillë, Gjykata Kushtetuese i bazon në paapelueshmërinë, që Kodi Zgjedhor parashikon për vendimin e formës së prerë të Kolegjit Zgjedhor, në detyrimin që qëndron mbi Kolegjin Zgjedhor për të verifikuar respektimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, në tejzgjatjen e kohës që do të duhej për të nxjerr rezultatin zgjedhor, si rrjedhojë e ushtrimit të ankimit kushtetues, si dhe në vullnetin e kushtetutëbërësit për të përjashtuar kontrollin mbi zgjedhjet vendore nga juridiksioni kushtetues.

Të gjitha arsyet e listuara prej Gjykatës Kushtetuese, me qëllim përligjjen e saj për të qëndruar jashtë kontrollit të vendimmarrjes gjyqësore për të drejtën për një proces të rregullt ligjor, në të vërtetë të bindin për të kundërtën. Kompetenca e Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar ankesën e individit në kuptim të nenit 131, shkronja f të Kushtetutës, nuk mund të kufizohet nga paapelueshmëria e vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Një vendim gjyqësor kërkohet domosdoshmërisht të jetë i formës së prerë dhe i paapelueshëm për të argumentuar shterimin e mjeteve ligjore, i cili përbën një kusht thelbësor për tiu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Qoftë subjekti politik, ashtu si edhe çdo individ nuk pengohen të iniciojnë një gjykim kushtetues, me pretendimin për cenimin e të drejtës për një proces të rregullt ligjor, pasi kanë shteruar para gjykatave të zakonshme të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e kësaj të drejte. Çështja e shterimit të mjeteve juridike përbën një kusht paraprak që duhet përmbushur nga kërkuesi, pasi kontrolli i ushtruar nga kjo Gjykatë, përfshirë edhe rastet e shkeljes së të drejtave të individit nga një proces

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›