Under construction
Më shumë se 30 rrugë të kryeqytetit janë në rikonstruksion ose gati për tu inaguruar. Gjithçka në funksion të fushatës zgjedhore, e cila ka hyrë në pikën e saj më të nxehtë
Nga Renato Kalemi*
Në zgjedhjet që e sollën në krye të Bashkisë së Tiranës në 2011-ën, Lulzim Basha u shfaq me parrullën: Tirana është e para. Shumë e vlerësuan këtë si një gjetje, të tjerë veçuan qytetarinë me të cilën ai po drejtonte një fushatë larg akuzave politike, të fokusuar plotësisht tek problemet e përditshme, kurse më skeptikët prisnin me padurim se çdo të bëhej me premtimet. Pas njëqind ditëshit të parë, kthimit në gjendje normale të sheshit Skënderbej dhe hapjen e zyrës së tij për hallet e qytetarëve, Basha humbi nga radarët e politikës aktive. Praktikisht, ish ministri i Brendshëm u zhduk nga studiot televizive dhe faqet e gazetave, përveçse kur shfaqej rrallë për inagurimin e ndonjë sheshi lojërash ose në mbledhjet e këshillit bashkiak. Në media kishte çuar fjalë se nuk dëshironte të jepte intervista, pikërisht sepse ishte i zënë me punët e bashkisë dhe se tani e tutje do të mbante një profil të ulët, atë të punëtorit dhe kryebashkiakut model, sa më pranë qytetarëve dhe larg politikës aktive. Elemente të cilat i frymëzoi fillimisht duke pritur qytetarët në zyrë, e më pas me indiferencën që tregonte në publik ndaj asaj që ndodhte jashtë Bashkisë së Tiranës. Derisa profili i tij zuri kore e u mbyll në atë të njeriut që sheh vetëm punët e tij, ndonëse në Tiranë nuk ndihej ende era e ndryshimit që Basha kishte premtuar.
Ajo nisi të thithej nga pak në fundin e 2012-ës dhe fillimin e këtij viti, duke kulmuar në muajt maj e qershor, sot kur Tirana është kthyer në një kantier të vërtetë ndërtimi. Duke ndjekur shembullin e kryeministrit Berisha, kryebashkiaku Basha ka ndezur motorrët dhe po i jep një dorë Partisë Demokratike duke iu dhënë fund rikonstruksionit të rrugëve të kryeqytetit bash në zemër të fushatës zgjedhore. Mjafton të lëvizësh nëpër Tiranë për të kuptuar se janë të shumta rrugët e kryeqytetit, në të cilat punimet kanë nisur prej disa muajsh, por vijojnë të mbeten të hapura me qëllimin për tu mbyllur (inaguruar) brenda qershorit. Një situatë e cila, ashtu si me punimet e sheshit Skënderbej në kohën e ish kryebashkiakut Rama, po shkakton një kaos në trafik dhe bllokimin e arterieve kryesore. Basha, nga ana e tij, e ka thyer koren e kryebashkiakut që sdo të merrej me politikë që në daljet e tij të para në podiumin e mitingjeve elektorale të PD-së, duke sulmuar Ramën me modelin e gabuar të administrimit të Tiranës. Madje, për disa media, ai është drejtuesi kryesor i fushatës së PD-së, i ndihmuar edhe nga grupi i lobistëve amerikanë të Podestas. Sjellje e cila, e kombinuar me rregullimin e infrastrukturës rrugore të kryeqytetit në pikën kulmore të fushatës, provon se kjo është një strategji e pastër elektorale për të marrë vota. Pra, asgjë e re nga çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara.
Lojën e inaugurimeve në kohë fushate e hapi kryeministri Berisha i cili muajin maj e ktheu në muajin e prerjes së shiritave për disa nga investimet më të mëdha të qeverisë. Duket se ai ka pritur afrimin e datës 23 qershor për të treguar në publik disa nga veprat, të cilat i ka shfaqur si përmbushje të premtimeve. Inaugurimet e ditëve të fundit nuk janë vetëm rrugë, paçka se sipas kryeministrit qeveria ka ndërtuar 10.400 km. Shirita janë prerë dhe po priten edhe për investime të tjera të rëndësishme në fushën e energjisë, ujësjellësa, dogana etj. I tillë ishte përurimi i sistemit të kontrollit të OST-së apo nisja e punimeve përgatitore për ndërtimin e hidrocentralit të Banjës në rrethin e Elbasanit, i cili u përurua në vitin 2009 po nga kryeministri Berisha. Në Korçë u përurua impianti i ujërave të zeza, një investim prej 37.5 milionë eurosh që bën të mundur kanalizimin dhe grumbullimin e ujërave të zeza, kurse në Tiranë shërbimin e-dogana, sistemi i ri doganor për vendosjen e pagesave online. Për të vijuar me shtytjen e jashtëzakonshme të punimeve të rrugës së Elbasanit dhe tunelit, e cila ashtu si Rruga e Kombit në vitin 2009, është e përzgjedhura e Berishës për ta paraqitur si kryeveprën e re të qeverisë së tij. E gjithë kjo mizanskenë e ndërtuar në fushatë zgjedhore të jep përshtypjen se shumë nga investimet e katër viteve janë lënë qëllimisht të përfundojnë në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.
E njëjta situatë po përsëritet në Tiranë me rikonstruktimin e mbi 30 rrugëve njëherësh. Rrugët në ndërtim, punimet e të cilave kanë nisur vjeshtën e kaluar, çuditërisht kanë thuajse të gjitha një afat përfundimi mesatarisht 6 deri në 8 muaj. Çka do të thotë se nëse përfundojnë në kohë, qytetarët dhe trafiku i rënduar i makinave do të lëvizin lirisht në mes të qershorit; pra, koha kur fushata elektorale është në kulmin e saj. Një nga rrugët thuajse e përfunduar në kohë rekord është Rruga e Dibrës, e cila për aq javë sa ka qenë e bllokuar ka shkaktuar një çorientim të trafikut dhe një mbingarkesë të rrugëve paralele. Rikonstruksionit të plotë iu nënshtrua edhe rruga nga Shkolla e Baletit tek tregu elektrik, e cila pritet të inaugurohet këto ditë nga kryebashkiaku Basha. Ky ishte një segment i lënë në mëshirë të fatit për disa muaj. Punimet për ndërtimin e bulevardit Petro Nini Luarasi, vijojnë të jenë të hapura dhe sipas planifikimeve të bashkisë pritet të mbarojnë në kulmin e fushatës. Ashtu si disa nga segmentet e ish Bllokut, të cilat janë hapur në fillim të këtij viti dhe pritet të mbyllen e përurohen nga fundi i qershorit. Punime po kryhen edhe në rrugën Siri Kodra apo në segmentet që lidhin Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës.
Edhe ndërtimi i xhamisë së re për besimtarët myslimanë në sheshin e Namazgjasë, ka një prapaskenë elektorale. Fillimi i punimeve u përurua disa javë më parë nga vetë Berisha dhe Basha, por edhe sot ato nuk kanë nisur. Në një deklaratë të tijën të fundit, kryebashkiaku u detyruar të pranojë se leja për ndërtimin e xhamisë është dhënë dhe se ato do të nisin shumë shpejt. Pastaj, sulmoi kryesocialistin Rama se për 11 vjet nuk bëri asnjë përçapje që kjo xhami të ndërtohej, nga paragjykimet që ky njeri ka për Komunitetin Mysliman, por jo vetëm. Pas mungesës së gjatë në televizione, Basha do të shfaqej javën e kaluar në Zonë e Lirë të Arjan Çanit për të deklaruar nisjen e një prej premtimeve më të mëdha të bëra prej tij në 2011: dhënien e hipotekave për apartamentet që nuk e kanë atë. Ai tha se qytetarët duhet të shpejtojnë ta bëjnë aplikimin tani në qershor, pavarësisht se premtimi i tij ishte se kjo çështje do të mbyllej brenda vitit të parë si kryetar bashkie. Nga ana tjetër, pasi u zgjodh në krye të Bashkisë së Tiranës, Basha premtoi se do të merrej vetëm me qytetarët, çka është