Deklarata/Berisha: Rritja ekonomike e gjysmës së vitit, 4 herë më e madhe se parashikimi i FMN-së
Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri u ndal edhe të rritja ekonomike.
Sipas tij rritja ekonomike e tremujorit të dytë, siç konfirmoi Instituti i Statistikave është e tillë saqë mund të themi se ekonomia doli nga plogështia e diktuar, nga një dimër i egër i paparë në 35 vitet e fundit. “Faktikisht rritja ekonomike në tremujorin e dytë ishte mbi 2 për qind. Nuk them se kjo është rritja më e mirë që ne presim. Rritje në vazhdim ne presim tremujorin e tretë kur është bumi turistik dhe tremujorin e katërt, pra e rëndësishme është që ekonomia sërish dëshmoi vitalitetin e saj, vitalitet që përkthehet në rritjen në një tremujor, 4 herë më të madhe se ajo që parashikon FMN si rritje vjetore dhe natyrisht në parashikimin e tyre nuk ka asgjë keqdashëse përveç idesë së tyre që të bëhet një përkujdesje e madhe për sa i përket shpenzimeve, të bëhet një përkujdesje e madhe për sa i përket disiplinës fiskale, të gjitha këto së bashku kanë bërë FMN që të bëjë një parashikim që të jemi realist me ju kaq shumë jo, por deri aty afër Ministria e Financave do të pëlqente shumë”, u shpreh Kryeministri Sali Berisha.