Deklarata/PD: Rama mbron Barjabën për shkak të interesave të ngushta që e lidhin me të
Partia Demokratike deklaroi dje se Edi Rama mbron hajdutin ordiner, Kosta Barjaba sepse e lidhin interesa të ngushta familjare me të.
Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi u shpreh se kreu i PS-së, jo vetëm që nuk e ka dënuar aktin e turpshëm të sekretarit të tij, Rektorit të Universitetit të mamuthit të korrupsionit Anastas Angjeli, por gati sa nuk i është përulur xhepistit, duke thënë se, “Barjaba thjesht cenoi pronën private”. “Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama vazhdon të mbrojë me vendosmëri aktin e ulët të hajdutit ordiner të Sekretarit për Çështjet Sociale të Partisë Socialiste Kosta Barjaba.
Kështu, ai dje vetëm sa nuk i kërkoi ndjesë xhepistit Barjaba te fliste për vjedhjen e tij të cilën z. Rama e cilësoi, si po citoj: ‘Gjest të papranueshëm të cenimit të pronës private me një vlerë prej 238 Dollarësh’. Pra, akti i Barjabës për të cilin të gjitha mediat e mëdha amerikane, njoftuan mbarë botën se një akademik shqiptar u arrestua nga policia duke vjedhur së bashku me të shoqen dhe vajzën e tij në magazinën Nordstrom të Palo Altos.
Sipas z. Rama ky ishte thjesht një gjest i papranueshëm, a thua se Kosta Barjaba kishte fyer ndonjë arkëtare apo nuk kishte respektuar radhën për të bërë pagesën. Ndërkohë që Barjaba ndodhet në qeli për vjedhje, z. Rama thotë se ai cenoi pronën private. Kështu, ai gati sa nuk tha se drejtuesit e Partisë Socialiste edhe kur vjedhin, nuk vjedhin por cenojnë apo marrin. Frika deri në palcë ndaj z.Barjaba, Sekretarit të Çështjeve Sociale të Partisë Socialiste, Dekanit ‘de facto’, Rektorit të Universitetit të Sekretarit për Çështjet financiare të Partisë Socialiste, mamuthit famoz të korrupsionit Anastas Angjeli, e detyroi dje z. Edi Rama të vazhdojë nga resorti ultraluksoz ku po dremit pushimet e fundvitit, të mbrojë Barjabën e tij. Kështu, ai dje u tha shqiptarëve se akti i Barjabës nuk është problemi i Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e PD.
Selia blu vazhdon denoncimin më tej, duke deklaruar se, “akti i Barjabës vërtetë është çështje e drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por është edhe një akt tronditës, i turpshëm për Shqipërinë”.
Sikurse, PD thekson se, prapa mbrojtjes së Barjabës, nga Edi Rama fshihen lidhjet e tij të ngushta familjare me Barjabën dhe frika e tmerrshme nga deponimi i Barjabës para drejtësisë amerikane për këto lidhje si dhe për origjinën e vërtetë të pallateve dhe vilave të çiftit Rama dhe kupolës së Partisë Socialiste, kredive pa interes dhe jo në rrugë bankare nga xhymertët anonime të Lindita Bashës.