Pse i mbron Rama Barjabën dhe Artan Shkëmbin?
Edi Rama sulmon KLSH-në dhe e shpall raportin e tij si injorant, për shkak se ai vetë ka shpikur stilin e vjedhjeve me lejet e ndërtimit, të cilat i ka përvetësuar nxënësi i tij më i zellshëm, Artan Shkëmbi. Rama i mbron Barjabën dhe Shkëmbin, për shkak se ata përfaqësojnë burimin e frontit të financimeve të paligjshme, me të cilat ai synon të vijë në pushtet. Sulmi ndaj KLSH, tregues i qëndrimeve që kreu i PS mban ndaj institucioneve të pavarura
Edi Rama është i vetmi në radhën e shkelësve të ligjit që iu gjend pranë kryebashkiakut të Pogradecit, Artan Shkëmbi i cili akuzohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për korrupsion dhe shpërdorim detyre, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik prej 470 milionë lekë. S’ka mëdyshje se raporti i KLSH-së ndëshkon në një farë mënyre edhe aferat korruptive të Edi Ramës gjatë qeverisjes 11 vjeçare në bashkinë e Tiranës, pasi praktikat e abuzimeve të Shkëmbit janë të njëjta me ato të kryesocialistit, si lëshimi i lejeve të ndërtimit në mungesë të planit urbanistik, përvetësimi i milionave në tenderë publikë, me klientelizëm dhe korrupsion e veprime të tjera antiligjore, të mjaftueshme për ta renditur bashkinë e Pogradecit, ndër bashkitë më të korruptuara në Shqipëri dhe në rajon.
Si të mos mjaftonte raporti i auditit të KLSH, i dokumentuar dhe i faktuar në detaje me të gjitha shkeljet e konstatuara gjatë ushtrimit të veprimtarisë së Artan Shkëmbit në bashkinë e Pogradecit, Edi Rama në një konferencë në Twitter s’vonoi ta cilësojë Kontrollin e Lartë të Shtetit si institucion “injorant” dhe ata që besojnë ato që lexojnë, pra shkeljet e prakticienit të korruptuar, i etiketoi pikërisht “injorantë”, sepse po i cenon burimet e financimit të Partisë Socialiste në përpjekje për të ardhur në pushtet.
Falë një investigimi disa mujor, qytetarëve iu paraqit një panoramë e zhvillimeve vendore në bashkinë e Pogradecit ku abuzimet dhe shkeljet financiare kanë arritur majën e Everestit dhe për Edi Ramën, kjo është thikë me dy presa, e para sepse i nxjerr të palarat një prej zyrtarëve të tij vendor më të afërt dhe financuesin kryesor të PS-së dhe e dyta, në thelb ridënohen dhe njëherë praktikat korruptive të tij në bashkinë e Tiranës.
Shqetësimi i Edi Ramës lidhet edhe me një shqetësim tjetër, i masivizuar fort në ditët e para të 2013-ës. Kryetari i grupit të punës për Çështjet Sociale, Kosta Barjaba, i projektuar nga Rama si ministri i Punës në hije, u kap duke vjedhur në një qendër tregtare në Kaliforni, duke shënuar kështu një tjetër moment fatalist për doktrinën politike të së majtës, në përpjekje për të ardhur në pushtet. Pikërisht, këto dy momente kapitulluan tezat politike të Edi Ramës, duke e shndërruar në një mirazh të largët ditën e ardhjes në pushtet.
Si Artan Shkëmbi ashtu dhe Kosta Barjaba përbëjnë standardin më të ulët të profilit politikbërës, të pleksur në afera të rëndomta hajdutërie, xhepistë, të korruptuar, klientelistë etj. Pikërisht, standardi politikbërës i Edi Ramës ka qenë i bazuar në veset amorale sikurse dominuan Bashkinë e Tiranës prej 11 vitesh me lëshimin e lejeve të ndërtimit klienteliste, betonizimin e hapësirave publike apo dhe gjobvënia 20 përqindëshi ndaj ndërtuesve në këmbim të miratimit të lejes së ndërtimit.
Veset e prakticienit të korruptuar Artan Shkëmbi dhe akti tronditës i vjedhjes së Kosta Barjabës në SHBA, shënuan formalisht kapitullimin politik të Edi Ramës dhe tezave dominante të Partisë Socialiste, në përpjekje për të shumëfishuar votat elektorale kundër mazhorancës. Si përfundim, Edi Rama bën moralistin me të korruptuar, hajdutë dhe xhepistë...