Deklarata/“Taksa ‘Koço & Koleka’ nxit evazionin dhe largon investitorët”

Kryeministri Berisha akuzoi kreun e opozitës, Edi Rama në lidhje me taksën progresive të propozuar nga socialistët, duke e akuzuar se nxit fuqishëm evazionin fiskal dhe largonin investitorë, ndërkohë që sipas tij ajo sulmohet edhe nga akademikët më të madhej botërorë.
“Meqenëse jemi te taksat, më duhet t’i them këtij spekulatori që thotë se borxhin duhet ta masim si përqindje të GDP-së, që edhe roja e Partisë Socialiste qeshi kur e dëgjoi, se spekulimi nuk shërben. Në sistemin aktual të taksave, çdo njeri që merr më shumë, paguan më shumë. Ky është sistemi i taksave që ne kemi vendosur. Ai që merr 400 paguan 40. Ai që merr 2000 paguan 200. Natyrisht, po të jetë për të paguar më shumë, ky është sistemi i ndershëm që paguan më shumë. Po të jetë për të futur urrejtje se ti je i pasur dhe unë të shkatërroj, lexoni Koçon, taksën e Kolekës, e cila çdo javë atakohet në mënyrën më serioze nga grupet akademike të botës. Sipas studimeve, ajo është faktuar absolutisht si një taksë që rrënon qindra e mijëra vende pune, si një taksë që largon investitorët nga vendi, si një taksë që nxit në mënyrën më të fuqishme evazionin fiskal. Do të ngre agjencinë speciale, policinë speciale, thotë zotëria. E kuptoni se cila është platforma? Ndaj ishte shumë e rëndësishme që ne shkonim në atë Konferencë dhe atë seancë si një vend me rritje të qartë ekonomike, pa recesion; si një vend në të cilin investimet e huaja janë rritur me mbi 3.16, eksportet janë rritur mbi 3 herë dhe jam i bindur se me reformat e ndërmarra dhe ato që do ndërmarrim gjatë muajve që vije, ekonomia shqiptare do të njohë nivele të reja rritje dhe zhvillimi”.