E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Deklaratat e Berishës, Rama: “Bufi i kënetës” plaçkitës folesh, specie armiqësore ndaj biodiversitetit


TIRANË, 14 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot në mënyrë ironike ndaj deklaratave të sotme kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha në lidhje me protestën e mbajtur para SPAK dhe GJKKO kur merrej masa e sigurisë për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj që i cilësoi si segmente të shtetit që ngrihen me dhunë kundër institucioneve të tjera.

“Bufi i kënetës është një plaçkitës folesh, i cili konsiderohet një rrezik edhe për shpendët shtëpiakë. Ai jeton mes zvarranikëve dhe amfibëve, me të cilët shuan edhe urinë. Trupi i tij grumbullon pesticidet dhe helmet kundër brejtësve, çka e bën helmues atë vetë. Konsiderohet edhe një specie shumë armiqësore ndaj diversitetit”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediet sot tha se PD do të padisë ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha dhe drejtorin e Policisë së Shtetit Ilir Prodën për shkak se Policia e Shtetit nuk mori masa gjatë tubimit të organizuar në mbështetje të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliajt, para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

“Kur antishteti vepron në këtë mënyrë, kur narkoshteti vepron në këtë mënyrë, qytetarëve nuk u ngelet gjë tjetër vetëm mbrojtja e Kushtetutës”, tha Berisha.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›