Deklaratat e Berishës, Rama: Paskam kryer krim me bonusin e pranverës për pensionistët, kam ndërmend të kryej akoma

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha në lidhje me krimet zgjedhore, duke theksuar se tashmë që i ka kryer dy të tilla, ka ndërmend të bëjë krime të tjera si ai i bonusit të pranverës për pensionistët.
“E para paskam kryer krim me bonusin e pranverës për pensionistët, që është shpallur që vjet falë rritjes së fortë ekonomike dhe të ardhura që kanë kaluar parashikimet për 2024! Krime të tilla për pensionistët kam ndërmend të kryej akoma, madje edhe më të rënda se ky i marsit dua t’i bëj, këtë vit dhe në vitet në vijim, kështu që këneta të bëjë denoncimet e veta, ndërsa pensionistët e dinë vetë se ç’do t’i bëjnë kënetës më 11 maj”, u shpreh Rama në një postim në rrjetin social “X”.
Kryeministri u ndal edhe te takimi i djeshëm me punonjësit e bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”.
“E dyta paskam kryer krim në sheshin Skënderbej me mbledhjen e punës me punonjësit e bashkisë që sapo kishin dalë nga puna. Ky është një tjetër krim që kam ndërmend ta përsëris, sepse në 16 maj Tirana do të mikpresë 46 udhëheqës të kontinentit evropian dhe 8 lider të organizatave të mëdha si BE e NATO, kështu që ata punonjës kanë shumë punë për të bërë”, u shpreh Rama.
“Natyrisht këneta ka bërë përsëri atë që bën qysh nga 1912 e asisoj edhe qëkur unë u shfaqa si djalli që ia mbylli rrugën e Tiranës e pastaj të Shqipërisë, bufit, zhabave, zhapikëve dhe zhgarravinave të saj, të cilët mua mund të vazhdojnë të më ndjekin nga pas, po Tiranën dhe Shqipërinë e kanë humbur përgjithmonë”, e mbyll postimin e tij, Kryeministri Rama.
Paraditen e sotme, Berisha komentoi takimin e Ramës me punonjësit e bashkisë duke deklaruar se: “në qoftë se vërtet SKAP e ka ndërmend të hetojë krimin elektoral, Edi Ramës duhej t’i vinte prangat në shesh me mitingun elektoral që organizoi mbrëmë”.
Berisha po ashtu e konsideroi “bonus elektoral”, “bonusin e pranverës” për pensionistët, i cili do të nisë të shpërndahet në 1 mars. /j.p/