U arrestuan me urdhër të SPAK, GJKKO cakton arrest me burg për Safet e Behar Bajrin si dhe Astmer Bilalin

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues për Safet Bajrin (Rustemi), Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin.
Sipas njoftimit të GJKKO, u caktua masë e sigurimit personal “arrest me burg” ndaj personave Safet Bajri (Rustemi), Behar Bajri dhe Astmer Bilali të dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Vrasje me paramendim” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal në dëm të viktimës Fatbardh Lici, grupi i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit thekson në akuzat e ngritura ndaj tre personave të arrestuar se nga hetimet e kryera në kuadër të këtij procedim penal, i cili lidhet me disa ngjarje kriminale të ndodhura në qytetin e Shkodrës në vitin 2018, rezulton se janë mbledhur prova mbi të cilat është krijuar dyshimi i arsyeshëm se personat nën hetim Safet Bajri (Rustemi), Behar Bajri dhe Astmer Bilali kanë planifikuar, organizuar dhe kanë kryer më 10.08.2018, në qytetin e Shkodrës, vrasjen me armë zjarri të shtetasit Fatbardh Lici, i afërm i shtetasit I.L. Motivi i vrasjes së tij dyshohet se lidhet ndër të tjera me atribuimin që shtetasi B.B, i bën shtetasit Ibrahim Lici për vrasjen e të njohurit të tij, shtetasit Boran Bërçana.
Ditën e sotme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka ekzekutuar masat e sigurisë për personat nën hetim, Safet Bajri (Rustemi), Behar Bajri dhe Astmer Bilali. /j.p/