Deklaratat e Berishës, SPAK: Asnjë kallëzim nga shtetasi i përmendur Zaho Koka për Ols Ramën

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar sot ndaj deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili u shpreh se, në SPAK ka ardhur një dosje e dorëzuar nga Zaho Koka.
Në përgjigje të interesit të medias, zyra e shtypit e SPAK bëri të ditur sot se, “nisur nga deklarata e bërë në media, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani i është drejtuar Drejtoreshës së Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) përmes një shkrese më dt. 13.01.2025, për të bërë verifikimet e nevojshme, nëse është dërguar në BKH ndonjë shkresë nga shtetasi i përmendur si Zaho Koka, ku jepet informacion për shtetasin Ols Rama, si edhe rrëmbimin e një biznesmeni me inicialet V.B”.
“Përmes kësaj shkresë, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka kërkuar nëse është dërguar një informacion i tillë, është regjistruar apo caktuar ndonjë hetues i BKH-së (cili prej tyre) dhe nëse është bërë verifikimi i tij. Dumani ka kërkuar gjithashtu të informohet nëse kanë përfunduar verifikimet e kryera dhe cila është procedura”, thuhet në reagim.
“Më datë, 14.01.2025, Drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit, përmes një shkresë sqaroi se: “Nga verifikimet e kryera në Sekretari,Protokoll rezulton se në Byronë Kombëtare të Hetimit nuk ka ardhur letër, kallëzim apo denoncim nga shtetasi i pretenduar si Zaho Koka”, përfundon reagimi i SPAK.
Berisha deklaroi sot për mediet, pas daljes nga SPAK ku u paraqit për të kryer ‘masën e detyrimit’ të paraqitjes se, në SPAK ka ardhur një dosje e dorëzuar nga Zaho Koka dhe këtë nuk do të mund ta fshehë dot kurrë SPAK”.
“Gjatë kohës që qëndrova në këtë ndërtesë, gjeta aty Zaho Kokën me dosjen e tij. Zaho po dëshmonte, i rrethuar nga disa OPGJ, për Olsi Ramën. Ai kishte dorëzuar fotografi, video, të cilat faktonin se Olsi Rama është një kriminel trafikant dhe se ai bashkë me një bandë trafikantësh, erdhi nga Bostoni për të vazhduar trafiqet në Shqipëri”, tha Berisha.