E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratat e Topallit dhe Olldashit, reagon PS-ja

Partia Socialiste ka reaguar sot pas deklaratave të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli dhe deputetit Sokol Olldashi të cilët akuzuan kreun e PS-së Edi Rama për puç shtetëror. Në një konferencë për shtyp anëtarja e Asamblesë së PS-së Megi Ajtyresa ka theksuar se përfaqësuesit e këtij pushteti matrapezësh e kusarësh sot, ditën e varrimit të dy shqiptarëve të pafajshëm, dalin e flasin për banda kriminelësh e horrash.
 

“Si nuk i vjen turp Jozefina Topallit e Sokol Olldashit që pikërisht sot, kur viktimat e egzekutorëve të Sali Berishës e Lulzim Bashës nderohen nga një Shqipëri e tërë, ndërkohë që egzekutuesit enden akoma të lirë edhe pse mbi ta rëndojnë jo vetëm jetët e 3 viktimave, por edhe 6 fletëarreste akoma të pazbatuara nga policia e Lulzim Bashës. Cilat janë bandat që tentuan të merrnin pushtetin me dhunë? Ata që u qëlluan për vdekje teksa thjesht po qëndronin duarbosh, dukshëm larg godinës së kryeministrisë, emigrantë, bujq e të papunë, baballarë fëmijësh të mitur, që protestonin paqshëm kundër këtij regjimi që jo vetëm vodhi çdo ditë shqiptarët, por që tani dhe i vrau pa i bërë syri tërr? Apo nëna me fëmijën në gji, që akoma sot ndodhet turpësisht e burgosur në burgun 313 në Tiranë?” theksoi Ajtyresa.

“Cilin shtet ligjor e cilat institucione mbronin këta vrasës ende në liri, të cilët pasi morën plot 3 jetë njerëzish edhe u shpërblyen financiarisht nga Sali Berisha? Si guxojnë këta njerëz të flasin për institucione të pavarura, kur pikërisht sot, në mënyrë të paprecedentë dhe të turpshme gjetën kurajën të akuzojnë Prokuroren e Përgjithshme si organizatore të një grushti imagjinar shteti?” përfundoi Ajtyresa.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›