Demonstrata, Kuvendi ngre komision hetimor
Kuvendi ka miratuar mbrëmjen e djeshme vendimin për ngritjen e komisionit hetimor të demonstratës të dhunshme të 21 janarit, ku vdiqën 3 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.
Vendimi për ngritjen e komicionit u miratua vetëm me votat e mazhorancës pasi opozita nuk ishte e pranishme në sallë. Deputetët e mazhorancës votuan me 73 vota pro dhe asnjë votë kundër apo abstenim ngritjen e komisionit për hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.
Ky vendim parashikon hetimin e veprimtarisë së institucioneve për zbulimin dhe identifikimin paraprak të kërcënimeve për përmbysje të rendit kushtetues dhe masave për parandalimin e ngjarjeve.
Sipas kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli ky komision do të shqyrtojë kërkesën e deputetëve të mazhorancës për të hetuar veprimtarinë e institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues në datën 21 janar 2011.
Ndërkohë komisioni do të hetojë për një afat prej tre muajsh personat që nxitën dhunën që shpërtheu në demonstratën e 21 janarit.