E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Deklaratat e opozitës për rritjen e borxhit, dashakeqe dhe me qëllime elektorale”

04-12-2012 / Gazeta 55

Flet kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së

Sipas raporteve ndërkombëtare Shqipëria renditet në një nga vendet me borxh jo të lartë, duke lënë pas 104 vende. Kryeministri Berisha tha se borxhi do mbahet në kufijtë 60+/- 2 për qind, në një kohë kur ekonomitë më të fuqishme kanë një borxh shumë herë më të lartë se Shqipëria

Kryeministri Sali Berisha i cilësoi dashakeqe dhe tendencioze deklaratat e opozitës për rritjen e nivelit të borxhit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kryeministri Berisha theksoi se akuzat e opozitës ndaj ligjit për ndryshimin e nivelit të borxhit bëhen për përfitime elektorale. “Unë i kam ndjekur më shumë interes diskutimet në komisionet parlamentare. Falënderoj të gjithë deputetet e mazhorancës dhe të opozitës, për angazhimin e tyre në diskutimin  e këtij ligji, por duhet të theksoj para qytetarëve shqiptarë se përpjekja e eksponentëve të caktuar të opozitës, për të dramatizuar problemin e rritjes së nivelit të borxhit nga 60 për qind në 62.6 për qind, është qesharake, qëllimkeqe dhe nuk ka asgjë tjetër, përveçse kërkon të pengojë këtë mazhorancë dhe këtë qeveri që të garantojë jo rënien, por rritjen e mirëqenies ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Kushdo që e lexon këtë ligj, në çdo formë që ta lexojë, konstaton se ai ka një qëllim dhe destinacion madhor: Rritjen e mirëqenies së familjeve dhe qytetarëve shqiptarë. Qytetarë, zhurma për borxhin ka vetëm një synim: zilinë që ky buxhet krijon te ata që nuk kanë dëshirë të shohin rritjen e mirëqenies tuaj ekonomike dhe ecjen më tej të programeve të zhvillimit të vendit. Shqipëria duhet të zhvillohet. Ajo nuk është ende vend i zhvilluar, por është në rrugë të sigurt, të ecjes drejt një vendi të zhvilluar”, u shpreh Berisha.
Sipas kryeministrit, raportet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë në një nga vendet me borxh jo të lartë.
“Më lejoni t’ju njoh me problemin e borxhit në Europë dhe në botë. Nga renditja e 145 vendeve të planetit, sipas madhësisë së borxhit publik ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto apo GDP-së, nisur nga vlera më e madhe tek më e vogla, Shqipëria renditet vendi i 41-të. Vendi ynë lë pas në këtë raport 104 vende, me një borxh 59.7 për qind. Ndërkohë që ekonomitë më të fuqishme të botës kanë një borxh shumë më të lartë se Shqipëria. Me lejoni të citoj se Japonia, ekonomia e tretë e botës, ka një borxh prej 211.7 për qind të Prodhimit të Brendshëm dhe renditet e 2-a. Italia e 8-a, me 120 për qind të Prodhimit të Brendshëm, rreth 2 trilionë. Singapori, vendi që shkëlqen dhe frymëzon, renditet i 10-i, me një borxh prej 118 për qind. Kanadaja renditet e 16-a, me një borxh 87 për qind. Mbretëria e Bashkuar renditet e 17-a në botë për madhësinë e borxhit, me 86,3 për qind. Franca e 19-a për borxhin më të madh, me 86, 1 për qind. Republika Federale Gjermane renditet e 23-a në botë me 81,8 për qind. Austria renditet e 80-a, me 73,6 për qind. Shtetet e Bashkuara të Amerikës renditem të 35-t me 102,7 për qind. Siç e shihni, Shqipëria ka një nga pozicionet e lakmueshme, pasi ajo renditet në grupin e 1/3 së vendeve me borxh jo të lartë. Ju lutem kërkoni në internet ‘Global Debt Clock’ dhe aty janë të gjitha zonat e borxhit. Shqipëria është në zonën jeshile. Aty nuk është vetëm përqindja e borxhit, por edhe struktura e tij, themeli i tij, që e bën borxhin e Shqipërisë, le ta quajmë, një borxh beninj. Por, përse gjithë kjo stuhi, për shkak të rritjes së borxhit 2 për qind? Kjo sepse duhet me çdo kusht që ulja e nivelit të jetesës së shqiptarëve të konvertohet në vota. Kjo nuk mund të ndodhë, nuk mund të pranohet”, theksoi ai.
Berisha solli në vëmendje se nga viti 2008 e deri më sot, qeveria ka mbajtur borxhin, 60 +/- 2 për qind.
Sipas tij, është suksesi ekonomik ai që e mban borxhin në nivele të kontrollueshme.
“E ka mbajtur ekonomia dhe dinamizmi i saj, e kanë mbajtur politikat e drejta të qeverisë. Edhe vende të tjera, edhe këtu në rajon, e kanë pasur borxhin 23 për qind në vitin 2008 dhe sot e kanë 56 për qind”, tha ai.
Kreu i qeverisë tha se nga viti 2005 e deri më sot, nuk është marrë qoftë edhe një qindarke borxh për rrogat dhe pensionet apo dhe për ndihmën ekonomike.
“Ne kemi marrë borxh për rrugët, për shkollat, për ujësjellësit tuaj. Mos harroni se një dollar investim në rrugë, e kthen me 5 dollarë fitimin. Ndaj edhe neve nuk na rritet borxhi, sepse rriten të ardhurat. Mos harroni se një dollar në infrastrukturë, në tërësi, apo në Shqipërinë dixhitale, e kthen me shpejtësi në dinamizëm ekonomik, në gjallërim të ekonomisë. Edhe në kulmin e krizës, ky është vendi i vetëm, në të cilin janë dyfishuar bizneset. Ata nuk kanë qëllim tjetër, por qëllimi i vetëm është që të mos e rrisim 2 për qind e t’i lëmë rrugët pa bërë, t’i lëmë shkollat pa ndërtuar, t’i lëmë rrogat pa rritur, t’i lëmë pensionet pa rritur, në mënyrë që të bjerë niveli jetesës dhe atyre t’ju bjeri ‘shi’ me vota në kuti. Kjo nuk mund të ndodhë. Ne nuk e kemi bërë këtë për zgjedhje, por këtë politikë e kemi bërë çdo vit. Ne kemi qenë konstant, për nivelin e jetesës së qytetarëve”, theksoi më tej kryeministri Beriha.

Projekti madhor i Shqipërisë, “të bashkuar në Evropë”

Nga mbledhja javore e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha ka falënderuar të gjithë shqiptarët që morën pjesë masivisht në festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë. Madje në këtë kontekst, kreu i qeverisë shqiptare evidentoi faktin se projekti më madhor i kësaj qeverie është pikërisht bashkimi i shqiptarëve në Evropë. “Takim që zhvillohet pas një feste, të cilën shqiptarët, me entuziazmin, me dashurinë dhe përkushtimin e tyre për flamurin, e ngritën në lartësitë më të mëdha. Ndaj le t’i falënderojmë edhe njëherë qytetaret dhe qytetarët e këtij vendi, për mënyrën dinjitoze, fisnike, entuziaste dhe për dashurinë që derdhën në këtë 100 vjetor për njëri-tjetrin, vendin dhe flamurin. Kurrë në histori, kombi shqiptar nuk është ndier më i bashkuar, se në kremtimet e këtij 100 vjetori. Ndaj i garantoj shqiptarët se mesazhi i tyre do të jetë projekti i  ardhshëm i Shqipërisë dhe shqiptarëve, kudo që janë, nën moton ‘Të bashkohemi njëri me tjetrin, të bashkohemi në Evropë’. Proces ky që do të konsolidojë më tej paqen, stabilitetin, prosperitetin jo vetëm për shqiptarët, por në tërësi në Ballkan.
Kështu që le të vazhdojmë në projektin tonë të madh, të rëndësishëm, projekt që është hartuar në mënyrën më gjeniale nga Sami Frashëri dhe që shkon duke u bërë gjithnjë e më shumë realitet”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›