E Shtunë, 31 Tetor 2026

E braktisura opozitë bllokuese

20-01-2013 / Nga Luan Myftiu

Përse çdo intelektual, që duhej të parapëlqente opozitën, nuk ka sot asnjë simpati për PS-në? Përse dhe vetë elektorati socialist ndihet sot i braktisur prej saj? Madje, pse, vallë, edhe vetë PS-ja është çoroditur, sa po merret vetëm me sharje ndaj kundërshtarit ? Mos, vallë, ngaqë gjithë e majta është e zhgënjyer prej kësaj bllokueseje? Apo PS.-ja ecën me kokën mbrapa ? Dhe, sado që pyetjet janë pa fund, votuesi shqiptar nuk hutohet, pasi i ka përjetuar vetë shumë qëndrime të pafalshme të PS-së. Se dhe çdo socialist e di sot që, kur PS-ja duhej të mbronte kryesisht aspiratat e tij, kjo bllokuese merret me mohimin e sukseseve të kundërshtarit dhe, ndërsa bën sikur u mbron të drejtat dhe liritë shqiptarëve, sajon vetëm alarme për gjoja shkatërrim të ekonomisë dhe zaptim të institucioneve ! Sepse PS-ja nuk merret as me mbarëvajtjen e demokracisë, as me realizimin e aspiratave kombëtare, as me integrimin, as me angazhimet e vendit në detyrimet e tij ndaj paqes dhe lirisë në Botë, etj. Prandaj, sado të duket e pabesueshme, ajo e ka humbur sensin e të bërit opozitë, tamam si njeriu që ndihet i alarmuar nga parandjenja e një humbjeje të paralajmëruar. Dhe vërtet, në vend që kjo opozitë të ishte “gardiania” e të drejtave qytetare, ajo vazhdon të blasfemojë edhe ato që demokracia ka arritur me sakrifica. Dhe, meqë nuk përpiqet të fuqizojë imazhin e vet duke u bërë “gardiane” e interesave të elektoratit, ajo ka humbur kështu edhe të ardhmen e saj politike. Po nga i buron PS-së sot gjithë kjo apati, ky fatalitet politik ? Përse të jetë ajo një opozitë kaq destruktive? Mos, vallë, është e paaftë, apo ka frikë të ballafaqohet me të vërtetën? Të presë, vallë, kthimin e diktaturës, kur dhe më naivët e dinë që rrota e Historisë nuk kthehet mbrapa? Apo nuk pranon dot të kërkojë ndjesë për të kaluarën diktatoriale të “nënës” së saj? Mos, vallë, ndien që nevojë të rrijë edhe ca vite në opozitë për t’u rinovuar? Apo deliri i madhështisë e pengon të pranojë pushtet nga vota e e një sovrani, që u mësua ta shihte të trajtuar si skllav? Se, si shpjegohet fakti që kjo opozitë nuk lufton si shërbestare e njerëzve që e kanë zgjedhur? Që, sa më shumë thellohet demokracía, aq më tepër ajo i mbush radhët e veta me mëkatarë të diktaturës, apo me pinjoj bllokmenësh të papenduar? Mos ndoshta, e mësuar me prepotencë dhe arrogancë diktature, e ka të pamundur të pajtohet me llogaridhënien që kërkon demokracía? Vërtet, si shpjegohet kjo shkëputje e saj nga detyrimet ndaj zgjedhësve të saj? Vallë, nga i vjen tërë ky guxim për bllokimin e reformave, që do të mundësonin integrimin e vendit në BE? Ndaj duket sikur PS-ja është në kërkim të vetes, sidomos kur mendon që shqiptarët, të dalë nga një diktaturë aq e egër, kanë një tjetër qasje me të kaluarën e tyre historike. Madje, shtresa të tëra, të martirizuara, e kanë sot të pamundur të harmonizohen me xhelatë, që dje u morën jetën dhe pasurinë, që i diferencuan jo vetëm politikisht, që i përbuzën, i përndoqën, i internuan dhe i burgosën krejt pa faj. Në fund, dhe që i pushkatuan duke i lënë pa varr! Ndaj, nuk ka si të mbështesin këto viktima njerëz që drejtojnë PS-në e parinovuar! Se është paradoksale, madje krejt e pamundur që të joshet nga premtimet e një krimineli, viktima e poshtëruar prej tij një jetë të tërë! Që ajo t’i bashkohet sot mitingut të nostalgjikëve të komunizmit. Jo! Jo! Kurrë Nuk mund t’i afrohet protestës së neobllokmenëve një i persekutuar i komunizmit, ndaj të cilit dhe shtresës së tij nuk është kërkuar as falje, as është shprehur ndonjë respekt, a mirënjohje!
Prandaj, sa kohë që kjo opozitë do të përbëhet nga njerëz, që dje i shitën diktaturës edhe shpirtin, apo që kjo opozitë do të drejtohet nga anëtarë të nomenklaturës së lartë komuniste, nga nostalgjikë të atij sistemi gjakatar, ajo duhet të shpresojë të marrë ndonjë votë vetëm nga mëkatarë të papenduar të diktaturës, apo nga ndonjë militant fanatik i sistemit të hurit e të litarit! Mirëpo, kur kjo gjë dihet, përse atëherë kundër kësaj opozite janë sot edhe individë e shtresa jo të persekutuara? Madje, veç legjione të majtësh, edhe shumë socialistë proeuropianë ?! Mos, vallë, pse diktatura bëri shumë njerëz dhe shtresa të pakënaqura? Apo ngaqë ajo mizore zhgënjeu gati gjithë popullin? Sepse dihet që prej saj gati të gjithë shqiptarët dolën të zhgënjyer, të fyer e të poshtëruar, të tallur, të pavlerësuar, bilé dhe të zemëruar me të. Kurse, të zgjuar sot nga “gjumi” letargjik i përrallës komuniste, ata mendojnë shumë më ndryshe ! Ndaj, edhe kur janë të majtë, apo militantë të PS-së, presin të tjera qëndrime prej saj ! Sepse, kur ata sot njohin demokracinë e vërtetë, zhvillimet reale të qytetërimit, natyrshëm ata urrejnë edhe më shumë, jo vetëm gënjeshtrën komuniste, por dhe arrogancën e kësaj opozite bllokuese, e cila po i lë jashtë familjes europiane. Ndaj nuk ka si të pajtohen shqiptarët sot me frymën nihiliste të kësaj opozite, që arrin të braktisë parlamentin, të mohojë kështu deri dhe vetë pluralizmin! Nuk ka si të votojë një qytetar i europianizuar këtë opozitë, e cila, jo vetëm nuk njeh humbjen elektorale, por pa turp bllokon integrimin, pengon afrimin e vendit me strukturat euroatlantike! Ndaj jo! Nuk kanë si ta ndjekin pas sot shqiptarët një forcë politike, e cila nuk njeh asnjë sukses të kundërshtarit, që shpif e sajon alibi, mbi trillimet e veta, që përpiqet të nxjerrë kapital politik edhe nga fatkeqësitë natyror. Se nuk mund të mbështetet një opozitë që nuk distancohet nga e kaluara dhe nuk dënon krimet e komunizmit. Vërtet, si mund të mbështeten nga shqiptarët këta mëkatarë, që endé i quajnë “gabime” mizoritë e luftës së klasave? Që justifikojnë gjenocidin komunist me shprehjet “Ashtu ishin ligjet”, dhe që përpiqen të bllokojnë sot  aspiratat themelore edhe të socialistëve progresistë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›