E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaratë e 41 imamëve të xhamive në vend

Ndaj akuzave që penalizojnë myslimanët shqiptarë, për nxitje të akteve terroriste.

Duke u nisur nga ngjarjet e fundit, të arrestimit të një predikuesi mysliman, që u pasua nga akuza për terrorizëm, si dhe nga mënyra se si kjo çështje u trajtua nga mediat, ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, jemi të detyruar të sqarojmë se:

1- Dënojmë çdo propagandë apo aktivitet kriminal që cenon jetën, pasurinë dhe moralin e qytetarëve të këtij vendi, qoftë kjo, edhe nën petkun e fesë dhe besimit.


Ashtu siç dënojmë dhe abuzimin që bëhet nga persona të ndryshëm, me koncepte të tilla islame siç është xhihadi, për të justifikuar aktet terroriste që nuk kanë të bëjnë aspak me të.


Xhihadi në konceptin islam, nuk është aspak strehë për dhunën ndaj të pafajshmëve, për prishjen e rendit publik dhe terrorizimin e popullsisë civile.


Xhihadi është përpjekje njerëzore për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe vendosjen e drejtësisë, ku njerëzit të shijojnë lirinë që u ka falur Zoti. Në këtë kuptim, ai përfshin në vetvete para së gjithash çdo aktivitet paqësor të besimtarëve, që përpiqen për lartësimin e së mirës.


Lufta e armatosur, sipas Islamit, është opsioni i fundit, i padëshiruar, por që mund të ligjërohet vetëm në kushte ekstreme të vetëmbrojtjes, dhe nën juridiksionin e një shteti. Zoti për këtë shprehet në Kuran dhe thotë: "Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t'u mbrojtur nga njëri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut." (22:40)


2- Terrorizmi është përdorimi i dhunës për arsye politike. Për këtë arsye, tradita e shenjtë islame është kundra terrorizmit, ashtu si dhe kundra çdo lloj filozofie ku qëllimi justifikon mjetin, pavarësisht se sa i lartë mund të jetë qëllimi.


Por, ashtu si fetë e tjera qiellore, Hebraizmi dhe Krishterimi, Islami ka një trashëgimi luftarake, xhihadin, i cili disiplinohet nga konsiderata etike të formuluara qartë në librat themeltarë të fesë.


Kjo gjë, shprehet qartazi në tekstet fetare, ku lufta konsiderohet si një alternativë e detyruar, në mbrojtje të jetës, fesë dhe pasurisë nga një agresion i jashtëm, si e drejtë themeltare njerëzore për rezistencë ndaj okupimit.


3- Prej disa dekadash, në vende të ndryshme të botës, grupe terroriste janë përpjekur të monopolizojnë dhe përdorin idealet klasike të xhihadit për agjendat e tyre politike, duke projektuar veten si përfaqësues të një tradite të nderuar.


Dijetarët myslimanë, kanë demaskuar këto përpjekje dhe kanë vënë në dukje se terrorizmi dhe xhihadi janë në kundërshtim me njëri-tjetrin, qoftë në ideologji apo metodologji.


Të njësosh xhihadin me terrorizëm, siç është bërë në akuzën e ngritur ndaj Artan Kristos, në një kohë kur lufta kundra terrorizmit është edhe një luftë idesh dhe idealesh, është t'u japësh një fitore të pamerituar ideologjike, terroristëve. Terroristët, nuk janë luftëtarët çlirimtarë të xhihadit, ata janë thjesht kriminelë.


Të njësosh terrorizmin me xhihadin është njëkohësisht cenim për besimtarët myslimanë, sepse inkriminon pa të drejtë traditën e tyre, si dhe për gjithë popullin shqiptar, i cili nuk ka nevojë për prurjen artificiale të tensioneve nga regjione të tjera me tensione politike që nuk janë tonat.


4- Në lidhje me akuzën që është ngritur ndaj Artan Kristos, për thirrje dhe nxitje të akteve terroriste, duke u nisur nga çfarë është bërë publike në media nga organi i akuzës, ne si teologë dhe njohës të mirë të problematikave fetare konstatojmë se:


Çështja e xhihadit luftarak në botën islame, është një problematikë që i përket një konteksti politik të largët nga ai i yni, dhe për këtë arsye, e gjykojmë si të papërshtatshëm trajtimin e temave të tilla në radhën e besimtarëve shqiptarë.


Xhihadi që u intereson muslimanëve shqiptarë, është predikimi i fjalëve të Zotit, bamirësia ndaj njerëzve, toleranca ndaj të tjerëve dhe nxitja për çdo vepër të mirë që lartëson virtytin e njeriut.


Në shprehjet e Artan Kristos, të paraqitur këto ditë nga disa media, pavarësisht retorikës së përdorur, ne nuk konstatojmë se ka elemente me prapavijë nxitjen e akteve të terrorit, në të ardhmen e afërt apo të largët.


Për më tepër dhe për aq sa e njohim Artan Kriston, ai është një kritik i ashpër ndaj akteve terroriste, ashtu sikurse edhe të gjithë studentët shqiptarë që kanë studiuar në universitetet islame.


Kjo dëshmi e jona, bazohet vetëm mbi atë çka njohim prej tij personalisht, si dhe çfarë dallohet qartë nga ligjëratat dhe shkrimet e tij. Kështu që i bëjmë thirrje organeve përkatëse, të studiojnë me ndihmën e ekspertëve, nuancat dhe terminologjinë e përdorur për rastin në fjalë, të akuzës për nxitje të akteve terroriste dhe të tregojnë përgjegjësi legale dhe qytetare në procedimin e tij.


Ashtu siç i bëjmë thirrje organeve shtetërore, mediave dhe mbarë opinionit publik, të jenë sa më objektivë dhe të kujdesshëm në trajtimin e çështjeve të tilla delikate, të cilat prekin ndjenjat e një komuniteti të madh njerëzish dhe cenojnë tolerancën dhe bashkëjetesën e qytetarëve të këtij vendi.


Ne gjykojmë se, asnjë e mirë nuk i vjen vendit tonë, nga nxitja e fobive ndaj Islamit dhe myslimanëve, që kanë treguar për shekuj me radhë se kanë qenë faktor i paqes dhe harmonisë në mesin e shqiptarëve.


1. Ahmed Kalaja
2. Altin Plumbi
3. Arben Ramkaj
4. Arenc Xhevori
5. Arjan Ahmesula
6. Arjan Gazidede
7. Arjan Haskasa
8. Arjan Kutelli
9. Bashkim Thaçi
10. Bledar Aliw
11. Bledar Haxhiu
12. Bledar Karaj
13. Bledar Shkrepi
14. Durim Aliaj
15. Edmond Ajdini
16. Edmond Çifliku
17. Eduart Jaho
18. Edvin Ruka
19. Emrim Koçi
20. Fatjon Isufi
21. Fatmir Bajrami
22. Gazmir Nabolli
23. Genc Balla
24. Genc Plumbi
25. Hariz Allkoçi
26. Irfan Tota
27. Ismail Bardhoshi
28. Justinian Topulli
29. Kastriot Bardhi
30. Klodjan Mulita
31. Kujtim Hasani
32. Marsel Telezi
33. Migen Matraku
34. Mirandi Shehaj
35. Murat Basha
36. Rudenc Rexha
37. Sajmir Ismaili
38. Selim Tota
39. Shaqir Shahu
40. Sulejman Rustemi
41. Vladimir Agolli
42. Ylli Rama

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›