Kompromisi, mision i (pa)mundur
Kriza politike ka arritur pothuaj në një pikë vlimi, kur nga njëra anë, perëndimorët kanë rritur presionin për të projektuar më në fund një kompromis dhe nga ana tjetër, palët nuk lëshojnë pe asnjëra, kurrsesi.
Apeli për kompromis, u përsërit këto ditë gjatë punimeve të konferencës "Regjimi pa viza, hapat e para", kur përfaqësues të PE sërish kanë kujtuar nevojën e dialogut. Më parë, ishte ambasadori amerikan John Withers që i bëri apel politikës shqiptare të marrë përgjegjësitë e duhura, të vazhdojë dialogu, të arrijë një kompromis. Tani po dëgjojmë të thuhet se do të ketë një negociator të huaj për krizën.
Mund të tingëllojë si një pyetje tepër naive, por çfarë është në fund të fundit kompromisi? Në anglisht, do të thotë të gjesh marrëveshjen për të komunikuar, në frëngjisht përkthehet edhe harmoni, ujdi, kurse në italisht shqipërohet, midis të tjerave, edhe si lëshime të dyanshme.
Mirëpo, kjo gjë është krejt ndryshe në shqip. Kompromisi, për shumë nga ne, është njëlloj tabuje, një koncept që bie erë disfatizëm. Shumë nga politikanët e sotëm, janë ende nën ndikimin e parimeve të ngurta, që frymëzojnë kundërshtime ndaj çdo lloj kompromisi, ndaj në praktikën e përditshme, kompromisi vështrohet si një gjë armiqësore.
Për të gjithë përvojën politike të tranzicionit shqiptar, kompromis nuk do të thotë arritje e një akordi, bashkëpunim, mirëkuptim, lëshime reciproke, bisedë. Jo. Kompromis do të thotë: godite kundërshtarin pareshtur, lodhe atë, shpërfill publikun, gjej pretekste për të mos bërë dialog, kundërshto çdo gjë, përherë.
Është e vërtetë se nga ana e opozitës, janë formuluar një sërë kërkesash të prera në lidhje me hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit.
Është po kaq e vërtetë, se edhe shumica, nuk ka vullnetin e duhur për kompromise e dialog. Në të gjitha prononcimet e drejtuesve a zëdhënësve politikë, për të mos shkuar deri te mediat pranë tyre, rëndom ka vetëm sulme dhe zhurmë, a thua lufta politike është një qëllim në vetvete.
Tani sulmet kanë degjeneruar deri atje, sa po bëhet çmos t'iu mbushet mendja njerëzve se opozita është fajtorja e madhe, se ajo po pengon liberalizimin e vizave dhe bashkimin e vendit me Perëndimin! A mund të ketë kompromis pasi luhet në mënyrën më banale me terma të tillë?
Në të vërtetë, kompromis, do të thotë që palët të vështrojnë se cila është rruga e zgjidhjes së konfliktit, si mund të dilet prej tij me kontributin dhe pëlqimin e të gjithëve, çfarë mundet t'i bashkojë palët në një kohë e në rrethana të caktuara.
Përpara jo më shumë se dy vitesh, në rastin e përplasjeve pas zgjedhjeve vendore, zëdhënësit dhe këshilltarët e shumicës (që edhe sot është po ajo), vlerësonin se kritikat e atëhershme të ndërkombëtarëve, s'kishin të bënin me administratën dhe se shigjetat e tyre i drejtoheshin PS-së. E njëjta histori po përsëritet edhe sot e kësaj dite.
Zëvendësministrja e Jashtme e Shqipërisë, Edith Harxhi, gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara, midis të tjerave, do të deklaronte në "Zëri i Amerikës" se bojkotimi i parlamentit nga opozita nuk e dëmton imazhin e Shqipërisë, por vetëm...imazhin e opozitës!
Si mund të tolerohen deklarata të tilla, krejt të njëanshme dhe për më tepër provokuese, në një kohë, që të gjithë e shohin me sytë e tyre që kriza, më e pakta, nuk mban një dhe të vetme autorësi. Madje, të gjithë e dinë, se konflikti shkon edhe përtej asaj punës së kutive dhe zgjedhjeve të 28 qershorit.
Pozitë e opozitë, janë duke shkëmbyer replika nga më të ashprat, për një sërë temash, si : tuneli i Kalimashit, shmangia nga Gërdeci, kundërshtimi i vendimit për biznesin e vogël dhe i amendamenteve për taksat vendore, që sipas të majtëve, shkelin autonominë e pushtetit lokal, etj. (Shpejt mund të ndizet një tjetër debat, pasi sapo ka dalë raporti i "TIA" për indeksin e korrupsionit, ku për vitin 2009, Shqipëria renditet në vendin e 95-të.)
Në këto kushte, shenjat për kompromis janë krejt të papërfillshme. Në mbledhjen më të fundit të Grupit Parlamentar të PD, kryetari i saj dhe njëherësh kryeministri i shumicës, Sali Berisha, ceku temën e zgjedhjeve të pjesshme, ku sipas tij "pjesëmarrja arriti pothuajse 80 për qind të pjesëmarrjes së vitit 2007".
Sido që të vijnë përqark "valët" e kompromisit, mbi një shifër të tillë vështirë të bëhet kompromis, ndërkohë që në këto zgjedhje të pjesshme pjesëmarrja ishte "bir Selman i nënës".
Në konferencën e fundit për shtyp, me rastin e miratimit të kërkesës së Shqipërisë për statusin e kandidatit për vend anëtar të BE-së, Berisha i zbuti dukshëm tonet: "Një apel thellësisht të sinqertë dhe miqësor ndaj opozitës shqiptare: le të punojmë së bashku në këto momente historike për çdo shqiptar, për kombin dhe vendin në tërësi, të ndërmarrim së bashku reformat më të thella si interesi më jetik dhe më i mirë i qytetarëve të këtij vendi, pa dallim nga bindjet e tyre politike."
Kurse nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, tha se vendimi i BE-së (për pranimin e kërkesës për statusin e vendit kandidat) është konfirmim për reformat dhe certifikimin e zgjedhjeve.
Nuk duhet shumë mund, për të lexuar midis radhëve se shumica që po vuan, por edhe pse është kështu, nuk do të luajë nga pozitat e mëparshme politike dhe s'do të lëshojë pe. Kurse opozita po merr masa për një protestë të madhe në 20 nëntor. Dhe s'dihet për çfarë më tej.
E vështirë që ta zgjidhë këtë krizë lidershipi aktual i politikës shqiptare. Është një mision pothuaj i pamundur për të. Por ndërkohë, edhe nëse zgjidhja vjen nga jashtë, janë të gjitha gjasat të ndodhë kështu, kjo do të dëshmonte edhe njëherë shkallën e (pa) pjekurisë politike dhe njëfarësoj do të përligjte zgjatjen ende të tranzicionit për shqiptarët.