E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaratë për shtyp e Këshilltarit të Kryeministrit për Arsimin, z. Myqerem Tafaj

Partia Socialiste prodhoi sot një tjetër deklaratë për arsimin, e mbushur si zakonisht me të pavërteta dhe trillime. Por deklarata e sotme përmbante edhe një element tjetër; ajo kishte dhe një frymëzim të qartë ideologjik. Kuptohet një frymëzim që buron nga ideologjia e origjinës së kësaj partie.

Kjo qeveri e gjeti arsimin shqiptar plotësisht të harruar nga qeveritë socialiste dhe të gjithë shqiptarët e shohin përditë se arsimi shqiptar në të gjitha nivelet e tij po ndryshon dhe po modernizohet.
Arsimi shqiptar ka njohur një reformë të thellë në këto tre vite qeverisje dhe një ndryshim të gjithanshëm. Sot arsimtarët kanë paga që shkojnë drejt dyfishimit jo vetëm në qytet, por edhe në fshatrat më të largëta të Shqipërisë po ndërtohen ose rikonstruktohen shkolla dhe konvikte. Në çdo shkollë në qytet dhe në fshat po ngrihen kabinetet e informatikës dhe brenda dy-tre muajve të gjithë nxënësit do të kenë mundësi  të lundrojnë në internet.

Reforma e thellë e arsimit të lartë në kërkimin shkencor ka hyrë në fazën kulmore të zbatimit të saj në përputhje me strategjinë e arsimit të lartë të përgatiturdhe miratuar  për herë të parë nga kjo qeveri si dhe në bazë të ligjit të ri të arsimit të lartë kanë filluar të zbatohen plotësisht ciklet ose nivelet e studimeve në përputhje me sistemin e Bolonjës.
Në të gjitha shkollat e larta, universitetet publike e private, sot niveli i parë studimeve bëhet sipas sistemit të Bolonjës. Këtë vit akademik në arsimin e lartë publik janë hapur 120 drejtime dhe profile të reja studimi në nivelin master dhe kanë filluar studimet 4 mijë të rinj e të reja shqiptarë. Unë nuk e di se si mundet të mohohet që aktualisht kanë filluar studimet 4 mijë  studentë.

Asnjë program doktorate nuk është i bllokuar. Sistemi i vjetër i doktoratës vazhdon të zbatohet deri në përfundimin e doktoratave të nisura ndërkohë ka filluar shkolla e re e doktoraturës sipas sistemit të Bolonjës.
Buxheti i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vitin 2009 siç e dini tashmë është 2.2 herë më i lartë se në vitin 2005. Për herë të parë arsimi i lartë shqiptar ka 100 milionë dollarë buxhet. Në kërkimin shkencor ka 6 milionë dollarë ndërkohë që në vitin 2005 ishin vetëm 800 mijë dollarë.

Kjo qeveri për herë të parë ndërmori dy programe të rëndësishme për zhvillimin e burimeve njerëzore, jo vetëm për arsimin, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, por administratën madje edhe për sektorin privat në Shqipëri.
Programi Brain Gain është iniciativë e Kryeministrit Berisha e mbështetur fuqimisht nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe ai po jep frytet e tij. Ësstë e para qeveri që për të realizuar një program të tillë mobilizoi fonde nga buxheti i shtetit. Ky program ka bërë të mundur që të krijohet një kuadër krejt i ri ligjor dhe nënligjor, i cili lehtëson kthimin e të rinjve dhe të rejave shqiptare që kanë studiuar në universitetet e huaja. Ky është një kuadër që krijon vërtet një mjedis mirëseardhës për çdo të ri dhe të re që ka studiuar jashtë dhe dëshiron të kthehet në Shqipëri.

Ky kuadër i ri ligjor bëri të mundur që në shkollat e larta të konkurojnë për herë të parë rreth 100 kandidatë me mastera dhe doktorë të shkencave të realizuara në universitetet prestigjioze të botës në kuadër të paketës të vendeve të reja të punës, një paketë me 550 vende të reja pune që qeveria u dha universiteteve me qëllim që të krijonte mundësi reale që universitetet të kishin shanse të thithin mastera dhe doktorata nga universitetet e huaja. Përveç kësaj ne presim që të rekrutojmë 20 kandidatë ekselence me mastera shumë të mira dhe doktorata në administratën publike. Ndërkohë nga paketa e vendeve të reja të punës rreth 20 % e kandidatëve u përkasin shkollave të larta private, pra kjo qeveri nuk bën asnjë dallim.

Përveç programit për të rritur burimet njerëzore në universitete qeveria krijoi për herë të parë një program tjetër; Fondin e Ekselencës i cili është në vitin e dytë të zbatimit të tij. Përmes këtij programi, çdo i ri dhe e re në Shqipëri që ka përfunduar studimet e masterit dhe dëshiron të studiojë ose të vijojë studimet e doktoraturës në universitetet e huaja ose në universitetet shqiptare në bashkëpunim me universitete të huaja ka mundësi të aplikojë të përfitojë një bursë, e cila është e standardeve të vendeve perëndimore.

Deri tani këtë bursë e kanë përfituar 50 kandidatë, së shpejti Ministri i Arsimit të Shkencës do të shpallë dhe kandidatët e rinj. Këto janë dy programee konkrete që synojnë të ndryshojnë thellësisht politikat e kaulifikimit e të rinjve dhe të rejave jo vetëm për arsimin e lartë, por edhe në fusha të tjera në Shqipëri. 
Kjo qeveri po e ndryshon dhe modernizon arsimin këtë e dinë tani të gjithë shqiptarët kjo është e vërteta.               


06/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›