Kryeministri Berisha priti në një takim Avokatin e Popullit Ermir Dobjani
Kryeministri Berisha priti dje në një takim Avokatin e Popullit, zotin Ermir Dobjani.
Avokati i Popullit, zoti Dobjani e njohu Kryeministrin Berisha me të gjitha përpjekjet e tij dhe të institucionit që përfaqëson në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Zoti Dobjani shprehu vlerësimin e tij për bashkëpunimin mes institucionit të Avokatit të Popullit dhe Policisë së Shtetit, por u ndal edhe në disa probleme që janë shfaqur këto javët e fundit në këtë bashkëpunim, probleme të cilat janë krejtësisht të shmangshme.
Kryeministri Berisha vlerësoi veprimtarinë e Avokatit të Popullit dhe institucionit të tij në garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve. Kryeministri e siguroi zotin Dobjani për mbështetjen e plotë të tij dhe të qeverisë që ai drejton në këtë aspekt. Kryeministri Berisha kërkoi që Avokati i Popullit të mbajë të gjitha qëndrimet ligjore ndaj çdokujt që dhunon apo nuk mbron të drejtat e liritë e qytetarëve dhe të përdorë të gjitha mekanizmat ligjorë në mbrojtje të qytetarëve, të cilëve u cenohen të drejtat nga segmentet e administratës.
05/12/2008