E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, vend shembull në politikën e taksave të ulëta dhe klimën e favorshme për biznesin

-          Dr. Barry Asmus: Në dy vitet e fundit, Shqipëria është ngjitur në vendin e 56-të në renditjen e 165 vendeve.

Kryeministri Berisha mori pjesë, sot pasdite, në Konferencën për Prosperitet Ekonomik, organizuar nga Qendra Linkoln dhe Marketplace One. Në konferencë referuan dy profesorë të njohur, z. Barry Asmus, një nga pesë folësit më të kërkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ekonomist i lartë për Qendrën Kombëtare për Analizën e Politikave, si dhe zoti Wayne Grudem, Profesor Kërkimor i Biblës dhe Teologjisë në seminarit Feniks, në Arizonë. Nw konferencw ishin tw pranishëm ministra tw kabinetit qeveritar, pwrfaqwsues nga parlamenti, pwrfaqwsues tw Trupit Diplomatik tw akredituar nw Tiranw, etj. Kjo konferencë u vlerësua si një mundësi e madhe për Shqipërinë për të thithur mendimet dhe ekspertizën e këtyre dy studiuesve tw shquar në lidhje me çështje kryesore të lirive të tregut dhe zhvillimit ekonomik të vendeve.

Dr. Barry Asmus u shpreh në analizën e tij se politika e taksave është gjeneratori i zhvillimit ekonomik të çdo vendi. Z. Asmus vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për vendosjen e taksës së sheshtë dhe politikën qeveritare në tërësi për sistemin e taksave. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të lirisë së tregut dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit. Për sa i përket taksave, Shqipëria është në rrugën e duhur”, u shpreh z. Asmus, duke nënvizuar se vendi ynë e ka kapur tashmë këtë standard. “Nëse 15 vjet më parë do të më kishin thënë se Shqipëria do të renditej e 56-a nga 165 vende, unë do të kisha thënë jo, në asnjë mënyrë kjo nuk mund të ndodhë. Por Shqipëria tashmë është vendi i 56 në renditjen e 165 vendeve në Indeksin Botëror për Lirinë Ekonomike.Pra, të shohësh zhvillimin e Shqipërisë gjatë 15 viteve të fundit është gjë e pabesueshme, veçanërisht zhvillimin gjatë 2 viteve të fundit. Liria është burimi kryesor për prosperitet ekonomik dhe është investimi më i mirë i një vendi”, theksoi ai.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha siguroi se qeveria shqiptare po bën më të mirën e mundshme për ta vendosur vendin në orbitën e vendeve me zhvillim të shpejtë dhe për të ecur drejt prosperitetit. “Si Kryeministër i këtij vendi, çdo ditë, unë nuk mendoj për asgjë tjetër veçse si të përgatis në mënyrën më të mirë këtë vend, që të përballojë të ardhmen, pasojat e rritjes së ngadalshme ekonomisë në të gjithë botën”, u shpreh kryeministri.

Duke u ndalur në përpjekjet e qeverisë në mbështetje të investimeve, Kryeministri siguroi se kabineti qeveritar është duke punuar dhe duke luftuar çfarëdo lloj pengese për investitorët dhe investimet në vend. “Po bëjmë më të mirën për të inkurajuar investimet në vend dhe besoj se vet fakti që askush nuk parashikon një rritje ekonomike më të ulët se 6 për qind për këtë vend, është një stimul, është nxitje për çdo investitorë që të vijë dhe të investojë në këtë vend”, vijoi Kryeministri.

Kryeministri solli në vëmendje situatën e mëparshme për sa i përket investimeve në fushën energjetike në vend, duke theksuar se në 18 muaj, si asnjë vend tjetër, qeveria ka pasur sukses për të firmosur kontrata dhe për të shpallur kompani fituese për ndërtimin e 134 hidrocentraleve në vend, të gjitha këto me menaxhim të sektorit privat. Sektori privat, theksoi Kryeministri, është shembulli dhe mënyra më e mirë për forcimin e lirive të tregut dhe kapërcimit të krizës ekonomike. “Ky është një shembull se si funksionon liria e tregut dhe është mënyra që unë mendoj se duhet të trajtojmë krizën ekonomike botërore”, tha Kryeministri.

Në fjalën e tij, ndër të tjera, Kryeministri u shpreh:

 Nuk ka asgjë më themeltare sesa prosperiteti, për të konsoliduar  parimet e lirisë dhe të demokracisë, edhe pse historia ka vërtetuar, në mënyrë të përsëritur, se pa lirinë e tregut të lirë nuk ka prosperitet, pa prosperitet nuk ka demokraci. Ne jemi duke bërë më të mirën e mundshme për ta vendosur këtë vend në orbitën e vendeve me zhvillim të shpejtë, për të këtë vend të ecë drejt prosperitetit. Kriza financiare botërore që është tashmë, duket si shpata e Demokleut mbi ekonomitë tona. Por megjithatë, si Kryeministër i këtij vendi, çdo ditë, unë nuk mendoj për asgjë tjetër veçse si të përgatis në mënyrën më të mirë këtë vend, që të përballojë të ardhmen, pasojat e rritjes së ngadalshme ekonomisë në të gjithë botën. Prej një viti, ekonomia amerikane është në rënie, shumë vende në Europë kanë hyrë në rënien ekonomike, ndërkohë ne nuk jemi në rënie. Për gjashtë muajt e parë të vitit ne jemi vendi me rritje ekonomike dyshifrore. Kjo është e vërtetë. Po të vëreni eksportet tona, vihet re se ajo çfarë prodhohet në Shqipëri është rritur me 42 për qind, shkalla e inflacionit është 2.6 për qind. Megjithatë,  nuk është realiste të mendojmë se ekonomia jonë nuk do të ndikohet nga kjo krizë mbarëbotërore, sepse Shqipëria është pjesë e globit.  Por, sistemi ynë bankar është në rregull, fatmirësisht nuk ka shkuar larg dhe u përmbajt kryesisht skemave klasike. Kredia për ekonominë është 30-35 për qind. Pra, kjo është situata.

Le t’i kthehemi përsëri asaj që ka rëndësi, lirisë ekonomike. Le të trajtojmë këto vështirësi. Për këtë arsye, kabineti im është duke punuar dhe duke luftuar çfarëdo lloj pengese për investitorët dhe investimet në vend. Ne jemi një vend me taksë të sheshtë dhe nga 1 maji 2009, kjo taksë e sheshtë do të ulet edhe më tej, do të ulen kontributet shoqërore, kemi reduktuar 2/3  e licencave dhe 1/3  që mbeten, do të sistemohen në “One Stop Shop”, falë  një projekti që kemi me USAID.

Po bëjmë më të mirën për të inkurajuar investimet në vend dhe besoj se, vet fakti që askush nuk parashikon një rritje ekonomike më të ulët se 6 për qind për këtë vend, është një stimul, është nxitje për çdo investitor që të vijë dhe të investojë në këtë vend.

Qeveria ka ndërmarrë nismën për ngritjen e disa parqeve industriale në vend. Investitorët kanë në dispozicion infrastrukturën më të mirë për këtë dhe të gjitha janë projekte për menaxhim në mënyrë private. Ka një projekt për ngritjen e parkut në Durrës, në vendndodhjen më të mirë, 5 minuta larg portit të Durrësit, 25 minuta larg aeroportit, 5 minuta larg nga autostrada. Në këtë vend, janë 860 ha tokë dispozicion dhe po tregohet interes i madh për të. Një park tjetër industrial është parashikuar të ngrihet në Vlorë, Shkodër, Elbasan dhe së fundi po mendohet për një të tillë në Tiranë.

Në këtë kohë shumë thërrasin për kontroll shtetëror dhe pronësi shtetërore. Më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj një shembull; 18 muaj më parë, Shqipëria, një vend plot me ujëra dhe me potencial të jashtëzakonshëm ujor për t’u shfrytëzuar, nuk kishte asnjë projekt në këtë drejtim. Më duhet të pranoj se kur e shoh këtë gjë, më duket si një mozaik krejtësisht i copëzuar. Me ministrin përkatës të kabinetit tim, vendosëm të përparojmë në këtë aspekt. Nuk kishim ndonjë institut, nuk kishim pothuajse asgjë që të na  ndihmonte, por dinim që disa ekspertë të shquar po punonin në kompanitë e tyre private në këtë drejtim. Ne ndërmorëm takim me ta dhe u bëmë të qartë se e vlerësojmë shumë potencialin ujor që kemi, lumenjtë, hapësirën detare, etj. Dimë gjithashtu edhe kontributin e shumë njerëzve që kanë përkushtuar jetën e tyre ndaj kësaj pune dhe kemi nevojë për eksperiencën dhe ekspertizën e tyre. Theksuam se i kemi vlerësuar ujërat si asetin më të madh të vendit. Në këtë mbledhje ishin 16 specialistë dhe ekspertë të kësaj fushe dhe ne u kërkuam atyre që të jenë “rojtarë” të interesit publik, për të rishikuar çdo lloj projekti dhe për të vlerësuar nëse këto projekte i përdorin ujërat në mënyrën më të mirë të mundshme, a respektojnë standardet mjedisore, a na sigurojnë metodën më të mirë të punës, etj. Kështu ne nisëm nga puna, duke shmangur burokracitë. Rezultatet  në këtë drejtim tashmë janë shumë impresionuese. Çdo gjë po bëhet nëpërmjet iniciativës private. Në 18 muaj, si asnjë vend tjetër, ne kemi pasur sukses për të firmosur kontrata, për të shpallur fitues dhe për të qenë të përfshirë në negociata për kontrata për ndërtimin e 134 hidrocentrale, të cilat së bashku kanë si kapacitet dyfishin e kapacitetit ekzistues të  prodhimit energjetik në Shqipëri. Çdo gjë erdhi nga gara e mrekullueshme e sektorit privat. Kompani private nga gjithë bota po paraqesin projekte për HEC-e të vogla, sepse ne kemi lumenj të vegjël. Ky është një shembull se si funksionon liria. Kjo është mënyra që unë mendoj se duhet të trajtojmë krizën ekonomike botërore, ndonëse për këtë krizë unë u përkas optimistëve. Unë besoj shumë se ekonomia e SHBA së shpejti do të ngrihet në këmbë dhe kur ekonomia e SHBA të ngrihet në këmbë, ekonomia botërore do të ngrihet në këmbë. Ndaj unë besoj në kapërcimin e krizës. Faleminderit”.


03/12/2008

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›