Deklarimi, Behxhet Pacolli më i pasuri, Albin Kurti më i varfri
Prishtinë, 17 qershor 2011, NOA- Në deklarimin e pasurisë që kanë bërë drejtuesit e lartë të institucioneve të Kosovës, më i pasuri, ashtu siç edhe pritej, del të jetë zëvendëskryeministri i parë Behxhet Pacolli me 170 milionë euro, kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë prej 1,357,000 eurove.
Presidentja Atifete Jahjaga, ka vetëm një veturë Golf, në vlerë prej 6 mijë euro.
Kurse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti nuk ka fare pasuri. Në formularin e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ka deklaruar se ka 7849 euro në konto, paga vjetore si presidente, 34,478 euro dhe një veturë Golf në vlerë 6000 eurove, të blerë në vitin 2009.
Kryeministri, si pasuri të paluajtshme ka deklaruar në vlerë prej 1,357,000 euro, vetura në vlerë 13,000 eurove, para të gatshme në bankë 11,424, ndërsa paguan kredi bankare në vlerë prej 100,000 euro. Po ashtu, ka deklaruar pagën vjetore që e merr si kryeministër. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duket të jetë personi më i varfër në Kuvendin e Kosovës, pasi nuk ka pasuri të paluajtshme, ndërsa të hyra të vetme i ka nga paga e deputetit të Kuvendit të Kosovës, ku paga vjetore që merr si deputet është 17.856 euro dhe honorarin vjetor në gazetën Zëri 1384 euro.
Për herë të parë u publikua edhe pasuria shumë e përfolur e zëvendëskryeministrit të Kosovës Behxhet Pacollit, vlera e të cilës është mbi 170 milionë euro. Zëvendëskryeministri Pacolli në emër të paluajtshmërive ka deklaruar tokë, lokale afariste, shtëpinë dhe pasuri në formë kompanish që operojnë jashtë, me vlerë prej rreth 133 milionë eurosh. Nga aksionet, sipas formularit të pasurisë së deklaruar Pacolli posedon me 60 për qind të aksioneve të Bankës Ekonomike të Kosovës në vlerë 15 milionë euro, si dhe posedon të gjitha aksionet e kompanisë Siguria në vlerë 22 milionë euro.
Në emër të luajtshmërive, Pacolli ka deklaruar katër vetura Mercedes në vlerë prej afro 280 mijë eurosh. Ndërkaq, nga formulari i prezantuar në AKK, shihet se ai ka deklaruar para të gatshme në vlerë prej rreth 40 mijë euro, kurse të hyrat vjetore të lajmëruara nga Pacolli sillen mbi 560 mijë euro.
(INA)/NOA