Rasti Tisa, 66 vjet burgim kontrabandistëve

(E plotësuar) Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka shpallur fajtorë shtatë shqiptarë për veprën penale të kontrabandimit me njerëz, në rastin e njohur si “Tisa”.
Shpëtim Ademajt i është shqiptuar dënimi prej 17 vjetësh burgim, si dhe 200 mijë euro gjobë; Avni Hajdari - 19 vjet burg dhe 250 mijë gjobë; Ismail Krapi dhe Shaip Selmani do të mbajnë nga 8 vjet; Fatmir Pajaziti - 7 vjet; Xhemail Halilaj është dënuar me dy vjet burgim - me kusht dhe Blerim Ademaj me 5 vjet burgim.
Rabit Ajvazi është liruar më herët nga akuzat.
Familjarët e viktimave thanë se edhe dënimi me burgim të përjetshëm nuk ua kthen të dashurit, që u mbytën në lumin Tisa, derisa po përpiqeshin të kalonin me barkë përmes lumit Tisa për të arritur nga Serbia për në Hungari, e për të vazhduar pastaj në vendet tjera evropiane.
Kurse Bajram Tmava, avokat mbrojtës i Avni Hajdarit, tha se dënimet janë shumë të rënda. Sikurse dhe gjatë gjykimit, ai fajësoi Evropën se nuk ua ka mundësuar shqiptarëve të udhëtojnë lirshëm në vendet evropiane.
Sipas aktakuzës që ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në natën mes 14 dhe 15 tetorit të vitit 2009, një grup prej 18 kosovarësh ishte trafikuar dhe kishin pësuar derisa po kalonin me barkë përmes lumit Tisa ndërmjet Serbisë e Hungarisë.
Emigrantët, sipas aktakuzës të përfaqësuar nga prokurori special Besim Kelmendi, ishin dërguar në atë pjesë nën organizimin e një grupi ndërkombëtar kriminal, përkatësisht nga një rrjet që merret me trafikimin e qenieve njerëzore.
Derisa kishin qenë duke kaluar me barkë, ajo sipas aktakuzës ishte përmbysur, ndërsa nga 18 persona, vetëm tre kanë mbijetuar.
Të akuzuarit ngarkoheshin se kanë bashkëpunuar si grup kriminal dhe janë marrë me trafikimin e qytetarëve të Kosovës, duke i dërguar ata për në vendet tjera të Evropës, duke përfituar shuma të majme parash. Dhe me këtë ata kanë kryer dy vepra penale, atë të krimit të organizuar dhe trafikimit me emigrantë.
Grupi ishte zbuluar pas tragjedisë, të cilës i ka shpëtuar vetëm Blerim Rama me dy fëmijët e tij.