Serbët e pengojnë komandantin të marrë detyrën

Rreth 200 banorë serbë nga rajoni i Kollashinit me dhjetëra automjete të tyre kanë bllokuar të premten në orët e mëngjesit magjistralen Zubin Potok-Ribariq, duke penguar kështu komandantin e ri të Policisë së Kosovës, Zvezdan Spasojeviq, të fillojë detyrën e tij të re në pikën kufitare në Bërnjak.
Serbët e kësaj ane janë vetorganizuar për të penguar zbatimin e urdhrit të drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Reshat Maliqi, rreth rotacionit të komandantëve policorë në veri, pa marrëveshje me përfaqësuesit e vetëqeverisjes lokale.
“Spasojeviqit i kemi thënë se s’ka çka të kërkojë ai në territorin e Zubin Potokut dhe se nuk mund të zbatojë ligjet e shtetit të vetëshpallur të Kosovës”, ka thënë kryetari i Shoqatës së bizneseve në Zubin Potok, Ratomir Bozhoviq.
Ai shtoi se në të njëjtën mënyrë kanë penguar edhe policët rajonalë që në këtë zonë të ushtrojnë kontrollin e komunikacionit, sepse konsiderojnë se këtë detyrë janë në gjendje ta bëjnë edhe policët nga Zubin Potoku.
“Jemi në pritje të një përgjigje pozitive nga ana e EULEX-it, dhe nga kjo varet se si do të veprojmë në të ardhmen”, tha Bozhoviq.
Dy ditë më parë gjashtë komandantët policorë të komunitetit serb në veri të Kosovës, janë ndarë mes vete. Tre nga ta kanë pranuar të kthehen në punë dhe të respektojnë urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, kurse tre të tjerët ende kanë dilema.
Dihet se komandantët të cilët kanë pranuar të vazhdojnë punën janë Drazho Bozhoviq, Dragan Stefanoviq dhe Zvezdan Spasojeviq, ndërkohë që Nenad Gjuriq, Bratisllav Kragoviq dhe Zoran Milloviq, kanë refuzuar një gjë të tillë.
Sikurse edhe pati raportuar Kosovapress, komandantët po përballen me kërcënime dhe presione të fuqishme nga pjesëtarë të strukturave paralele serbe në veri dhe si rrjedhojë po ngurrojnë të pranojë detyrat nga Prishtina. (KosovaPress)