Ulqini pret më tepër turistë

Komuna e Ulqinit ka kryer të gjitha përgatitjet për pritjen e turistëve për sezonin e ri turistik. Drejtues të komunës edhe këtë vit presin një numër të madh turistësh jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vendet tjera. Ndërkaq, pronarë të plazheve thonë se nuk do të ketë ngritje të çmimeve dhe se turistët që do t’ia mësyjnë sivjet Ulqinit do të ndahen të kënaqur.
Kryetari i komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka thënë se komuna e Ulqinit ka ndërmarrë hapa konkret edhe në rritjen e strukturës së turizmit dhe njëherësh të kthejë dukshëm turistët edhe nga vendet të tjera evropiane.
Për më tepër, ai thotë se sipas statistikave pas kosovarëve numri më i madh i turistëve vitin e kaluar kanë qenë nga Bosnja, ndërkohë që për shkak të krizës në disa vende arabe sivjet pritet një fluks më i madh i turistëve nga Gjermania, Polonia, Bosnja, Çekia dhe vendet të tjera.
“Jemi të përgatitur. Jemi në dijeni për një sezon, i cili pritet të jetë më i fuqishmi dhe më e suksesshmi se sa në vitet e tjera. Edhe vjet ka qenë një prej sezoneve turistik më të mirë në 20 vitet e fundit, por sivjet e keqja e dikujt na shkon në favor neve. Nuk i gëzohemi, e thash edhe dje, e them nga zemra edhe personalisht dhe të familjes time, nuk isha gëzuar në “kurriz” të këtij zotërisë këtu. Por ka ndodhur çka ka ndodhur. Është reale, e dimë që në jetë të përditshme Egjipti ka probleme, Greqia, Tunizia dhe pritet një valë shtesë e turistëve në adresë të Malit të Zi dhe konkretisht pse jo edhe Ulqinit”, ka thënë Hajdinaga.
Sipas Hajdinagës numri më i madh i turistëve pritet të jetë nga Kosova. Me këtë rast ai ka vlerësuar edhe ndërtimin e Rrugës së Kombit, e cila ka ndikuar pozitivisht në shtimin e numrit të turistëve nga Kosova.
Sipas të dhënave zyrtare të komunës së Ulqinit vitin e kaluar në këtë vend bregdetar ka pasur rreth 800 mijë buajtje, që do të thotë se Ulqinin vitin e kaluar e kanë vizituar rreth 120 mijë turistë.
Shtatë plazhe të Ulqinit, të cilat shtrihen në zonën që njihet si Plazhi i Madh, janë të pajisura me flamurin e kaltër, i cili jepet nga juria evropiane dhe simbolizon përmbushjen e 29 standardeve ndërkombëtare. Disa nga pronarët e këtyre plazheve si “Safari Beach”, “Kapakabana”, pohojnë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për pritjen e pushuesve për verën 2011. Zef Deliç, pronar i plazhit “Safari Beach” tregon se tashmë janë të gatshëm për pritjen e mysafirëve nga Kosova, por edhe nga vendet e tjera.
“Ne në “Safari Beach”, por besoj edhe kolegët e tjerë çmime do t’i kemi nga 5 deri në 7 euro, janë disa ombrella që janë për VIP e që i kemi punuar këtë vit. Çmimi i tyre do të jetë nga 10 deri në 12 euro. Çmimet nuk kanë për të ndryshuar, tash kur përmirësohet numri i turistëve, çmimi do të jetë edhe për 5 euro për një ombrellë”, ka thënë Deliq.
Ndërkaq, pronari i plazhit “Copacabana”, Prel Shkreli fton të gjithë pushuesit nga Kosova që për shumë vite vizitojnë Ulqinin, ta bëjnë këtë edhe këtë verë për arsye siç shprehet ai, plazhet e Ulqinit janë të mira dhe të pastra. Ai thotë se çmimet edhe këtë verë do të jenë të përafërta me ato të vitit të kaluar.
“Unë si pronar i “Copacabanas” mund të them atë që edhe i intereson çdo turisti, të cilët planifikojnë të jenë këtu të kalojnë një argëtim të bukur. Çmimet kanë mbetur të njëjta me ato që kanë qenë edhe vitin e kaluar. Do të thotë se kemi rënë dakord të gjithë pronarët e këtyre plazheve që të mos i rrisim çmimet, për arsye, sepse edhe kriza e ka bërë të veten”, ka thënë Shkreli.
Ndërsa, pushuesit të cilët po i kalonin pushime, vlerësuan lart plazhet e Ulqinit. Muhamet Haxhiu nga Komuna e Kamenicës, i cili po e kalonte ditën e shtatë të pushimit në Ulqin, shprehet i kënaqur me shërbimet dhe cilësinë.
“Plazhi i Ulqinit na pëlqen shumë. Ai për mua ka edhe efekt shëndetësor pasi që vuaj nga sëmundjet reumatike dhe për këtë vij çdo vit në Ulqin. Këtë vit kam ardhur më herët, për shkak se kam pasur pushimin më herët”, thotë Haxhiu.
Edhe Mend Velibegu nga Peja thotë se i pëlqen plazhi i Ulqinit, andaj edhe ka zgjedhur t’i kalojë pushimet së bashku me familje.
“Shërbimet janë të mira, meqenëse është edhe fillimi i sezonit, shumë restorante nuk kanë filluar ende të punojnë. Por prapë se prapë ato që tashmë kanë filluar, po arrijnë ta bëjnë atë çka ne kemi nevojë. Ushqimet janë të nivelit të lartë. Jemi të kënaqur edhe sivjet si çdo vit”, ka thënë Velibegu.
Ndryshe, çmimet e konsumit në Ulqin janë përafërsisht në nivel me ato në Kosovë, derisa çmimet për një shtrat aktualisht variojnë nga 5 deri në 7 euro. (KosovaPress)