E Diel, 1 Nëntor 2026

“Dekorata, mirënjohje për Sekretaren Clinton dhe popullin amerikan”

02-11-2012 / Gazeta 55

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani pret në një takim dhe nderon Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton me Urdhrin e Flamurit Kombëtar
 
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim në Pallatin e Brigadave, Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kreu i Shtetit e cilësoi vizitën e kryediplomates amerikane si një ngjarje të madhe që përkon me një jubile historik për kombin shqiptar, siç është 100-vjetori i themelimit të shtetit shqiptar dhe shprehu mirënjohjen e thellë për rolin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur që nga krijimi i tij dhe në ditët e sotme. Duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, Presidenti Nishani e falënderoi Sekretaren Amerikane për lidershipin e saj dhe u shpreh se shqiptarët shohin te Shtetet e Bashkuara të Amerikës një aleat dhe partner të pazëvendësueshëm. Mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ndihma e pakursyer që administrata amerikane i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë dhe kombit shqiptar u konsiderua nga Presidenti Nishani si tregues i partneritetit të ngushtë mes dy vendeve dhe një inkurajim për të vazhduar kursin e nisur të reformave dhe procesin e integrimit evropian të vendit. Presidenti i Republikës në emër të popullit shqiptar i shprehu Sekretares Amerikane të Shtetit ndjenjën e solidaritetit me popullin amerikan për fatkeqësinë natyrore që goditi ditët e fundit bregun lindor të Shteteve të Bashkuara dhe viktimat që shkaktoi stuhia e fuqishme Sandy.
Nga ana e saj, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton shprehu kënaqësinë që vizitoi Tiranën në këtë moment historik. Clinton çmoi ndjenjat e larta të miqësisë që populli shqiptar dhe ai amerikan kanë ndarë në momentet kyçe të historisë së tyre dhe e garantoi Presidentin Nishani se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten partneri dhe aleati më i mirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Sekretarja Clinton vlerësoi progresin e arritur në Shqipëri duke kërkuar që klasa politike shqiptare të vijojë bashkëpunimin dhe dialogun për përmbushjen e reformave për integrimin e vendit dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Në këtë kuadër, Sekretarja Amerikane e Shtetit kërkoi nga Presidenti i Republikës që të shfrytëzojë autoritetin e tij kushtetues për të mbështetur përshpejtimin e procesit të reformave. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një faktor shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe se ajo do të vazhdojë të ndjekë politikën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe dialogut me qëllim, integrimin e përbashkët të vendeve të rajonit në familjen evropiane.
Presidenti Nishani nderoi me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, Sekretaren Clinton/Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me motivacionin, “Për kontribut dhe merita të shquara në mbështetje të Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar në të gjitha përpjekjet për përparim e mirëqenie, për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe të një shoqërie të lirë e të hapur. Për ndihmën e jashtëzakonshme në anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO, si edhe për mbështetjen e çmuar për Shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, më 17 shkurt 2008, e cila përmbushi aspiratat e rajonit për liri e dinjitet. Për kontribut të çmuar në konsolidimin e marrëdhënieve tradicionalisht të ngushta e miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Urdhri më i lartë kombëtar i nderit iu dorëzua Sekretares Amerikane të Shtetit nga Kryetari i Shtetit Shqiptar gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave. Me këtë rast, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton shprehu ndjenjën e thellë të vlerësimit dhe nderit për marrjen e këtij Urdhri. “Sigurisht që e pranoj sinqerisht në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të administratës së Presidentit Obama dhe në emër të Shteteve të Bashkuara. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten një partner i fuqishëm dhe një mik i Shqipërisë dhe për popullin e saj, teksa vijoni në të ardhmen të pavarur, të lirë, demokratike dhe me besim duke ndërtuar Shqipërinë që do të jetë një model i mirë dhe shembull për brezat që do të vijnë. Jam krenare që ju jam mike dhe do të mbetem e tillë. Ju falënderoj për dhënien këtij nderi të jashtëzakonshëm dhe do të vijoj të bëj më të mirën time për ta merituar plotësisht. Ju e meritoni këtë plotësisht tani dhe në të ardhmen!”, u shpreh Sekretarja Clinton. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shprehu kënaqësinë që Sekretarja Clinton e pranoi këtë dekoratë, e cila është një shenjë mirënjohje për Sekretaren dhe për popullin amerikan. “Për ne është një kënaqësi dhe nder që Sekretarja Amerikane e Shtetit pranoi këtë dekoratë të lartë të shtetit shqiptar. Përmes kësaj dekorate ne shprehim mirënjohjen për Sekretaren Clinton, qeverinë amerikane dhe për popullin amerikan, të cilët, jo vetëm në sfidat më të vështira të Shqipërisë kanë qenë pranë nesh, po dhe në çdo hap për të ecur përpara në rrugën e zhvillimit”, u shpreh Presidenti Bujar Nishani.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›