Dekretet e presidentit, Leskaj: Mazhoranca po kërcënon demokracinë
Grupi Parlamentar i PS e konsideron qëndrimin e fundit të mazhorancës ndaj Dekreteve të Presidentit të Republikës, dhe etiketimin e tyre si antikushtetues si një kërcënim të hapur për pavarësinë e institucioneve kushtetuese dhe ndarjen e pushteteve, si një kërcënim për demokracinë dhe shtetin ligjor.
Ky është mendimi i Partisë Socialiste i përcjellur sot nga Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.
Grupi Parlamentar i PS, vlerëson se kjo është një përpjekje për të kontrolluar Gjykatën e Lartë, që po bëhet duke përdorur pushtetin legjislativ kundër pushtetit Gjyqësor duke konfliktuar artificialisht institucionet.
Këto pushtete janë të ndara në kushtetutë sic janë të ndara dhe rolet mes Presidentit dhe Kuvendit në emërimet e gjyqësorit.
“Kuvendi emëron ose jo dekretet e Presidentit të Republikës, po nuk mund të refuzojë dekretet duke dhunuar rendin kushtetues dhe bllokuar Gjykatën e Lartë me mjete politike arkaike. Gjykata e lartë sot ka 7 vende bosh për pasojë vendimmarrja e saj është e bllokuar” – tha Leskaj.
GPS, i bën thirrje Kryeministrit dhe pasuesve të tij t’i hapin rrugë logjikës kushtetuese dhe procesit demokratik.
“Ne kërkojmë futjen në procedurë votimi dhe natyrisht me votim të fshehtë të të gjithë dekreteve të paraqitur nga presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë” – tha ajo. “Në të kundërt do gjendemi në një udhëkryq me një Gjykatë të Lartë të bllokuar e me një President të Republikës me autoritet Kushtetues të cënuar”.
Gjithashtu Leskaj tha se PS nuk ka hequr dorë nga mocioni për shkarkimin e kryetares. “Siç e kam thënë edhe herë tjetër kjo është në proces vlerësimi” – tha ajo.