Plagosja e peshkatarit, Tirana notë proteste Malit të Zi
TIRANE- Ministria e Jashtme shqiptare reagon pas incidentit të ndodhur pasditen e djeshme, kur një peshkatar shkodran u qëllua me armë zjarri nga policia kufitare e Malit të Zi. Sipas burimeve zyrtare të institucionit mësohet se tashmë është bërë gati një notë proteste, me të cilën ministria jonë do t’i drejtohet homologes së saj malazeze. Nota është bazuar edhe në të dhënat paraprake të hetimeve, ku mësohet se shqiptari që peshkonte në ujërat tona është qëlluar pas asnjë shkak nga dy policët kufitarë të Malit të Zi. Ndërkaq, mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka nisur tashmë hetimet për zbardhjen deri në fund të ngjarjes. Ngjarja ndodhi në orët e vona të ditës së djeshme, kur Hysen Skënderaj, 57-vjeç, ishte duke peshkuar në ujërat e lumit të Bunës, shumë pranë kufirit mes dy vendeve. Ai ka marrë një plumb në nofull, por nuk i ka dëmtuar kokën. Mjekët e spitalit të Shkodrës, ku ndodhet i plagosuri, pohuan se gjendja e tij është në përmirësim e sipër. Ndërkohë, policia jonë ka marrë kontakte me palën malazeze për të zbardhur detajet e këtij incidenti të rëndë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, ngjarja ka ndodhur në afërsi tëfshatit Pentar në komunën Dajç në Shkodër. Hysen Skenderaj, 57 vjeç, ka qenë duke peshkuar me varkë në ujërat e lumit të Bunës. “Unë isha vetëm në barkë dhe kur kthej kokën pashë dy persona që ndodheshin në bregun e Malit të Zi . Një prej tyre ishte i veshur me uniformë policie dhe dëgjova të më thoshte “eja këtu”. Unë nuk shkova por ktheva barkën drejt tokës shqiptare. Në këtë moment kam dëgjuar krismat e armëve”,- ka pohuar në polici, Hysen Skenderaj. Sipas dëshmisë së dhënë prej tij, ai ka ndjerë një goditje të fortë në fytyre dhe pak çaste më pas ka ndjerë gjakun t’i vërshojë. Në këtë gjendje ai ka kthyer barkën drejt tokës shqiptare dhe pak minuta më pas ai ka mbërritur në tokën shqiptare dhepas pak është gjendurnë breg. Aty është ndihmuar nga persona të tjerë, të cilët e kanë dërguar në spitalin e qytetit të Shkodrës. “I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe gjendja e tij është në përmirësim e sipër”,- thanë dje mjekët e spitalit. Burimet e policisë pohuan se në vendin ku ka ndodhur ngjarja lumi është i ngushtë dhe nuk ka një vijë ndarëse kufitare mes dy vendeve. “Ende, nuk dihet nëse 57- vjeçari ka qenë duke peshkuar në pjesën shqiptare apo atë malazeze”,- thanë hetuesit e çështjes. Për të sqaruar ngjarjen, drejt Malit të Zi janë nisur zyrtarë të policisë së Shkodrës, me qëllim komunikimin me homologët malazezë. Ndonëse ngjarja nuk është e zbardhur plotësisht, burime nga policia bëjnë të ditur se peshkimi në ujërat e një vendi tjetër, për të dy shtetet dënohet me gjobë dhe se policia malazeze nuk kishte asnjë arsye të qëllonte me armë.