E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Boske: Më tremb Benzema-Nasri-Riberi

Trajneri i Spanjës, Visente Del Boske, e ka vlerësuar ndoshta edhe më shumë nga çfarë parashikohet kundërshtaren e radhës, Francën. Sipas tij, francezët luajnë pa kompleksin e inferioritetit, ndaj dhe do jetë e vështirë për ti mundur. Ndoshta Franca është kundërshtarja më e fortë nga tri skuadrat që prisnim. Ata kanë Benzeman, Nasrin dhe Riberin, lojtarë me shumë talent. Po luajnë ashtu siç dinë, marrin shumë iniciativë dhe dinë të mbrohen mirë kur kjo është e domosdoshme. Të shohim se çfarë do të ndodhë, francezët nuk kanë asnjë kompleks inferioriteti, aq më tepër kur luajnë kundër nesh, ka pohuar tekniku. Megjithëse Spanja u kualifikua si e para e grupit, nga shtypi iberik nuk munguan kritikat për lojën e la Roja, sidomos ndaj Kroacisë. Mirëpo Del Boske i hedh poshtë këto kritika, duke theksuar se skuadra e tij ka bërë një punë shumë të mirë. E kam parë sërish ndeshjen me Kroacisë, për ta analizuar më në detaje lojën e futbollistëve të mi. Është e vërtetë që kemi vuajtur, por kam kuptuar që nuk kemi zhvilluar lojë të keqe. Përkundrazi, kemi dominuar në zotërimin e topit dhe e kemi goditur më tepër portën kundërshtare. Ekzistonte kërcënimi i eliminimit, por mendoj se gjithçka e bëmë në mënyrën e duhur. Duhet të vijojmë në këtë mënyrë, dhe të shohim se deri ku do të shkojmë. Unë shpresoj deri në fund, ka pohuar Del Boske.

Benzema
Karim Benzema e pranon se spanjollët janë favoritë në çerekfinalet e Europianit. Kundër Spanjës, që është një ekip që luan futboll të bukur, do të kemi më shumë hapësirë. Por nuk duhet të gënjejmë veten, ata janë favoritë në këtë sfidë. Spanja është një nga skuadrat më të mira të botës, tha futbollisti i Les Blues. Ndërsa dje është dëmtuar në stërvitje Riberi dhe ende nuk dihet nëse do rikuperohet apo jo për çerekfinalen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›