Dosja sekrete e Joakim Lëvit

Joakim Lëv
Trajneri i Gjermanisë tregon të fshehtat e punës së tij: Ja si i mund rivalët.
Në 30 faqe edhe numri i këmbës së kundërshtarëve
Një dosje e mbështjellë me lëkurë të zezë, me jo më shu-më se 30 faqe informacione brenda, qarkullon gjatë 90 minutave të ndesh-jeve të Gjermanisë nga duart e Joakim Lëvit në ato të njeriut më të besuar të tij në stol, Hansi Flik.
Është quajtur dosja sekrete e Joakim Lëvit, por prej ditës së djeshme nuk mbetet më e tillë. Trajneri i Kombëtares gjermane ka pranuar të nxjerrë atë çka fshihet pas 30 faqeve të përmasave A4. Ish-asistenti i Jurgen Klinsmanit në Botërorin e 2006-s ka treguar për Bild se ai është një maniak i detajeve. Kam fakte dhe shifra, asgjë misterioze, tregon Jogi, pa dashur të hyjë më thellë në shpjegime që do të mund të komprometonin shanset e 3 herë kampionëve të Europës për të shkuar në finalen e Kievit më 1 korrik. 52-vjeçari pranon jo pa krenari se ai kurrë nuk ia lë gjërat rastësisë. Për muaj të tërë, Departamenti i Federatës Gjermane ka ndërtuar një dosje deri në detajet më të imëta të 15 ekipeve të tjera pjesëmarrëse të Europianit, e cila i serviret Lëvit dhe Flikut përpara çdo ndeshjeje të këtij turneu. Ne bëjmë një analizë të kundërshtarit që kemi përballë. Brenda saj ka informacion që nga renditja e deri te mënyra se si i ekzekutojnë goditjet e këndit dhe ato standarde. I kam emrat e lojtarëve të gjithë përpara, të bashkangjitur me një skedë dhe foto. Kam të shënuar pikat e forta dhe të dobëta të lojtarëve për të pasur mundësi që të kem kohë të kem një përgjigje ndaj çdo të papriture. Madje edhe numrat e këmbëve të lojtarë, shton Lëv me shaka. Në fund ai tregon dhe rutinën e një dite normale pune në kampin gjerman. Pas zgjimit, puna me skuadrën nis në orën 10:00. Zhvillojmë seancën e parë stërvitore dhe pastaj bëjmë një mbledhje për të analizuar kundërshtarin e radhës. Me ndihmën e një projektori dhe kompjuteri bëjmë zbërthimin deri në detaje të lojtarëve rivalë. Më pas është pjesa stërvitore, mjaft e rëndësishme, për të vënë në zbatim çdo gjë teorike që mund të kemi diskutuar më përpara. Të njëjtën gjë bëjmë çdo ditë, aq sa ndonjëherë na kap edhe rutina. Gjithsesi, mundohem që të alternoj stërvitjen edhe me palestër dhe ushtrime pa top, ka theksuar tekniku i Gjermanisë. Pancerat do të luajnë nesër ndaj Greqisë, një ndeshje kjo që teorikisht duket e lehtë për lojtarët e Joakim Lëvit, paçka se helenët në mediat gjatë gjithë këtyre ditëve kanë theksuar se do bëhen bunker para portës, duke mos i lejuar gjermanët që të shënojnë.
Khedira
Ne e dinim se pas Danimarkës ishte radha e një rivaleje të fortë, siç është Greqia. Kemi nisur stërvitjen me ngarkesë maksimale, sepse e dimë se çfarë na pret. Po mendojmë vetëm për Greqinë. Ata kanë një skuadër të fortë dhe do të bënim gabim fatal në rast se do ti nënvlerësonim. Nuk mund të mendojmë që tani për gjysmëfinalen apo finalen. Italia dhe Anglia mbeten skuadra shumë të forta, u shpreh shkatërruesi i Realit.
Merkel
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të jetë në tribunë të premten mbrëma në stadiumin e Gdansk, ku Gjermania do të përballet me Greqinë në çerekfinalet e Euro 2012-s. Prezenca e Merkel u konfirmua nga një nga zëdhënësit e qeverisë gjermane. Merkel, e cila deri tani nuk ka asistuar në stadium në asnjë nga takimet e kombëtares Euro 2012, do të ndjekë skuadrën e saj në sfidën ku pritet të përballet dhe me ironinë e fansave grekë.
LEONARD KARAJ