E Diel, 1 Nëntor 2026

Del Boske: Një arritje e madhe për kombin tonë

Trajneri i Spanjës: Ishte një fitore e merituar. Festojmë për lumturinë që i kemi dhënë popullit spanjoll

Me qetësinë e tij të zakonshme dhe me humorin e këndshëm, Del Boske ka analizuar triumfin e skuadrës së tij në këtë Europian. Italia u mundua shumë, por goli i parë i preu krahët, kurse i dyti vulosi ndeshjen.

Gjatë gjithë kohës ai ka thënë se trofeu nuk do të jetë melhem për krizën ekonomike të Spanjës, duke shtuar: E kuptojmë gëzimin e njerëzve dhe festojmë edhe ne të lumtur për lumturinë që kemi dhuruar. Ishte një arritje e madhe për kombin tonë.”

I pyetur nga një televizion nëse rezultati i kishte dhënë të drejtë që luajti pa një lojtar me numrin 9, ai ka thënë: Jo. Ne thjesht luajtëm ashtu si menduam se do të ishte më e mira.

Kemi pasur përballë një rival shumë të fortë, që bëhej edhe më i fortë me kalimin e ditëve. Del Boske ka folur më pas për dëshirën e Pujol dhe Vila për të hyrë në fushë e për të festuar me të tjerët. Ishte logjike. Kanë ardhur deri këtu për të qenë pranë shokëve të skuadrës.

Këtë titull dua tia dedikoj futbollit spanjoll dhe familjes sime. Të fitosh tre trofe nuk është e thjeshtë, prandaj dua të përgëzoj lojtarët e mi. Nuk dua të jem trajneri që fiton, por ai që edukon. Unë dua ti mbaj të përgatitur edhe për më tej.

Pujol dhe Vila, tifozët e veçantë

Karles Pujol dhe David Vila kanë qenë të pranishëm mbrëmë në Kiev për të ndjekur ndeshjen finale mes Spanjës dhe Italisë. Dy lojtarët e Barcelonës nuk morën pjesë në Euro 2012, për shkak dëmtimi, por udhëtuan drejt Ukrainës për të mbështetur shokët e ekipit në fitoren ndaj Italisë.

Spanja arriti mbrëmë rekordin me tri veprimtari madhore të fituara radhazi, por dy të parat Euro 2008 dhe Kupa e Botës 2010 nuk do të ishin fituar pa Pujolin dhe Vilën. Vizita e tyre na mbushi me gëzim, – tha trajneri Del Boske.

Kjo skuadër është si një familje dhe dy njerëz shumë të dashur për ne ishin në tribunë duke na mbështetur. 30-vjeçari Vila është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me kombëtaren spanjolle, ndërsa 34-vjeçari Karles Pujol ka kaluar shifrën e 100 ndeshjeve me demat.

Alba: Jemi pjesë e historisë

Hordi Alba, lojtari i përfaqësueses spanjolle, ishte shumë i emocionuar pas ndeshjes së madhe kundër Italisë. “Për mua është trofeu i parë Europian. Spanja ka hyrë në histori. Nuk më besohet ende, por do të mësohem me këtë gjë”, ka thënë ai pas ndeshjes. “Kampionati Europian më ka lënë shije shumë të mirë dhe kam arritur të shënoj edhe gol.

Në këtë moment më shkon mendja te miqtë e mia, te familja ime dhe te njerëzit që më kanë ndihmuar aq shumë”, shtoi ai. Duke iu referuar kalimit të tij te Barcelona, ai ka thënë: “Jam shumë i lumtur me kalimin te Barcelona. Klubet kanë rënë dakord dhe në fund gjithçka shkoi mirë. Jam i lumtur për atë që po ndodh në jetën time.

Kasiljas jep puthjen e titullit!

Këtë herë Iker Kasiljas nuk e ka puthur me pasion Sara Karboneron si në Botërorin 2010.

Këtë herë janë mjaftuar me puthje në faqe në zonën e intervistave të stacionit televiziv Telecinco dhe një përqafim gëzimi. Kasiljas, shumë i gëzuar gjatë intervistës, ka thurur elozhe për përfaqësuesen për titullin.

Besoj se është një triumf i talentit që kemi të gjithë ne, triumf i njerëzve që i janë dedikuar stërvitjes, triumf i atyre që i kanë dhënë vazhdimësi skuadrës. Është momenti më i bukur i futbollit spanjoll. Unë kam dëshirë se mund të përsëritet, por mosha ikën shpejt.

Ne kemi fituar me karakteristikat tona dhe e luajtëm topin ashtu si dimë ne. Ishim në gjendje për ta zgjidhur ndeshjen.” Dhe më pas thotë një tjetër mesazh: “Mendoj se është koha për të qenë shumë i lumtur. Po fuqizohemi dita-ditës.

4-0, fitorja më e thellë në historinë e finaleve

Përfaqësuesja spanjolle e futbollit, e cila fitoi mbrëmë 4-0 kundër Italisë në finalen e Europianit, ka shkruar historinë duke arritur fitoren më të thellë në historinë e finaleve, duke thyer rekordin e përfaqësueses gjermane, e cila kishte mundur më 1972 Bashkimin Sovjetik me rezultatin 3-0.

Golat e shënuar nga David Silva, Hordi Alba, Fernando Torres dhe Huan Mata do të futen në librat e historisë sepse asnjë ekip nuk ka arritur të shënojë kaq shumë. Rekordi i Gjermanisë Perëndimore zgjati 40 vite, por nga sot rekordin e mban Spanja.

Fernando Torres fiton Këpucën e artë…

Goli i shënuar nga Fernando Torres në shpartallimin që Spanja i bëri Italisë në finalen e Euro 2012 (4-0), i dha atij Këpucën e artë të UEFA-s sepse ishte në mesin e golashënuesve më të mirë të turneut, me tre gola, së basku me Mario Balotelin, Mario Gomez, Kristiano Ronaldo, Mario Mandzukiç dhe Alen Xagojev.

Në mesin e golashënuesve të Spanjës kundër Italisë janë edhe Hordi Alba, i cili shënoi golin e parë të një mbrojtësi në një finale të Europianit, David Silva që shënoi golin e tij të dytë të turneut, Huan Mata që festoi prekjen e parë të topit me gol pas asistim të Fernando Torresit.

Tre golat e Torresit në Euro 2012, dy kundër Irlandës dhe një kundër Italisë në ndeshjen finale, e vënë atë në një lartësi me italianin Baloteli, Mario Gomezin e Gjermanisë, portugezin Kristiano Ronaldo, rusin Xagojev dhe kroatin Mandzukiç. Sulmuesi spanjoll mori Këpucën e artë të Euro 2012 për shkak se dha më shumë asiste se lojtarët e tjerë që kanë shënuar po aq sa ai.

Shtypi në delir: Gracia, Gracias, Gracias!

Shtypi spanjoll mbrëmë ka qenë në delir. Katër golat e shënuar kundër Italisë nuk kishte si të mos e ngrinin lart humorin e spanjollëve. Edhe të përditshmet spanjolle kanë të drejtë të festojnë. Marca e hap me “Gracias” tri herë, sepse Spanja ka fituar Europianin e dytë dhe bën tris me Botërorin 2010.

“Tricampeones” shkruan As, “Campeones” e përsërit tri herë Mundo Deportivo. “Grandi di Spagna” është lavdi i thurur nga Gazzetta.it, që shkruan edhe titullin “Lot të hidhur”. Corrieredellosport shkruan “Fundi i një ëndrre”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›