Milani në alarm, Pato dëmtohet në stërvitje
Lajme të këqija për Milanin nga infermieria: Alesandre Pato ka pësuar një dëmtim në kaviljen e djathtë. Duhet të ishte dita e miqësores me Panathinajkosin për të testuar përmirësimin e kuqezinjve të Masimiljano Alegrit si dhe e shfaqjes të disa lojtarëve, pritshmëria për të cilët është shumë e madhe. Natyrisht që sulmuesi brazilian ishte një ndër këta të fundit dhe premtonte një paraqitje mjaft të mirë, pas një fillimi mjaft të mirë të kurorëzuar nga goli që shënoi kundër ekipit të Arsenalit. Por diçka nuk shkoi ashtu siç duhet në stërvitjen e mëngjesit të djeshëm në "Silvedrome" të Detroitit dhe sulmuesi brazilian ka pësuar një ndrydhje të kaviljes së djathtë, gjë që e ka detyruar edhe të braktisë fushën. Kanë qenë të menjëhershme kurat për fenomenin kuqezi dhe ashtu siç bëhet e ditur edhe vetë shoqëria e klubit milanez është përmirësuar disi, madje mendohet se ndoshta Alegri mund të rrezikojë duke e futur në fushën e gjelbër në ndeshjen kundër grekëve të Panathinajkos. Por stafi mjekësor e ka përjashtuar këtë mundësi, duke pranuar se dëmtimi i Patos ekziston dhe se për të qenë më të sigurt është më mirë që ai të mos zbresë në fushë në sfidën që do të zhvillohet në 2 të mëngjesit (me orën tonë). Menjëherë pasi ka ndjerë dhimbjen gjatë seancës stërvitore Pato është vizituar nga Mauricio Xhevi, doktori i Milanit, i cili e ka këshilluar që t'i drejtohej dhomave të zhveshjes. Mësohet se Pato ka ndjerë dhimbje në kavilje që gjatë ndeshjes me Arsenalin dhe stafi mjekësor mendon që mund të jetë një ripërsëritje e ndrydhjes. Gjithsesi, nëse situata e brazilianit nuk përmirësohet, atëherë Alegri do të gjendet me të vërtetë në telashe, sidomos duke pasur parasysh mungesën e lojtarëve ku mund të mbështetet. Megjithatë, situata duket të jetë e rëndë, pasi përveç ndeshjes me Panathinajkos, sulmuesi kuqezi rrezikon të humbasë edhe ndeshjen miqësore me fanellën e kombëtares që do të zhvillohet më 10 gusht kundër Amerikës.