E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del Ponte: S’kisha dijeni se BE do të formojë ekip hetimi

Nga Express më 14 qershor 2011 në ora 17:09

Karla Del Ponte ka thënë se ajo nuk kishte asnjë informacion në lidhje me ngritjen e një ekipi të EULEX-it për të hetuar akuzat e trafikimit të organeve të njeriut në Kosovë.

Përditshmja e Beogradit Blic shkruan se ish-kryeprokurorja e Hagës, e cila për herë të parë bëri publike çështjen me librin e saj botuar tre vjet më parë, ishte e befasuar nga lajmi për hapjen e një konkursi i cili do të përzgjedhë ekipin prej shtatë anëtarësh.

"Unë nuk di asgjë për këtë, por ne duhet të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët e ardhshme", deklaroi Del Ponte duke shtuar se ishte e gatshme të marrë përsipër hetimin në çdo kohë.

E përditshmja shkruan se emrat e prokurorëve dhe gjyqtarëve që Bashkimi Evropian ka zgjedhur mund të bëhen publike këtë javë.

Sipas raportit, ekipi do i bashkohet EULEX-it, por disa prej tyre do të jenë të përqendruar në Prishtinë ndërsa pjesa tjetër në Bruksel .

Sipas medias serbe “Blic” një zëdhënës i EULEX-it tha se procesi "do të kryhet nën juridiksionin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, për shkak se Brukseli nuk mund të ketë juridiksion në Kosovë".

Dik Marti paraqiti në fund të vitit të kaluar raportin e tij para Këshillit të Evropës mbi këtë çështje, ndërsa një muaj më vonë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u miratua një rezolutë e bazuar në këtë raport ku bëhet thirrje për nisjen e një hetimi të pavarur. /abcnews/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›