Mosfunksionimi i gjykatave shkakton probleme
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) ka mbajtur të martën takimin e parë për këtë vit në Mitrovicë, ku përfaqësues të institucioneve, organizatave të ndryshme joqeveritare të bashkësive fetare e etnike, kanë diskutuar për sfida të ndryshme të sigurisë me të cilat ballafaqohen qytetarët mitrovicas.
U vlerësua se aktivitetit i KKSB-së është shumë me rëndësi në Mitrovicë, duke pasur parasysh se Mitrovica është prej qyteteve më të ndjeshme në këtë aspekt.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, fillimisht sqaroi për riorganizimin e KKSB-së sipas Udhëzimit Administrativ. Ai tha se anëtarët e Këshillit janë zgjedhur sipas këtij udhëzimi.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala tha se është paraparë që gjatë vitit KKSB-ja të mbajë dhjetë takime.
“Është ky këshill me rëndësi për sigurinë e qytetarëve, meqë këtu marrin pjesë përfaqësues të institucioneve civile dhe të sigurisë, mandej shoqërisë civile, mediave, komuniteteve etnike e fetare”, ka thënë Bala.
Sa i përket situatës së sigurisë dhe problemeve aktuale në këtë aspekt, komandanti i stacionit të policisë në jug, Avni Zabeli tha se gjendja në jug është e qetë, ndërsa sfiduese mbetet mosfunksionimi i gjykatave.
“Me mijëra lëndë për raste të ndryshme për kundërvajtje kanë mbetur në sirtarët tanë, pa u shqyrtuar në gjykata dhe ky është një problem shumë i madh”, tha Zabeli.
Ai foli edhe për rritjen e numrit të rasteve të kontrabandës në jug, përkundër masave që janë ndërmarrë nga autoritetet gjegjëse.