E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi pret nga Qeveria Ligjin për vlerat e luftës

Nga Express më 14 qershor 2011 në ora 19:00

Kanë hyrë në ditën e 23-të të grevës dhe institucionet e Kosovës ende vazhdojnë të bëjnë sehir. Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë shprehur këmbëngulës që nuk do t’i lëshojnë tendat, në të cilat janë vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës pa miratimin e Ligjit për vlerat e luftës. Zyrtarët qeveritarë ende nuk i kanë vizituar grevistët, ndërkaq, kryeparlamentari Jakup Krasniqi të martën ka thënë se Kuvendi e ka kryer obligimin e vetë edhe institucional edhe njerëzor.

Krasniqi ka thënë se problemi për zvarritjen e këtij ligji nuk qëndron tek Kuvendi i Kosovës, dhe se sapo ai ligj të vijë në Kuvend, do të hyjë në procedurë për miratim të shpejtë.

“Sigurisht që problemi nuk është Kuvendi i Kosovës. Konsideroj se Kuvendi e ka kryer obligimin e vetë, jo vetëm institucional, por edhe njerëzor. Edhe kryetari i Kuvendit edhe deputetë nga grupet parlamentare të Kuvendit dhe deputetë të veçantë kanë shkuar dhe kanë biseduar me grevistët, por është vullnet i tyre që mos të tërhiqen pa miratimin e tyre. Ne kemi thënë se ligji është duke u përpunuar, presim të vijë gjatë qershorit në Kuvend që Kuvendi pastaj në procedurat e tij ta miratojë këtë ligj dhe të jetë edhe kjo kategori e mbrojtur me ligjin që do të miratohet në Kuvend”, ka thënë Krasniqi.

Nga ana tjetër, partitë opozitare akuzojnë Qeverinë për mungesë të kujdesit të duhur për këtë kategori, sikurse edhe për kategoritë tjera.

Ismet Beqiri, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë për Kosovapress se Qeveria e Kosovës me rastin e veteranëve ka treguar se nuk është në nivelin e duhur të kryerjes së detyrës për të cilën është e mandatuar.

“Ne kërkojmë që të vijë sa më shpejt ky projektligj. Unë jam i sigurt se gjithë deputetët, pa dallim partish, në këtë rast Grupi Parlamentar i LDK-së do ta mbështes një projektligj të tillë. Fundja këta njerëz janë qytetarë të Kosovës, iu takojnë gjithë partive politike, nëse mund të thuhet në kuptimin politik, por edhe nuk i takojnë asnjë partie politike. Kështu që e meritojnë të përkrahen dhe mendoj se është e dhimbshme që pas 12 vjetësh vijmë në një situatë kur një obligim i yni kushtetues kryhet në këtë mënyrë, në njëfarë forme me një lloj presioni nga ata që më së paku do duhej ta bënin këtë. Në këtë rast do duhej që ne ta thërrasim ndërgjegjen tonë si përfaqësues të institucioneve, në këtë rast Qeveria, që kjo të ndodhë”, ka thënë Beqiri, duke treguar se ka qenë disa herë t’i vizitojë dhe të bisedojë me veteranët grevistë.

Ndërkaq Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje heq çdo përgjegjësi nga Kuvendi, duke thënë se përgjegjës për situatën e krijuar me grevistët e ka vetëm Qeveria e Kosovës.

Ai akuzon madje PDK-në për fryerje të numrit të veteranëve të UÇK-së, duke sjellë telashe të reja për verifikimin e këtij numri.

“Kemi probleme politike, lufta e UÇK-së nuk njihet as në Kushtetutë dhe Qeveria e Kosovës nuk ka bërë shumë për ta institucionalizuar luftën e UÇK-së edhe me ligje. Aspekti i dytë është financiar. Qeveria i ka ngushtë punët me financa dhe nuk ka para më duket as për letër toaleti më. Dhe aspekti i tretë janë problemet që në mënyrë artificiale vetë i ka krijuar Qeveria dhe sidomos Partia Demokratike e Kosovës, duke lëshuar dhjetëra-mijëra dokumente për veteranët e luftës, duke e fryer në mënyrë artificiale numrin e tyre, duke e bërë mbi 40 mijë dhe tash duhet të krijohen komisionet për verifikimin e numrit të saktë të veteranëve të luftës. Këto tri arsye që i thash çojnë në këto rrethana për çka ka ngecur ligji dhe fajin kryesor e ka Qeveria e Kosovës”, ka thënë Konjufca për Kosovapress.

Projektligji për vlerat e luftës ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, mirëpo pas shpërndarjes së Kuvendit vitin e kaluar, ai i është kthyer Qeverisë së Kosovës. Zyrtarët qeveritarë kanë premtuar që ligji do të shkojë shumë shpejt në Kuvend, ndërkaq u kanë bërë thirrje grevistëve për mirëkuptim dhe për zgjidhje përmes dialogimit dhe jo përmes grevës, e cila nuk është imazh i mirë për vendin, por edhe është e dëmshme për shëndetin e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›