E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del norma e re mësimore, deri në 300 orë mësimi për një lektor

Pedagogët do t‘i nënshtrohen normës së re mësimore për vitin akademik 2008-2009. Aktualisht nëpër fakultete janë duke u plotësuar formularët e orëve të punës, edhe pse mjaft pedagogë nuk janë dakord me ngarkesën e punës. Në udhëzimin që ka nxjerrë Ministria e Arsimit për ngarkesën e re mësimore, bëhet e ditur se orët e punës janë të ndara sipas titujve që lektorët mbajnë. Ajo nis nga 50 deri në 300 orë mësimi në vit. Për personelin akademik, me titullin Profesor, norma është 200 orë mësimore. Me titullin akademik Profesor i Asociuar është 220 orë mësimore. Ndërsa në kategorinë Docent, norma mësimore rritet në 300 orë. Ata pedagogë që kanë titullin Doktor do të bëjnë 260 orë mësimore në vit. Po e njëjta normë është edhe për pjesën më të madhe të trupës akademike, lektorët të cilët do të japin 260 orë mësimi në një vit akademik. Për autoritetet drejtuese të universiteteve publike ka një normë mësimore të veçantë, mjaft të lehtësuar krahasuar me kategoritë e tjera. Një rektor bën deri në 50 orë mësimore. Kryetari i Këshillit të Administrimit, 120 orë mësimore, zëvendësrektorët 70-50 orë mësimore dhe një dekan 70 deri në 50 orë mësimore. Për shefat e departamenteve, norma mësimore varion nga 150 deri në 60 orë mësimore në vit.

Në udhëzimin e ministrisë nuk jepen vetëm orët, por edhe planifikimi i tyre. Kështu për personelin akademik me kohë të plotë, mësimdhënia e normuar vjetore do të jetë 20-30% e orëve mësimore. Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë në fakultete, organizohet me jo më pak se 6 orë mësim në auditor për çdo javë mësimore të vitit akademik. Mund të përjashtohen nga ky rregull deri 5 për qind e personelit akademik të fakulteteve. Këto përjashtime vlerësohen rast pas rasti dhe miratohen në mbledhjen e këshillit të fakultetit, mbi bazë të propozimeve të departamenteve.

Mësimdhënia në universitete përfshin zhvillim të leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, si dhe veprimtari për përgatitjen dhe mbështetjen e procesit të mësimdhënies. Ndër detyrat e pedagogëve në punë përfshihet edhe përgatitja individuale, zhvillimi i kurrikulave, përtëritja e materialeve didaktike dhe hartimi i materialeve të reja akademiko-mësimore. Mësimdhënia e normuar vjetore, për personelin akademik me kohë të plotë, ka të bëjë me zhvillimin e leksioneve, seminareve, ushtrimeve, laboratorëve, praktikave mësimore apo profesionale, të përcaktuara këto për çdo disiplinë apo veprimtari formuese në planet mësimore të programeve të studimit. Ora mësimore është 60-minutëshe.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›